Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka komentuar sulmet e kryedemokratit Sali Berisha dhe të sekretarit të përgjithshëm të PD-së, Flamur Noka në drejtim të tij, duke thënë se ato vijnë nga frika e humbjes së privilegjeve të pushtetit të opozitës.
Komentet Salianji i bëri gjatë një takimi me demokratët në Lezhë, ku tha se ka qenë gjatë gjithë kohës në opozitë me qeverisjen e kryeministrit Edi Rama, dhe se ai dhe familja e tij nuk kanë përfituar asgjë nga pushteti i socialistëve.
Më tej Salianji duke ‘thumbuar’ Berishën, tha se vetë ka lindur në PD dhe nuk ka qenë kurrë pjesë e Partisë së Punës.
“Lidershipi i PD-së nuk po zgjohet ende pavarësisht takimeve masive që ne po bëjmë në çdo qark. Këtë duhet ta themi. I keni dëgjuar se guximi për të thënë marrëzira i ka çuar deri aty sa ça nuk thonë për demokratët e jashtëzakonshëm që mbushin sallat në çdo cep të Shqipërisë dhe që kërkojnë që PD të jetë fituese. Çfarë nuk po thonë edhe për mua. Nuk ka gjë, mos u mërzisni. Njerëzit e trembur nga humbja e privilegjeve të pushtetit të opozitës, çfarë nuk do thonë. Sepse flet frika dhe jo arsyeja e tyre.
Por një gjë do u’a them. Unë jam lindur në PD, nuk kam qenë ndonjëherë në Partinë e Punës, as kam ikur ndonjëherë nga PD, kam qenë në opozitë gjithë kohës prej PD-së me qeverinë. Familja ime dhe unë personalisht kemi marrë vetëm kosto nga opozita. As tendera, as leje, asnjë të punësuar në shtet.
Nuk kam unë asnjë familjar të punësuar në shtet, as nipa, as mbesa të punësuar në administratën e PS-së dhe asnjëri që fuqizohet ekonomikisht prej lidershipit të PD-së. Edhe këtu e kam një pyetje të sinqertë, për lidershipin që tha ‘opozita është e vështirë’. Opozita është e vështirë dhe e di secili prej 3 milionë shqiptarëve, por pyetja ime është e thjeshtë: ‘A e ndiejnë opozitarizmin të nderuar miq dhe demokratë, njerëz që kanë 35 vite që paguhen me rrogë për shkak të sakrificave të demokratëve, që paguhen për shkak të përballjeve të demokratëve me rrëgjimin?’”, tha mes të tjerash Salianji.
Lajmi kryesor:
Salianji mbush sallën në Lezhë dhe i çon mesazh Berishës: Harroje se krijoj parti tjetër, PD është shtëpia ime dhe do e bëj fituese












