STOKHOLM - Forcat e armatosura suedeze kanë intensifikuar një operacion ushtarak përgjat brigjeve të Stokholmit për të verifikuar një informacion mbi praninë e një nëndetëseje të huaj.
Që dje në mbrëmje, më shumë se 200 persona, anije që nuk i kap radari, minapastruese dhe helikopterë kanë kontrolluar një zonë të detit Baltik me një sipërfaqe prej 50 kilometrash katrorë pasi ushtria kishte marrë një informacion nga një burim që ajo e konsideron të besueshëm.
"Vendosa të rris numrin e njësive në zonë", deklaroi për gazetarët komandanti Jonas Wikstroem gjatë një konference për shtyp në Stokholm.
"Ne do të gjykojmë më pas nëse informacioni që morrëm dje ishte shumë i besueshëm apo jo", shtoi ai, por refuzoi të japë komente mbi atë që kishte gjetur ushtria pasi kishte kërkuar në det për më shumë se 24 orë përreth ishujve që krijojnë arqipelagun e Stokholmit.
Disa ekspertë suedezë njoftuan për median lokale se një nëndetëse ruse mund të ketë qenë e pranishme në këtë zonë për të zëvendësuar pajisje spiunazhi ose për të vëzhguar ushtrimet e forcave detare suedeze./ATSh/