Pamjet e disa turistëve të huaj që tërhiqnin valixhet rrugëve të Tiranës duke u larguar nga vendi mes kaosit, koshave të mbeturinave të djegura, institucioneve të sulmuara, bizneseve të djegura e barrierave të shkulura metalike buzë trotuarit, mund të mos jenë pasoja e vetme e këtyre ditëve.

Kontaktuar nga Shqiptarja.com, përfaqësues të agjencive të ndryshme turistike në Tiranë, thonë se nëse situate vazhdon e tillë, me sulme të tilla të dhunshme që ngjallin frikë të turistët, do të ndodhin anulime masive të rezervimeve që nga kjo fundjavë.

“Situata është e krahasueshme me fillimin e pandemisë. Presim anulime nga momenti në moment ”, thotë një operator turistik për Shqiptarja.com

Me bizneset që kanë ulur qepenat në Tiranë pas sulmeve të dhunshme të grupeve të maskuara por edhe plaçkitjes në disa subjekte duke vjedhur celularë apo ushqime, edhe agjencitë turistike janë mbyllur.

Pasojat, mund të bien edhe mbi punonjësit.

“Nëse vazhdon kështu, siç po e shikojmë ne, do të çojë drejt ngrirjes totale të aktivitetit, që do na detyrojë të heqim nga puna punonjësit që kemi. Është e pa shmangshme nëse nuk ndryshon situata, shpejt ”, thotë një tjetër përfaqësues i një agjencie turistike në Tiranë.

“Nuk është kohë për turizëm këto ditë mendoj, duhet të shtrëngojmë dhëmbët dhe të marrë zgjidhje politike kjo krizë, nëse nuk duam ta vuajmë më gjatë”, thotë një tjetër.

Një tjetër agjenci pohon se prej ditësh të djeshme kanë pasur anulime të shumta ndërsa zyrat i kanë mbyllur dhe po punojnë sa munden nga shtëpitë.