STOKHOLM - Ministri suedez i Drejtësisë njoftoi sot se shpreson të nxjerrë sa më shpejt ligjin për të penguar suedezët të marrin pjesë në konfliktet e armatosura jashtë vendit, kryesisht me shpresën për të frenuar kandidatët për xhihad.
"Ne duam të kriminalizojmë pjesëmarrjen në stërvitjet dhe luftimet në organizatat terroriste që janë në listën e OKB-së", shpjegoi për të përditshmen rajonale "Sydsvenskan", ministri i Drejtësisë, Morgan Johansson.
"Të krijosh një dënim mbi këtë çështje sjell një ndihmë për të afërmit, për shembull, prindërit që nuk duan në asnjë mënyrë që fëmijët e tyre të ikin në luftë. Ata do mund të thonë, është e ndaluar. Nëse ti nisesh, rezikon dënim me burg kur të kthehesh. Është një sinjal i qartë", shpjegoi ai.
Por Suedia nuk synon të tërheqë kombësinë suedeze për luftëtarët, ndryshe nga Norvegjia që ka parashtruar këtë mundësi.
Ligji, mbi të cilin do të bazohet komisioni hetimor, prek të gjitha llojet e konflikteve të armatosura.
"Ne nuk kemi vetëm suedezë që i bashkohen ISIS-it. Ne kemi edhe nazistë suedezë që luftojnë në Ukrainë. Aktualisht jemi në një situatë ku suedezët mund të bëhen pjesë e kujtdo ushtrie", theksoi ministri.
Sipas sherbimeve sekrete, 90 suedezë luftojnë për organizatën shteti Islamik. Ligji i ri pritet të jetë gati në vitin 2015./ATSH/