357 persona të dyshuar si pjesëtarë të Shtetit Islamik (ISIS)  janë ndaluar sot në Turqi, në vazhdën e një operacioni policor të shtrirë në 21 rajone të vendit.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya.

Operacionet nisën një ditë pas një përplasjeje të armatosur në veriperëndim të vendit, ku u vranë tre efektivë policie dhe gjashtë militantë të dyshuar të ISIS-it. Gjatë ndërhyrjes në një banesë të përdorur si strehë, u plagosën gjithashtu tetë policë dhe një roje sigurie.

Sipas ministrit Yerlikaya, bastisjet u kryen njëkohësisht në qytete të mëdha si Istanbul, Ankara dhe Yalova. Prokuroria e Stambollit bëri të ditur se disa nga të ndaluarit janë të lidhur drejtpërdrejt me militantët që hapën zjarr ndaj policisë, ndërsa të tjerë dyshohet se po planifikonin sulme gjatë festimeve të Vitit të Ri.

Hetimet tregojnë se një pjesë e të arrestuarve dyshohet se mbledhnin para nën petkun e bamirësisë, duke i kanalizuar më pas drejt rrjeteve të lidhura me ISIS-in në Siri.

Mes të ndaluarve ka edhe shtetas të huaj, të lidhur me luftëtarë të organizatës në zonat e konfliktit.

ISIS ka kryer më parë sulme të rënda terroriste në Turqi, përfshirë atentatin vetëvrasës në Ankara në vitin 2015 me mbi 100 viktima dhe sulmin në klubin e natës “Reina” në Stamboll më 1 janar 2017, ku u vranë 39 persona.

Edhe pse organizata ka humbur territoret që kontrollonte në Siri dhe Irak, qelizat e saj vazhdojnë të jenë aktive në rajon dhe më gjerë.