Studiuesi: Mbledhjet kundër
gjuhës standarde, sulm ndaj ë-së

Studiuesi: Mbledhjet kundër <br />gjuhës standarde, sulm ndaj ë-së
TIRANE - Vijimi nga numri i kaluar i intervistës së poetit, publicistit dhe studiuesit Preng Cub Lleshi (12.09.2012)na njeh me thelbin kryesor të debatit për gjuhën që ka përshirë një pjesë të madhe të gjuhëtarëve dhe akademikëve. Në themel të këtij debati është shkronja ë, parë në rrafshin gramatikor. Për Prengën historia e përfshirjes në këtë debat është shumë e gjatë, që nga dita e Kongresit të Drejtshkrimit 1972, ku ai thotë se isha një nga “heretikët” që u sula edhe vetë kundër ë-së. Por argumentimet shkencore të E. Çabejt, R. Qoses, A. Kostallarit, Sh. Demirajt, M. Domit, Xh. Lloshit, B. Bokshit, etj, në Kongres dhe realiteti gjuhësor gjatë ushtrimit të profesionit si mësues i gjuhës vërtetuan të kundërtën e asaj që mendonte në ato vite. Sot, ndërsa pjesa më e madhe në debatin për gjuhën shprehin mendimin se nuk duhet të cënohet standardi, kanë vijuar të shfaqen edhe qëndrime ekstreme për kthimin e gegërishtes si gjuhë të njësuar kombëtare. Preng Cub Leshi i quan më pak të dëmshme këto qëndrime ekstremiste që bëhen hapur, sesa ato që bëhen në mbledhjet e fshehta dhe sporadike për heqjen e ë-së së patheksuar. Këto sulme sipas tij fshehin qëllime dinake dhe alergji ndaj toskërishtes.

Zoti Preng, si pjesëmarrës dhe dëshmitar, a mund t’i kujtosh disa nga rolet gjuhëtarëve të shquar, me kontributin e të cilëve u përgatit dhe u zhvillua Kongresi i Drejtshkrimit?
-Është vështirë t‘i kujtosh të gjithë ata, por, parasëgjithash, më lejo të kujtoj ish pedagogët e mi të nderuar të atyre viteve (1961-1965): Eqrem Çabej, Androkli Kostallari, Shaban Demiraj, Mahir Domi, Xhevat Lloshi. Pas këtyre, ndonëse, ndoshta, e meritonin të përmendeshin të parët, ishin personalitetet e shquara nga Kosova, si Rexhep Qosja, Idriz Ajeti, Ali Hadri, Ajet Bytyçi, Latif Maloku, Besim Bokshi, Isa Bajçina, Ahmet Kelmendi, Fuat Ostrorubi. Nga shqiptarët e Maqedonisë ishin studiuesit Remzi Nesimi, Sefedin Sulejmani, Petro Janura dhe nga Mali i Zi Ismail Doda e me to edhe studiuesi arbëresh Josif Ferrari e të tjerë. Duhet theksuar këtu se në Kongresin e Drejtshkrimit u dëgjua i fuqishëm zëri i gjuhëtarëve nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia, si edhe zëri i përfaqësuesve të arbëreshëve të Italisë. Ndjenja e lartë e patriotizmit, që frymëzohej edhe nga urrejtja kundër dhunës serbe në ish Jugosllavi dhe ndjenja e dashurisë për atdheun “mëmë”-Shqipërinë, i bënin ata entuziastë për vendimet historike, që po merreshin në atë Kongres. Vetëm duke kujtuar ata që ishin caktuar zyrtarisht si organizatorë të Kongresit të Drejtshkrimit, personalitetet e shquara, profesorët Androkli Kostallari, Mahir Domi, Eqrem Çabej, Idriz Ajeti, Dhimitër Shuteriqi, Aleks Buda, Shaban Demiraj dhe Doktorin e Shkencave të Kosovës Rexhep Qosja, kushdo bindet se kishim të bënim me kualitetet më të shquara intelektuale të kohës, opinionet e të cilëve ishte vështirë të rrëzoheshin! Dhe nuk duhet harruar se në Kongresin e Drejtshkrimit ishin edhe personalitete të tjera të shquara, shkrimtarë, historianë, artistë dhe studiues të fushave të ndryshme të shkencave. Të tillë ishin shkrimtarët Stero Spase, Jakov Xoxe, Shefqet Musaraj, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Lasgush Poradeci, Llazar Siliqi, Dhori Qiriazi, Bedri Dedja, Ali Abdihoxha, etj.

Sipas jush, punimet e Kongresit u zhvilluan në një atmosferë demokratike? A nuk pati aty ide kundër vlerave dhe prurjeve të dialekteve të gjuhës shqipe?
-Pavarësisht se ç‘përrallisin sot disa kundërshtarë e atij kongresi historik, pjesëmarrësit diskutonin lirshëm, “debatonin”, në qoftë se mund të shprehemi kështu, shumë shoqërisht me njeri-tjetrin. Këtë e dëshmon edhe qëndrimi ndaj diskutimit tim, i cili ishte vërtetë “heretik”, siç është shprehur ndonjë gazetar. Nuk mund të shkohej nëpër mend, që në atë kongres të dëgjoje fyerje për kolegët, britma e të shara, siç dëgjohen rëndom sot në Kuvendin e Shqipërisë! Duke kaluar tek pjesa e dytë e pyetjes, as që i shkonte kujt nëpërmend të shprehej kundër vlerave të këtij apo atij dialekti të shqipes. Dialektet, siç jam shprehur edhe në shkrimin që botoi gazeta Juaj, shiheshin nga të gjithë oratorët si burime të pashtershme për gjuhën letrare kombëtare a gjuhën e njësuar. Folësit konvergonin në një ide me rëndësi të madhe: Dialektet e shqipes, për fatin tonë të mirë, nuk kishin, siç nuk kanë edhe në ditët tona, dallime të tilla që t‘i pengonin shqiptarët të merreshin vesh e të komunikonin me njëri-tjetrin. Për këtë ishin përpjekur rilindasit tanë të mëdhenj në gjithë krijimtarinë e tyre. Se nuk ishte rastësi që poeti Naim Frashëri, tek poema madhore “Bagëti e bujqësi”, ka një distik të tillë, që duhet t‘i vërë në mendime shqiptarët e kulturuar të ditëve tona: “E me ardhë tek ti, moj Shkodër,/ Të shof Drinin e Bujanën”. Dhe, ndoshta, këtij distiku i përgjigjej poeti i shquar Ndre Mjeda, kur shkruante:

“Geg` e Toskë, malci, jallia,
Janë nji komb, m‘u da s‘duron;
Fund e majë nji asht Shqipnia
E nji gjuhë t‘gjithë na bashkon”!

Dhe këtu është rasti t‘u përgjigjemi, shkurt, atyre që thonë se me ligjërimin e Gjuhës së Njësuar “gegërishtja vdiq”: “Jo, zotërinj akademikë! Asnjeri nga dialektet nuk ka vdekur!

Si i shpjegoni mbledhjet sporadike të disa gjuhëtarëve për ndryshimin e Standardit? Ku e kanë zanafillën këto?
-Duket se i ndjeri Arbër Xhaferri e vinte gishtin në plagë kur shprehej: “Debati mbi gjuhën standarde shqipe është një debat i stisur nga një grusht njerëzish, që duan të lëkundin të vetmen vlerë identitare të mbetur pas viteve nëntëdhjetë”. Për këtë kanë folur personalitete të shquara, si Rexhep Qosja, Stavri Dajo, Rami Memushaj, Emil Lafe, Emil Riza e të tjerë, që, siç e kam theksuar në shkrimin e mëparshëm, shihnin qartë një prapavijë politike të të ashtuquajturit “debat”. Për të mos u zgjatur, edhe sulmi kundër “ë” -së së patheksuar, që fsheh me dinakëri alergjinë e kontestuesve kundër toskërishtes, më duket foshnjarak, për të mos thënë një marrëzi. Se marrëzi më duket të shkruash “burr” e jo “bu rrë”, “lum” e jo “lumë”, “djal” e jo “djalë”,”pleqri” e jo “pleqëri”, “Vetqe verisje” e jo “vetëqeverisje”, “antar” dhe jo “anëtar”, “arktar” dhe jo “arkëtar” e qindra fjalë të tjera, ku “ë”-në e kërkon herë parimi morfologjik, herë parimi fonetik.
Lidhur me këto kërkesa absurde të atyre që duan ta sakatojnë standardin, ia vlen të shtrojmë pyetjen që ka formuluar gazetari Ardian Vehbiu: “I sjell kjo ndonjë përfitim kulturës shqiptare dhe shoqërisë në përgjithësi”? Dhe përgjigja është e prerë: Jo! Prandaj unë do t`u drejtohesha kontestuesve të standardit: “Mos e vrisni fjalën shqipe, zotërinj akademikë! Ajo është pasuri e brezave dhe do t`u përcillet brezave me bukurinë e saj magjepse”! Dhe, duke të falenderuar për intervistën, dua të sjell në vëmendjen e gjuhëtarëve shqiptarë të të gjitha niveleve, por edhe të mbarë opinionit publik shqiptar, mendimin e Doktorit të shkencave në universitetin “Aristotelis” në Selanik, Stavri Dajo, i cili thotë: “Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe duhet të rradhitet krahas shpalljes së Pavarësisë, Kongresit të Manastirit dhe Çlirimit të Shqipërisë”!

(Shkrimi u botua në numrin e sotëm të së përditshmes SHQIPTARJA.com)

(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Dedikim për vajzën që do të vijë në jetë, Bardhi: Emrin do ta zbuloj te kënga

Dedikim për vajzën që do të vijë në jetë, Bardhi: Emrin do ta zbuloj te kënga