Sot në Shkup ushëtiu zëri i mijëra studentëve shqiptarë të Jurisprudencës në Maqedoninë e Veriut të cilët protestuan masivisht për dy orë për të kërkuar përdorimin e gjuhës amëtare në provimet e diplomimit, një e drejtë që praktikisht ekziston në letër.

Me thirrjet “ Gjuha shqipe e drejta jonë” “ne flasim shqip”, “nuk ka shtet pa rini”, studentët e shumtë në numër mbanin pankarta të ndryshme dhe flamujt kuq e zi duke kërkuar diçka që është e garantuar.

Studentët kishin ngritur një podium pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe prej andej kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Hristijan Mickoski, ministrit të Drejtësisë Igor Filkov dhe ministres së Arsimit Vesna Janevska

Studenti dhe organizatori i protestës Mevlan Ademi tha në fjalën e tij para protestuesve  se "kur preket gjuha, preket themeli."

“Po ja ku jemi. Para se të jemi studentë, profesionistë, ne jemi shqiptarë. Dhe kur preket gjuha preket vet themeli ynë. Gjuha shqipe është mënyra se si jetojmë, si flasim dhe si kemi ardhur deri këtu. Kjo është minimumi baza dinjiteti, nuk kërkojmë favore kërkojmë barazi, ne nuk jemi kundër askujt, ndoshta kundër Fillkovit…Jemi këtu për veten tonë për gjuhën tonë për të ardhmen tonë. Ne po themi, nuk ka shtet të së drejtës pa barazi të gjuhës… jemi brezi që nuk hesht, nuk dorëzohet, brezi që mbron dhe flet shqip”, tha ai

“Kjo është gjuha jonë, identiteti ynë. Ne jemi student të drejtësisë që nesër do të mbrojmë ligjin, dhe sot jemi këtu për të përdorur diçka që ligji tashmë e njeh. Jemi këtu për të drejtën tonë. Gjuha është historia. Sot jemi të bashkuar dhe nuk do lejojmë që shqipja të trajtohet si opsion, sepse nuk është opsion por identitet. Nuk ka shtet të së drejtës pa respekt për gjuhën. Ky është amaneti i atyre para nesh, dhe porosia për ata që do të vijnë pas nesh. Shqipja nuk negociohet”, u shtoi Ademi.

Një student tjetër tha se gjuha është gjak dhe nuk mund të trajtohet si opsion.

“Në 2026 nuk mendoja që studentët do të dilnin në rrugë për gjuhën e tyre. Por ja ku jemi. Firkov, studentët duan të japësh dorëheqjen, por përpara se të kemi studentë dhe profesionistë jemi shqiptarë. Kur preket gjuha preket themeli ynë, shqipja është mënyra se si kemi mbijetuar dhe ardhur deri këtu. Shqipja nuk negociohet është identiteti ynë. Gjuha është gjak, histori. Nuk lejojmë që shqipja të trajtohet si opsion, sepse është identitet. Sot nga ky shesh themi se nuk ka barazi pa shqipe dhe të ardhme pa shqipe. Jemi këtu për këtë. Jo për sot por për nesër. Para ata që vijnë pas nesh sepse ne jemi brezi që nuk hesht apo dorëzohet, ne jemi brezi që flet shqip. Është amaneti i atyre që para nesh dhe përgjegjësia e atyre që do të vijnë pas nesh” tha ai në fjalimin e tij

Edhe pse gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut ka status zyrtar, provimi i jurisprudencës, i domosdoshëm për ushtrimin e profesioneve juridike si avokat, gjyqtar apo prokuror, zhvillohet kryesisht në gjuhën maqedonase.

Studentët kanë nënshkruar edhe një peticion për këtë çështje, të cilin kryeministri Hristijan Mickoski në fillim e cilësoi të drejtë por që më pas u tërhoq nga qëndrimi duke thënë se ‘ligji nuk e lejon një gjë të tillë” 

Ministria e Drejtësisë nga ana tjetër e zhvendosi debatin nga e drejta tek interpretimi duke thënë se bëhet fjalë për një provim profesional dhe jo një procedurë administrative. 

Debati për gjuhën shqipe është përhapur edhe në rrafshin politik mes përfaqësuesve të partive shqiptare. 

Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani akuzon VMRO-DPMNE se ka një strategji të qëllimshme për të dobësuar gjuhën shqipe në institucione shtetërore. Izet Mexhiti nga Vlen argumenton se “ligjet gjysmake japin zgjidhje gjysmake” dhe e sheh kuadrin ligjor si të paplotë.

Për betejën e studentëve për gjuhën shqipe sot ka reaguar edhe ministri i jashtëm i Shqipërisë Ferit Hoxha.

Në një postim në X, Hoxha  e quan të drejtë themelore dhe legjitime përdorimin e gjuhës amëtare nga ana e studentëve shqiptarë në Maqedonië e Veriut.

“Përdorimi i gjuhës amëtare është një e drejtë themelore e garantuar nga Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut dhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve e cila nuk mund dhe nuk duhet të ngushtohet apo vonohet nga asnjë procedurë” tha Hoxha.

Në reagimin e tij, Hoxha bën thirrje për shmangie të politizimit të ccështjes dhe trajtim të saj me maturi e përgjegjësi, sidomos në frymën e respektimit të të drejtave themelore.

Kryediplomati vlerësoi gjithashtu angazhimin qytetar të studentëve duke nënvizuar se zgjidhja duhet të vijë përmes dialogut konstruktiv.

"Kjo është një çështje që kërkon trajtim të matur dhe të përgjegjshëm, larg çdo përpjekjeje për politizim. Ajo duhet adresuar me seriozitet institucional dhe në frymën e respektimit të të drejtave themelore. Demokracitë jo vetëm që kanë mekanizmat, por edhe pjekurinë e nevojshme për të gjetur zgjidhje ku harmonizohen shteti ligjor, legjislacioni dhe të drejtat e qytetarëve. Studentët meritojnë përgëzim për angazhimin qytetar dhe mënyrën demokratike me të cilën kanë artikuluar kërkesën e tyre. Kjo kërkon një përgjigje me të njëjtin standard përgjegjshmërie, përmes dialogut konstruktiv dhe zgjidhjeve që respektojnë plotësisht të drejtat e garantuara."

Protestën e studentëve dhe kërkesat e tyre i kanë bështetur edhe Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane, duke insistuar se  kjo e drejtë u garantohet studentëve me Kushtetutë, Marrëveshjen e Ohrit dhe Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:06
'Shqipja u shkrua kur të tjerët kërkonin alfabet', deputetja socialiste mbështet protestën e studentëve shqiptarë në Shkup: Barazia iu takon!

1775055993_marjanakoeku.jpeg

Debati për gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut ka marrë një tjetër reagim nga politika shqiptare. Këtë herë është deputetja socialiste Marjana Koçeku e cila me një deklaratë të gjatë e shtjelluese doli hapur në mbështetje të studentëve shqiptarë në Shkup, duke sjellë në kujtesë faktin se në vitin 1555 kur u shkrua gjuha shqipe, pjesa më e madhe e vendeve të Europës Lindore kërkonin një alfabet. 

"Gjuha shqipe, përveç letërsisë orale mijëvjeçare, eposit, këngëve dhe legjendave që i kanë paraprirë shteteve, asht e dëshmume dhe e shkrume që nga viti 1555, afërsisht në të njëjtën kohë me gjermanishten, me polonishten, me çekishten. Libri i saj i parë, Meshari i Gjon Buzukut, u shkru në një kohë kur shumica e gjuhëve të Europës Lindore ende po kërkonin alfabetin e vet" tha ajo në një postim publik në Facebook.. 

Në reagimin e saj, Koçeku sjell në vëmendje edhe historinë e shqiptarëve si komb shtetformues dhe peshën e gjuhës shqipe, duke theksuar se ajo ka traditë të hershme dhe është studiuar ndër shekuj nga figura të shquara të mendimit europian. Duke shtruar pikëpyetje mbi qëndrimin e Maqedonisë së Veriut rreth kësaj çështjeje, ajo thotë se dëshiron të besojë që është çështje burokratike dhe jo diçka më tepër. Sidoqoftë, Koçeku i kujton Shkupit se integrimi në BE shoqërohet me respekt për gjuhët dhe kulturat e ndryshme. 

“Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut gëzojnë përkrahjen e Shqipërisë pa dallim partie. Ata duan barazi për gjuhën shqipe e kjo u takon, sepse nuk janë minoritet, por një nga dy kombet shtetformues në atë vend bashkë me maqedonasit” tha ajo

Do kisha dasht me besu se asht ma tepër çështje e ngecjes burokratike dhe inkompetencës institucionale sesa qëndrim i ndërgjegjshëm dhe i paramenduar.

Deklarata e plotë e Marjana Koçekut në rrjete sociale

"Nuk asht hera e parë që gjuha shqipe, në trojet ku shqiptarët janë komb shtetformues, përballet me pengesa institucionale nga ma të ndryshmet. 385 studentë e mësojnë të drejtën ndërkombëtare, të drejtën kushtetuese, të drejtën penale, të tana n’shqip. POR detyrohen të testohen në terminologji juridike n’gjuhën maqedonase, pikërisht në momentin vendimtar të karrierës: ai që hap rrugën drejt gjykatës, prokurorisë, avokaturës dhe noterisë.

Në listën e gjuhëve që emnohen të vlefshme dhe të denja për t'u fol përpara institucioneve shtetnore në Maqedoninë e Veriut, nuk mungojnë gjuhët e komuniteteve të vogla, gjuhët e diasporave, gjuhët e pakicave numerikisht të papërfillshme. Por ajo gjuhë që flitet nga gati gjysma e popullsisë dhe e territorit të vendit, gjuha shqipe pra, ndalet në pragun e sallës së provimit.

Unë s’mund i marr me mend motivet e një gjendjeje të ktij soji, të ushtrume pikërisht ndaj kësaj gjuhe, pikërisht ndaj ktij populli. Ajo tingëllon llahtarshëm sidomos sot, kur Maqedonia e Veriut pretendon integrimin europian, një integrim që bazohet pikërisht mbi respektimin e diversitetit kulturor dhe gjuhësor të kombeve si pasuri e qytetërimit të përbashkët. Do kisha dasht me besu se asht ma tepër çështje e ngecjes burokratike dhe inkompetencës institucionale sesa qëndrim i ndërgjegjshëm dhe i paramenduar.

Nuk e konsideroj të tepërt ndërkaq të theksoj se gjuha shqipe, përveç letërsisë orale mijëvjeçare, eposit, këngëve dhe legjendave që i kanë paraprirë shteteve, asht e dëshmume dhe e shkrume që nga viti 1555, afërsisht në të njëjtën kohë me gjermanishten, me polonishten, me çekishten. Libri i saj i parë, Meshari i Gjon Buzukut, u shkru në një kohë kur shumica e gjuhëve të Europës Lindore ende po kërkonin alfabetin e vet.

Dëshiroj të shtoj gjithashtu se ka ma shumë se tre shekuj që kjo gjuhë, e vetmja pasardhëse e drejtpërdrejtë e ilirishtes, e njërës ndër gjuhët më të lashta të kontinentit, ka tërheq vëmendjen e mendimtarëve dhe gjuhëtarëve ma të shquar të Europës. Leibniz i ka kushtuar vëmendje. Franz Bopp e ka përfshirë në gramatikat e tij krahasuese. Johann Thunmann i ka kushtu studime të plota. Katedrat për studimin e shqipes ekzistojnë sot në universitetet ma të vjetra të botës, nga Vjena deri në Sorbonë, nga Londra e Pekini deri në Romë.

Dhe megjithatë, një student shqiptar në Maqedoninë e Veriut, i cili ka studiu të drejtën në gjuhën e Buzukut, të Fishtës dhe të De Radës, nuk mund ta dëshmojë dijen e vet në atë gjuhë. Kjo s'asht thjesht një çështje procedurale. Ky asht një mur i errët.

Kam besim tek zhdërvjelltësia demokratike e Maqedonisë së Veriut për t’i kapërcyer me lehtësi pengesa të tilla që i përkasin të shkuarës, sepse ato s'mund të kenë vend në një shtet që ka nënshkruar Marrëveshjen e Ohrit, që ka ratifikuar Kartën Europiane për Gjuhët Rajonale dhe Minoritare, dhe që ecën drejt integrimit europian.

Shpresoj se do të gjendet mënyra për të korrigju këtë gjendje tepër të papëlqyeshme.

Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut gëzojnë përkrahjen e Shqipërisë pa dallim partie. Ata duan barazi për gjuhën shqipe e kjo u takon, sepse nuk janë minoritet, por një nga dy kombet shtetformues në atë vend bashkë me maqedonasit.

Fqinjit tonë, Maqedonisë së Veriut pranimi i gjuhës shqipe në çdo instancë, do t’i ndihmojë në stabilitet, përparim, demokraci e zhvillim."

Ora 16:26
Ish presidentja e Kosovës mbështet protestën e studentëve shqiptarë në Shkup, Osmani: Në përkrahje të gjuhës shqipe

Ish presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka postuar në Facebook disa foto nga protesta e sotme e studentëve shqiptarë të drejtësisë në Shkup të Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se do të jetë përherë në përkrahje të motrave e vëllezërve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.

"Në përkrahje të gjuhës shqipe! Në përkrahje të studentëve, Në përkrahje të motrave e vëllezërve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, sot e përherë!" shkroi ajo

 

 

Ora 15:19
Protesta e studentëve në Maqedoninë e Veriut për provimet në gjuhën amëtare, reagon Gazment Bardhi: Shqipja nuk negociohet

1775482090_1699822510gazmentbardhi.jpg

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka reaguar sot për protestën e studentëve shqiptarë të drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se përdorimi i gjuhës shqipe është një e drejtë themelore që nuk mund të vihet në diskutim.

Në reagimin e tij, Bardhi shprehet se shqipja është identitet dhe se mbështet plotësisht protestën, duke e cilësuar atë legjitime. Sipas tij, një popull që detyrohet të kërkojë gjuhën e vet nuk ka problem gjuhe, por problem drejtësie.

Ai thekson se kjo e drejtë është fituar me sakrifica dhe nuk negociohet, ndërsa ngre alarmin për rrezikun e kthimit pas në kohë të errëta.

Bardhi i bën thirrje Qeverisë Shqiptare që të ndërhyjë menjëherë pranë autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, për të garantuar respektimin e të drejtave të shqiptarëve, duke kujtuar se mbrojtja e tyre është detyrim kushtetues i Shqipërisë.

Deklarata e Bardhit në rrjete sociale 

"Përdorimi i gjuhës shqipe është një e drejtë themelore e garantuar nga Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut dhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve. Kjo është një e drejtë e fituar me gjak dhe që nuk mund të negociohet.  Mbështes plotësisht protestën legjitime të studentëve sepse gjuha është historia, është gjak, është kujtesa. Dhe një popull që detyrohet të kërkojë gjuhën e vet nuk ka problem gjuhe, ka problem drejtësie. Për secilin prej tyre gjuha shqipe është identitet. Shqipja nuk negociohet!  I bëj thirrje Qeverisë Shqiptare që të marrë menjëherë masat për të ndërhyrë pranë autoriteteve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, që të shmangin kthimin pas në kohë të errta. Rruga e dy vendeve tona fqinjë është e përbashkët drejt Bashkimit Europian. Por, në çdo rast Republika e Shqipërisë e ka detyrim kushtetues që të mbrojë të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj"

 

Ora 15:08
Studentët kërkojnë provime në shqip, nënkryetari i BDI-së sulmon politikën në Maqedoninë e Veriut: Plan për dobësimin e gjuhës sonë

Nënkryetari i Bashkimi Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Bujar Osmani, ka reaguar sot për protestën e studentëve shqiptarë të drejtësisë që kërkojnë mbajtjen në gjuhën shqipe të provimeve të lirimit, duke kritikuar edhe politikat e qëllimshme për dobësimin e përdorimit të gjuhës shqipe në institucione shtetërore.

Osmani, i cili mori pjesë në protestë, thotë se u ndie krenar për brezin e ri që nuk bën compromise me dinjitetin por nga ana tjetër u ndie keq për sjelljen e politikanëve shqiptarë.

“Sot isha në protestën e studentëve si ligjerues, si prind po edhe si politikan. Ishte një vorbull emocionesh. Nga njëra anë u ndjeva krenar. Krenar për një gjeneratë që nuk bën kompromis për dinjitetin e vet. Po në të njëjtën kohë u ndjeva edhe keq.  Keq për ku e kanë sjellë disa politikanë shqiptarë këtë popull në pak vite. Prej një populli që bashkëdrejtonte shtetin e përtej shtetit, sot dëgjova: “duam të drejtat tona”. Çfarë degradimi. Dhe prapa këtij degradimi ka emra dhe mbiemra konkret.  Por një gjë ta dini.  Emrat tuaj kanë me mbet në faqet e errëta të historisë. Të secilit prej jush. Një nga një” shkroi ai në Facebook

Një ditë më parë, ai akuzoi deputetët e VMRO-DPMNE në parlament që sipas tij ka ndërmarrë një politikë të paramenduar duke përfshirë edhe aktorë politik shqiptarë për dobësimin e shqipes.  

Ora 14:18
Kryetari i komunës së Tetovës jep premtimin pas protestës së studentëve, Kasami: Provimi i Jurisprudencës do të mbahet edhe në gjuhën shqipe

Kryetari i Komunës së Tetovës dhe kreu i lëvizjes Besa në Maqedoninë e Veriut, Bilal Kasami përgëzoi sot studentët shqiptarë që dolën në protestë për të kërkuar mbajtjen e provimeve të Jurisprudencës në gjuhën shqipe. Në një postim në Facebook, Kasami thotë se kërkesa e tyre është e drejtë. Ndërkohë, ai akuzoi edhe elitën milionere të pushtetit që sipas tij, u përpoq ‘të kontrabandohet në krye të kauzës së pastër studentore.”

Postimi i plotë i Kasamit në Facebook

“I përgëzoj studentët për protestën dinjitoze dhe vetëdijen e lartë qytetare që e dëshmuan sot. Kërkesa e tyre është e drejtë dhe, siç ju kam premtuar edhe në takimin tonë të parë, këtë çështje do ta zgjidhim. Për herë të parë pas pavarësisë së shtetit Provimi i Jurisprudencës do të mbahet edhe në gjuhën shqipe! Ndërsa elita milionere e ish-pushtetit, e cila tentoi të kontrabandohet në krye të kauzës së pastër studentore, sot dështoi keq. Ky popull i njeh mirë. Tinëzitë e tyre nuk kalojnë” tha ai. 

 

Ora 13:31
AAK mbështet protestën e studentëve shqiptarë në Shkup: E drejtë legjitime, të zbatohet pa vonesë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dalë në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët po protestojnë për të drejtën për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Në reagimin e saj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e cilëson këtë kërkesë si të drejtë dhe legjitime, duke theksuar se përdorimi i gjuhës shqipe është i garantuar si me Kushtetutë ashtu edhe me ligj, por sipas studentëve ende nuk po zbatohet në praktikë.

AAK thekson se kjo situatë ngre shqetësime serioze për respektimin e të drejtave dhe për barazinë reale të shqiptarëve në sistemin arsimor.

Partia i bën thirrje institucioneve përgjegjëse në Maqedoninë e Veriut që të veprojnë pa vonesë dhe të garantojnë zbatimin e të drejtave të parashikuara me ligj, duke respektuar parimin e barazisë dhe standardet kushtetuese.

 

Ora 13:21
'Gjuha amtare është e drejtë, jo privilegj', Universiteti i Tiranës në krah të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut: Duhet zgjidhje gjithëpërfshirëse

1775474851_10000universiteti.jpg

Universiteti i Tiranës ka dalë hapur në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët po protestojnë për të drejtën e tyre për mbajtjen e provimeve në gjuhën shqipe.

Në një reagim zyrtar, institucioni dhe rektori Artan Hoxha theksojnë se përdorimi i gjuhës amtare në arsim dhe në vlerësimin profesional nuk është privilegj, por një standard i njohur ndërkombëtarisht dhe një element bazë i barazisë në shoqëritë shumëgjuhëshe.

Universiteti i Tiranës thekson se mbështet çdo përpjekje që forcon të drejtat gjuhësore dhe garanton standarde të barabarta në arsim dhe në jetën publike, ndërsa u bën thirrje institucioneve përkatëse që të gjejnë zgjidhje të drejta dhe gjithëpërfshirëse.

Deklarata e plotë e Universitetit të Tiranës

Universiteti i Tiranës shpreh mbështetjen e plotë për studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët po kërkojnë realizimin e një të drejte themelore: përdorimin e gjuhës së tyre amtare në proceset arsimore dhe profesionale. E drejta për t’u arsimuar dhe për t’u vlerësuar në gjuhën amtare nuk është privilegj, por një standard i njohur ndërkombëtarisht dhe një element thelbësor i barazisë reale në shoqëri shumëgjuhëshe. Kur studentët ndjekin studimet e tyre në një gjuhë të caktuar, është e drejtë legjitime që edhe vlerësimi përfundimtar profesional të bëhet në të njëjtën gjuhë. Kërkesa e studentëve shqiptarë për të zhvilluar provimet shtetërore në gjuhën shqipe përfaqëson një aspiratë të drejtë për barazi, dinjitet dhe mosdiskriminim. Mosrespektimi i këtij parimi rrezikon të krijojë pengesa të panevojshme në zhvillimin profesional të tyre dhe të cenojë besimin në institucionet shtetërore. Universiteti i Tiranës mbështet çdo përpjekje që synon forcimin e të drejtave gjuhësore dhe garantimin e standardeve të barabarta në arsim dhe në jetën publike. Ne inkurajojmë institucionet përkatëse që, në frymën e ligjit dhe të bashkëjetesës demokratike, të gjejnë zgjidhje të drejta dhe gjithëpërfshirëse. Respektimi i diversitetit gjuhësor nuk është vetëm detyrim ligjor, por edhe vlerë që pasuron shoqërinë dhe forcon kohezionin social në rrugën e integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian!

 

Ora 12:50
'Gjuha shqipe nuk diskutohet', Spiropali mbështet protestën e studentëve shqiptarë në Shkup: Të drejtat e tyre garantohen nga Kushtetuta

Ish Ministrja e Jashtme Elisa Spiropali ka ofruar mbështetjen e saj për studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut të cilët protestojnë sot duke kërkuar që të mbajnë provimet e Jurisprudencës në gjuhën shqipe.

“Të protestosh sot për gjuhën shqipe nuk është vetëm alarm. Është një sinjal që diçka thelbësore sërish nuk po funksionon siç duhet” shkruan ajo në një postim në rrjete sociale.

Duke insistuar që të drejtat nuk duhet të mbeten vetëm në letër Spiropali nënvizon me vendosmëri se gjuha shqipe nuk është çështje interpretimi por një e drejtë themelore.

Deklarata e plotë e Elisa Spiropalit në Facebook

“Kur një e drejtë që parashikohet në Kushtetutë dhe në ligj kërkohet në rrugë, atëherë lind nevoja për më shumë vëmendje dhe reflektim mbi zbatimin e saj në praktikë. Sepse të drejtat nuk duhet të mbeten vetëm në letër; ato duhet të jetohen në përditshmëri.  Gjuha shqipe nuk është çështje diskutimi. Nuk është kompromis. Nuk është temë për interpretim të paqartë institucional. Është e drejtë themelore.  Protesta e studentëve sot është më shumë se një reagim. Është një thirrje e qartë për të forcuar standardet dhe për të garantuar të drejtat themelore. Një shtet që garanton gjuhën, forcon barazinë. Dhe një shtet që forcon barazinë, ndërton besim dhe stabilitet për të gjithë qytetarët e tij.  Mbështetje për studentët që po mbrojnë jo vetëm gjuhën, por edhe dinjitetin e parimet mbi të cilat duhet të funksionojë një shoqëri e drejtë.  Kjo nuk është vetëm çështje e shqiptarëve. Kjo është një provë e rëndësishme për të gjithë, për mënyrën se si funksionon shteti në praktikë, jo vetëm në parim. Sidomos për dy vende mike , që ndajnë të njëjtin horizont dhe të njëjtën aspiratë europiane, respektimi i të drejtave dhe forcimi i barazisë nuk është vetëm detyrim, por edhe drejtim i përbashkët” tha Spiropali