Katër persona mbetën të plagosur pas një sulmi me thikë pranë stacionit qendror të trenit në Amsterdam, mbrëmjen e së shtunës. Mes të lënduarve është edhe i dyshuari për sulmin, i cili u arrestua pasi u dërgua në spital, njoftoi policia holandeze.
Shërbimet e emergjencës u njoftuan rreth orës 19:30, pas raportimeve për një sulm në zonën De Ruiterkade, pranë lumit IJ, në anën veriore të stacionit Amsterdam Central.
Sipas mediave holandeze, në spital u dërguan tre persona, i dyshuari dhe dy burra të plagosur me thikë. Policia bëri të ditur se plagët e tyre nuk janë të rrezikshme për jetën, ndërsa personi i katërt i lënduar nuk pati nevojë për trajtim në spital.
Autoritetet thanë se identiteti i personave të përfshirë dhe motivi i saktë i sulmit nuk janë bërë ende të ditura. Sipas informacioneve të para, dyshohet se sulmi me thikë u parapri nga një debat dhe një përleshje.
Portali holandez NU.nl raportoi gjithashtu se në rrjetet sociale po qarkullon një video e transmetuar drejtpërdrejt në TikTok, e cila mund të lidhet me ngjarjen. Sipas medias, ekziston mundësia që videoja të jetë regjistruar nga vetë i dyshuari, por policia nuk e ka konfirmuar këtë informacion.










Komente
Komento