Shqiptarët konsumojnë shumë në sasi, por ushqime të pashëndetshme. Ky është përfundimi i studimit të Institutit të Shëndetit Publik mbi mënyrën sesi ushqehemi. Nga 5 vaktet e domosdoshme në ditë, në Shqipëri reduktohen në 1 atë të drekës dhe rrallë edhe në vaktin e darkës.

“Frutat dhe perimet duhet të konsumohen 5 herë në ditë. Ndërkohë që studimi ka treguar se shqiptarët këto produkte i konsumojnë 5 herë në javë. Po kështu të dhënat e raportuara tregun se 50% e të intervistuarve nuk konsumonin mëngjes, apo atë mëngjesin e duhur dhe shumë të tjerë nuk konsumonin vaktin e darkës.

Ajo që është e rëndësishme dhe duhet respektuar është edhe orari i ngrënies së vaktit të darkës, pasi jemi një popull që hamë shumë vonë, por kjo është e gabuar” pohon Jeta Lakrori, specialiste e ISHP. Sipas saj, ngrënia e vakteve vonë është e dëmshme pasi metabolizmi bie dhe trupi nuk arrin të bëjë tretjen e duhur.

Ndërsa një dietë ideale nga specialistët është ajo që përmban fruta, produkte të qumështit apo drithëra. “Tre nga ushqimet që nuk duhet të mungojnë në mëngjes është qumështi apo nënprodukteve të tij, një frut apo lëng frutash si dhe drithërat. Ndërkohë që në vaktin e drekës nuk duhet të mungojnë sallatat, kryesisht ato jeshile. Po kështu të rekomandueshme janë makaronat, buka dhe orizi”, nënvizon Lakrori.

Sipas saj, dy vaktet e tjera të rëndësishme janë pasditja ose siç njihet zemra dhe darka. Ushqimi është një nga katër faktorët kryesorë që na sëmurin nga zemra,
diabeti, tensioni e deri tek kanceri i stomakut që po njeh rritje të shpejtë në dekadën e fundit në vend.

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të gazetës (11.10.2014) "Shqiptarja.com", versioni print

Redaksia Online
(xh.k/shqiptarja.com)