STOKHOLM, 22 nëntor /ATSH-AFP/ - Deri në 300 suedezë mund të gjenden në radhët e organizatës Shteti Islamik (ISIS), vlerësoi sot në radion publike, SR, shefi i shërbimeve sekrete suedeze.
"Të paktën 100 raste personash që i janë bashkruar luftimeve janë konfirmuar, por ka edhe shumë raste të tjera që dyshohen, më pas janë rastet e paregjistruara, që e çojnë numrin deri në 250-300 persona", shpjegoi në radio shefi i shërbimeve sekrete suedeze, Anders Thornberg.
Sipas tij, numri i kandidatëve për xhihad që nisen për në Siri rritet shumë shpejt.
"Aktualisht një numër i konsiderueshëm të rinjshë suedezë nisen dhe stërviten në kampet ushtarake të xhihadistëve, ata mësojnë të bëhen terroristë, të përdorin eksplozivë dhe armë", vazhdoi Thornberg.
"Ata i kalojnë barrierat e sjelljes njerëzore, ata luftojnë dhe vrasin persona të tjerë", tha ai.
Kur të kthehen në Suedi, disa nga këta individë janë gati të kryejnë akte terroriste dhe janë objekt i përgjimeve intensive, theksoi Thornberg.
Suedia shpalli në fund të tetorit se synonte të ligjëronte ndalimin e shtetasve të saj në pjesëmarrjen në konfliktet e armatosura jashtë vendit.
Në shtator, koordinatori evropian i luftës kundër terrorizmit, Gilles de Kerchove, vlerësoi që rreth 3 000 evropianë luftojnë në krahë të organizatës Shteti Islamik./
/G.S/











