TIRANË, 18 Nëntor / ATSH / - Në Preshevë u zhvillua Festivali i Komedisë mbarëkombëtare ku morën pjesë 6 trupa nga trevat shqiptare. Në këtë festival u përfaqësua edhe trupa e Teatrit "Migjeni" të Shkodrës me pjesën "Rëndësia e Seriozitetit " e Oscar Wilde, e përkthyer nga Zef Zorba. Trupa e Teatrit të Shkodrës shkoi në këtë takim pas një suksesi që kjo shfaqje pati në qytetin e tyre.
"Shfaqja u prit shumë mirë dhe u quajt një rikthim i teatrit të vërtetë" u shpreh Merita Smaja, një prej aktoreve më të suksesshme të këtij teatri. "Spektatori kishte mall për të parë shfaqje ku fjala ka rëndësi e merr vlerën për atë që përcjell, e në fakt ky është teatri i vërtetë", vazhdon idenë e saj Smaja.
Suksesi i trupës shkodrane në Festivalin e Komedisë që u mbajt në Preshevë, bëri që Juria e Festivalit ta vlerësojë me tre çmime: Çmimin "Shfaqja më e mirë", "Aktorja më e mirë protagoniste " që i shkoi Ina Morinajt dhe "Aktorja më e mirë me rol dytësor" që e mori Sara Smaja.
Trupa e Teatrit të Shkodrës ka pasur një aktivitet të ngjeshur artistik gjatë këtij viti dhe ka disa projekte në vazhdim.
Regjisori i këtij teatri Fatbardh Smaja, para pak kohësh realizoi një shfaqje ku u festua 80 vjetori i artistit të merituar Paulin Preka. Një shfaqje e konceptuar edhe si një festë ku gjithkush natyrshëm, miq e kolegë të Paulinit, sollën surpriza nga jeta e tij skenike.
Tani është duke rivënë në skenë shfaqjen "Gjaku i Arbrit " me një koncept të ri regjisorial e skenik. Më 22 Nëntor, do të organizohen në Kukël "Ditët e Ndre Mjedës", ku poetë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, do të sjellin poezi të shkruara për figurën e Mjedës.
Më 29 Nëntor, ky teatër do të organizoj një koncert me poezi e muzikë në kuadrin e 70 vjetorit të çlirimit të Atdheut. /m.m/









