Disa prej vendeve që eksperimentuan përpara Shqipërisë me këtë sistem taksimi patën efekte pozitive në tregjet e punës. Në fund të fundit do të kish qënë e shëndetshme për ekonominë nëse rritja e barrës fiskale mbi pagat e shumicës së shqiptarëve në punë do të prodhonte më shumë vende pune për pjesën e papunë të shoqërisë. Në fakt, realiteti flet për të kundërtën, pohon një studim i fundit i kryer nga Instituti AGENDA.
Sipas AGENDA-s, shifrat ndalojnë në vitin 2009 sepse ky është viti i fundit për të cilin INSTAT-i ka publikuar shifrën përfundimtare për rritjen ekonomike të vendit. Duket qartë se, në dy vitet e para të zbatimit, taksa e sheshtë nuk prodhoi rritje të punësimit, por përkundrazi. Shifrat paraprake të viteve pasuese (2010-2011) justifikojnë të njëjtën tendencë.
Ekonomia shqiptare nuk ka ditur si të nxisë një zhvillim ekonomik që krijon punësim, pra mirëqënie të përgjithshme, as në vitet përpara taksës së sheshtë. Shumë teori ekonomike argumentojnë nevojën e shoqërimit të rritjes ekonomike të lidhur drejtpërdrejtë me nivele më të larta punësimi, lidhje kjo e ndërsjelltë.
Tek ne, jo vetëm që nuk është bërë asnjë përpjekje për nxitje të punësimit, por më keq akoma, as rritja ekonomike në formë mekanike apo natyrale, nuk ka mundur të krijojë vende shtesë pune, në kuadër kjo edhe të vetë ciklit të shpërndarjes së të ardhurave në ekonomi, fare pa u futur në sistemin e rishpërndarjes apo shpërndarjes së dytë, sikurse njihet ndryshe.
Viti 2012 ka shënuar një përkeqësim të normës së papunësisë, e cila për tremujorin e 3-të 2012 llogaritet në nivelin 13.3%. Ky nivel i papunësisë është gjerësisht i debatuar duke qënë se shifrat u përkasin të dhënave administrative dhe duke qënë se gjithashtu incentivat për regjistrimin e të papunëve në zyrat e punës janë tejet deficitare.
Për tremujorin e fundit 2012 është llogaritur një normë papunësie prej 13.26% sipas Institutit të Statistikave, pra ka një rënie të lehtë kundrejt nivelit të mëparshëm. Për këtë periudhë të fundit të vitit 2012 vihet re një rënie në forcën e përgjithshme të punës, ndërkohë që rritja e nivelit të punësimit në sektorin privat jo-bujqësor duket se ka ndikuar në rënien e normës së përgjthshme të papunësisë.
Ndërkaq, në sektorin shtetëror numri i të punësuarve ka rënë me 400. Në fund të 2012 llogariten mbi 9.000 vetë që përfitojnë pagesën e papunësisë në ekonomi, pagesë e cila që prej tremujorit të fundit 2011 qëndron në vlerën 6.850 lekë në muaj.
ÇFARË PËRFAQËSON KJO TAKSË?
Pjesa e tatimit mbi të ardhurat nën një nivel të caktuar page bëhet më e lartë pas këtij rregulli fiskal, në dallim të dukshëm nga rregulli pararendës i taksimit progresiv. Me justifikimin që vendosja e taksës së sheshtë, e aplikuar në disa vende të ish-blokut lindor, do të sillte përveç të tjerave një lehtësi në procedurat e mbledhjes dhe më pak evazion fiskal, njëkohësisht me sheshimin e tatimit mbi të ardhurat personale u vendos edhe përgjysmimi i tatimit të fitimit, që paguajnë kompanitë.
Me pak fjalë, vendosja e taksës së sheshtë përgjysmoi barrën fiskale mbi bizneset, uli barrën e taksës për pjesën e shoqërisë me të ardhura më të larta, mbi 141.300 lekë në muaj në 1 korrik 2007, dhe e rriti atë për personat me të ardhura të ulëta e të mesme. Të ardhurat e mesme, afërsisht nga 300 deri në 900 mijë lekë në muaj, pësuan dëmtimin më të thellë.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 10.03.2013
Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)