Izraeli nisi sulme të reja intensive në Teheran ndërsa ky i fundit zgjeroi hartën e kundërpërgjigjes së tij. Presidenti amerikan Donald Trump në një intervistë për CNN thotë se "po e masakrojmë Iranin" duke paralajmëruar se goditja më e egër nuk ka ndodhur ende. "Ajo do të vijë së shpejti’, tha Donald Trump duke njoftuar se 49 udhëheqës janë eliminuar. Ndërkohë, Irani ka mbyllur Ngushticën e Hormuzit dhe ushtria njofton se do t’i vërë flakën çdo anijeje që përpiqet të kalojë. Ngushtica është korridori më jetik në botë për eksportin e naftës.

***

Dronët iranianë mbërritën deri në Qipro. Shënjestër e tyre ishte baza ajrore britanike në Akrotiri. Lajmi u raportua fillimisht nga Cyprus Mail. Stafi në bazë u informua se një dron i vogël ra në bazë dhe se ka pasur një përgjigje nga personeli. Nuk ka viktima, por janë raportuar “dëmtime të lehta” pasi droni Shahed u rrëzua. Aeroporti ndërkombëtar i Pafos në ishull, pas sulmit, u evakuua.

Pas sulmeve të natës, Izraeli ndërmori sërish sulme në Teheran rreth mesditës së kësaj të hëne. Në të njëjtën kohë, ushtria izraelite ndërmori sulme edhe në Liban, ku sulmet në Beirut ndaj Hezbollahut lanë të paktën 31 të vrarë.

Tre avionë amerikanë ndërkohë u rrëzuan në Kuvajt. Pentagoni konfirmoi më vonë se të tre ishin qëlluar gabimisht nga ushtria kuvajtiane. Garda Revolucionare iraniane pretendoi më vonë se, në sulmet e drejtuara ndaj Izraelit, kishte goditur rezidencën qeveritare të Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, gjë që për momentin nuk konfirmohet.

Irani ndërkohë u distancua nga negociatat e mundshme për të çtensionuar situatën. Shefi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Ali Larijani, shkroi në rrjetet sociale se Irani nuk do të negociojë me SHBA-në, ndërsa më pas tha se vendi i tij ishte i përgatitur për një luftë të gjatë.

Në një konferencë për shtyp nga Shtëpia e Bardhë, Donald Trump tha se “Irani nuk do të ketë kurrë një armë bërthamore”. Ai e cilësoi regjimin “një rrezik” për SHBA-të.

“Regjimi iranian i armatosur me raketa të rrezikshme, përbënte rrezik jo vetëm për Lindjen e Mesme por edhe popullin amerikan, vendi ynë ishte në kërcënim. Ka qenë një regjim i dhunshëm”, tha Trump.

Sa për mbarëvajtjen e sulmeve, s’e fshehu krenarinë duke thënë se “po e masakrojmë”, si dhe një paralajmërim për një “goditje të madhe”. “Ende nuk kemi filluar t’i godasim fort, vala e madhe ende nuk ka ardhur”, tha ai.

Lidhur me detajet mbi operacionin që eliminoi Khamenein dhe 48 liderë të tjerë, ai tha se ndodhi gjatë kohës që ata po takoheshin për të ngrënë mëngjes. Edhe për vetë amerikanët ishte diçka e papritur.

Në një intervistë për Neë York Post, presidenti u shpreh se vendimin për të goditur Iranin e mori pas bisedimeve të zhvilluara të enjten në Gjenevë. Ai nuk përjashtoi mundësinë e të dërguarit trupa në terren “nëse është e nevojshme”.

Të dielën, presidenti amerikan Trump tha se operacionet mund të zgjasin deri në 4 javë. Irani ka sulmuar tashmë me dronë dhe raketa 9 shtete, përfshirë një të BE-së.

Bilanci i parë i vdekjeve në Iran nga sulmet e SHBA-së dhe Izraelit u bë publik nga Gjysmëhëna e Kuqe në Iran, e cila tha se në territorin e republikës ishin vrarë 555 persona që prej së shtunës, ndërsa sulme ishin zhvilluar në 131 distrikte.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:01
‘Kërcënim sigurie‘, evakuohet ambasada amerikane në Jordani

Ambasada e SHBA-ve në Jordani ka lëshuar një deklaratë ku thuhet se i gjithë personeli është “larguar përkohësisht” për shkak të një kërcënimi sigurie.

Mesazhi, i publikuar në faqen zyrtare të ambasadës, nuk përmban detaje të tjera. Por dje, ambasada publikoi një njoftim të ngjashëm, duke udhëzuar personelin të strehohej brenda kompleksit, pasi “mund të jetë objektiv sulmi”.

Ora 22:18
Irani realizon kërcënimin, mbyll Ngushticën e Hormuzit: Do t’i vëmë flakën çdo anijeje që tenton të kalojë!

Irani ka mbyllur Ngushticën e Hormuzit, njoftojnë forcat e Gardës Revolucionare të vendit. Ato shtuan se ushtria do t’i vërë flakën çdo anijeje që përpiqet të kalojë.

Ngushtica është korridori më jetik në botë për eksportin e naftës dhe kontrollohet nga Irani.

Rreth një e pesta e naftës globale kalon përmes kësaj rruge ujore që lidh prodhuesit më të mëdhenj të naftës në Gjirin Persik me Gjirin e Omanit dhe Detin Arab.

Ora 18:18
Pas protestave ku vdiqën 10 persona, SHBA-të mbyllin konsullatën në Pakistan

Konsullata e Përgjithshme e SHBA-ve në Peshawar, në veri të Pakistanit, ka “ndalur përkohësisht operacionet”.

Kjo ndodh pasi të paktën 10 persona humbën jetën dhe 50 të tjerë u lënduan gjatë protestave para konsullatës së SHBA-së në Karachi ditën e diel. Po ashtu, pati protesta edhe në konsullatat e përgjithshme të SHBA-ve në Lahore dhe Karachi.

Ora 18:13
Trump nderon 4 ushtarët e vrarë amerikanë: Vazhdojmë misionin në kujtim të tyre, jemi në avantazh kundrejt parashikimeve

Trump thotë se sot vendi vajton për katër ushtarët amerikanë që u vranë gjatë operacionit ushtarak në Iran.

“Në kujtim të tyre ne vazhdojmë këtë mision me vendosmëri të egër dhe të palëkundur për të shkatërruar kërcënimin që ky regjim terrorist i imponon popullit amerikan,” thotë presidenti.

Trump thotë se SHBA-të tashmë janë “në avantazh të konsiderueshëm” ndaj parashikimeve. Ai thotë se fillimisht kishin parashikuar katër-pesë javë, por shton se kanë “aftësinë të vazhdojnë shumë më gjatë”.

Më pas ai falenderon ushtarët amerikanë, duke nxitur duartrokitje.

Ora 18:06
‘Ne e kemi eliminuar flotën e Iranit’, Trump: Raketat dhe armët bërthamore përbëjnë kërcënim të patolerueshëm

 

Donald Trump deklaroi nga Shtëpia e Bardhë se pas sulmeve të qershorit kishte paralajmëruar Iranin të mos riniste programin bërthamor.

“E kisha paralajmëruar Iranin të mos e rifillonte programin bërthamor”, tha ai gjatë një ceremonie zyrtare, duke shtuar se Teherani, me raketa me rreze të gjatë dhe armë bërthamore, do të përbënte një “kërcënim të papranueshëm”.

Trump u shpreh gjithashtu se Shtetet e Bashkuara kanë “eliminuar flotën e Iranit”, duke pretenduar se “anijet e tyre janë në fund të detit”.

Ora 17:56
Lufta/ Trump flet nga Shtëpia e Bardhë: Operacioni kundër regjimit terrorist vazhdon,  Irani nuk do të ketë kurrë një armë bërthamore

 

Presidenti amerikan Donald Trump po flet nga Shtëpia e Bardhë për luftën në Iran.

"Irani me veprimet që kishte ndërmarrë përbënte kërcënim të fortë për njerëzit tanë dhe forcat tona, informacionet tona na thonin se Irani kishte raketa që të mund të na arrinin. Ata kishin ndërmarrë hapa të mëtejshëm për zhvillimin e programit bërthamor që do e bënte të vështirë të merreshin masa. Regjimi iranian i armatosur me raketa të rrezikshme, përbente rrezik jo vetëm për Lindjen e Mesme por edhe popullin amerikan, vendi ynë ishte në kërcënim. Ka qenë një regjim i dhunshëm.

Ata ishin gati të kërcënonin Amerikën tonë të bukur me raketa bërthamore. Marrëveshja e Obamës ishte e tmerrshme, krenar që e lamë atë. Irani nuk do të ketë kurrë një armë bërthamore.

E kam menduar që në mandatin e parë, kjo ishte mundësia jonë e vetme për të rrëzuar regjimin. Së pari po rrëzojmë kapacitetet raketore të Iranit, po sulmojmë marinën e tyre, kemi shkatërruar 10 anije të flotës iraniane, në vijim të mesazhit që ata nuk mund të kenë kurrë një armë bërthamore", tha Trump.

Ora 17:37
Qeveria iraniane apel qytetarëve: Në shesh për Republikën Islamike dhe Khamenein

Qeveria e Iranit ka ftuar qytetarët të mblidhet këtë mbrëmje në disa lagje të Teheranit në mbështetje të Republikës Islamike dhe për t’i bërë homazhe ish-Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei, i cili u vra të shtunën nga sulmet ajrore amerikane.

Ky apel, i transmetuar nga televizioni shtetëror, vjen në ditën e tretë të bombardimeve mbi Iranin nga SHBA-të dhe Izraelite, të cilat kanë deklaruar synimin e tyre për të intensifikuar sulmet kundër “elementeve kyçe të regjimit iranian”.

Ora 17:28
Trump: Sulmet iraniane ndaj vendeve të Gjirit ishin surpriza më e madhe

Donald Trump i ka cilësuar sulmet iraniane kundër vendeve të Gjirit si “surpriza më e madhe” e ditëve të para të operacionit ushtarak.

“Ishte një surprizë për ne, deklaroi Trump për CNN, Ne u thamë atyre: ‘Ne do të merremi me këtë’, dhe tani ata duan të luftojnë. Dhe po luftojnë në mënyrë agresive. Duhej të ishin të përfshirë në një masë minimale dhe tani këmbëngulin të përfshihen”.

Duke folur për liderët arabë, Trump shtoi: “I njoh këta njerëz. Janë të fortë dhe inteligjentë – ata qëlluan në një hotel, qëlluan në një pallat banimi. Kjo vetëm sa i zemëroi. Na duan, por po vëzhgonin. Nuk kishte asnjë arsye që ata të përfshiheshin”.

“Duhet të kuptohet se kanë jetuar për vite me radhë nën atë re të errët. Kjo është arsyeja pse nuk ka mundur të ketë kurrë paqe”, përfundoi Trump.

Ora 17:22
Kontrasti me Trump, kryeministri britanik: Kjo qeveri nuk beson në ndryshimin e regjimit nga qielli

Një deklaratë e fortë nga kryeministri britanik Starmer, e cila duket se kundërshton qëndrimin e presidentit amerikan Donald Trump.

 “Kjo qeveri nuk beson në ndryshimin e regjimit nga qielli”, tha Starmer.

Ora 17:21
Lufta/ Trump: Vendosa të sulmoj pas bisedimeve në Gjenevë! Nuk jam i shqetësuar për një hakmarrje iraniane në SHBA

Donald Trump ka deklaruar se vendimin për të goditur Iranin e mori pas bisedimeve të zhvilluara të enjten në Gjenevë.

“Patëm negociata shumë serioze, dhe më pas ata u tërhoqën”, tha presidenti amerikan në një intervistë për New York Post.

Pas sulmeve të qershorit, shtoi Trump, “zbuluam se ata po punonin në një zonë krejtësisht tjetër, në një vend krejtësisht tjetër, për të ndërtuar një armë bërthamore. Kështu që thjesht kishte ardhur momenti”.

Trump theksoi se nuk është i shqetësuar për mundësinë që Irani të hakmerret përmes atentateve terroriste në Shtetet e Bashkuara.

“Do të merremi me këtë. Si me çdo gjë tjetër, do ta zgjidhim”, u shpreh presidenti amerikan.

Ora 17:14
Ministria e Mbrojtjes së Katarit: Rrëzuam dy avionë rusë, ishin në pronësi të Iranit

Ministria e Mbrojtjes së Katarit raporton se janë rrëzuar dy avionë rusë SU-24 që i përkisnin Iranit, bashkë me shtatë raketa balistike dhe pesë dronë.

Ministria thotë se kërcënimi “u adresua menjëherë”, pasi “të gjitha raketat u rrëzuan para se të arrinin objektivat e tyre”.

Ajo gjithashtu “u bën thirrje qytetarëve, banorëve dhe vizitorëve të qëndrojnë të qetë”.

 

Ora 17:10
Trump nuk e përjashton dërgimin e ushtarëve amerikanë në Iran: Ata do të jenë atje nëse është e nevojshme

1772003739_donaldtrump.jpg

Donald Trump ka deklaruar se nuk përjashton dërgimin e trupave amerikane në Iran “nëse është e nevojshme”, duke shtuar se operacioni “Epic Fury” është zhvilluar “shumë përpara afateve të parashikuara”.

“Nuk them si çdo president: ‘Nuk do të ketë trupa në terren’. Unë them ‘ndoshta nuk kemi nevojë për to’ ose ‘do të ketë nëse janë të nevojshme’”, është shprehur presidenti Trump në një intervistë për New York Post.

Ora 16:58
Trump: Kemi vrarë 49 liderë iranianë, Khamenei po i takonte për të ngrënë mëngjes! E dinim saktësisht çfarë dhe ku po ndodhte

Presidenti amerikan Donald Trump është “shumë i kënaqur” me mënyrën se si po ecën operacioni ushtarak në Iran, duke shtuar se “ka një plan, e ka pasur dhe e ka pasur gjithmonë”, sipas Fox News.

Duke iu rikthyer “suksesit të jashtëzakonshëm” të serisë së sulmeve që, sipas vlerësimeve amerikane, çuan në eliminimin e 49 liderëve iranianë, Trump tha se Ali Khamenei po takohej me rrethin e tij të ngushtë për të ngrënë bashkë në mëngjesin e sulmit, duke menduar se ishin të sigurt sepse ishte ditë.

“Ishin 49 drejtues që u eliminuan. Ne mendonim se do të duheshin katër javë për të hequr qafe udhëheqjen iraniane. Dhe gjithmonë, e dini, nëse fshihen, zgjat shumë më tepër se katër javë. Dhe ata do të ishin fshehur,” tha Trump. “U tronditëm kur dëgjuam çfarë po ndodhte. E dinim saktësisht çfarë po ndodhte dhe ku.”

Ora 16:55
Kryeministri Starmer i palëkundur nga kritikat e Trump: Mbretëria e Bashkuar nuk do t’u bashkohet sulmeve amerikano-izraelite

Kryeministri britanik Keir Starmer po flet në parlament lidhur me luftën në Iran pas sulmeve të nisura nga SHBA-të e Izraeli, ndërkohë që pritet konferenca e Trump.

Ai thotë se Britania nuk ishte e përfshirë në sulme dhe ky ishte një vendim “i qëllimshëm”. Kryeministri shton se rruga më e mire janë negociatat ku Irani të bjerë dakord të heqë dorë nga “çdo aspiratë” për të zhvilluar një armë bërthamore dhe t’u japë fund “veprimtarive destabilizuese”.

Më pas, Starmer tha se SHBA-të kanë kërkuar leje për të përdorur bazat britanike, në mënyrë që të ndalojnë raketat iraniane që në burim, diçka që ai e ka pranuar me qëllim për të mos u vrarë qytetarët. Por, ai theksoi se Mbretëria e Bashkuar nuk do t’u bashkohet sulmeve amerikano-izraelite, pavarësisht kritikave të Trumpit.

Veprimet e tij për të lejuar aktivitetin amerikan në bazat e tyre po i ndjekin edhe Franca e Gjermania.

Ora 16:46
Trump për iranianët: Duam t’i ndihmojmë, por për momentin duhet të qëndrojnë në shtëpi

1771929211_donaldtrump.jpg

Në një deklaratë për CNN, presidenti amerikan Donald Trump thotë se populli i Iranit duhet të qëndrojë në shtëpi për momentin për çështje sigurie.

“Ne duam ta ndihmojmë popullin iranian, por për momentin duam që të gjithë të qëndrojnë në shtëpi. Nuk është e sigurt jashtë”, tha Trump.

Ora 16:26
Trump për CNN: Po e masakrojmë Iranin! Së shpejti nis vala e madhe e sulmeve

1772466074_donaldi.jpg

Presidenti amerikan Donald Trump ka komentuar në ditën e tretë, sulmet që po zhvillohen ndaj Iranit nga ushtria amerikane dhe ajo izraelite. Në një intervistë për CNN, Trump flet me entuziasëm për vijimin e operacionit deri tani. “Po i masakrojmë. Mendoj se po shkon shumë mirë”, tha Donald Trump në një intervistë me CNN për çështjen e Iranit. “Ende nuk kemi filluar t’i godasim fort, vala e madhe ende nuk ka ndodhur. Do të vijë së shpejti,” shtoi presidenti amerikan.

Ora 16:23
Gjenerali iranian: Do e sulmojmë Qipron derisa amerikanët të largohen

1772465045_sardarjabari.JPG

Forcat e armatosura iraniane do të lëshojnë raketa drejt Qipros derisa shtetasit amerikanë të largohen nga ishulli. Kështu ka deklaruar gjenerali iranian Sardar Jabari, anëtar i Gardës Revolucionare të Iranit (Pasdaran). Ai shpjegoi se sulmet kundër Qipros do të bëhen më intensive: Amerikanët kanë transferuar pjesën më të madhe të avionëve të tyre në Qipro. Do të lëshojmë raketa drejt Qipros me një intensitet të tillë që amerikanët do të detyrohen të braktisin ishullin», ka deklaruar ai, sipas raportimeve të mediave shtetërore.

Ora 15:24
Trump: Një vit më parë, do ta kisha pranuar ofertën e Iranit! Menduam se do na duheshin javë, por e vramë brenda dite Khamenein

1772003739_donaldtrump.jpg

"Një vit më parë, do ta kisha pranuar ofertën e Iranit, por suksesi ynë në Venezuelë na ka bërë ‘më të llastuar’", raporton gazetari i ABC Neës Jonathan Karl të ketë thënë presidenti i SHBA-së Donald Trump pas një bisede me të. Trump tha se "suksesi" në Venezuelë e ka bërë atë "më pak të hapur për të pranuar lëshime" nga Irani.

Për The Telegraph, Trump tha se nga parashikimet, do duheshin 2 ore 3 javë për të eliminuar liderin suprem të Iranit, por ky plan u realizua brenda një dite.

 "Ne gjithmonë kishim parashikuar katër javë. Kishim parashikuar gjithashtu se do të duheshin dy ose tre javë për të eliminuar një pjesë të udhëheqjes, por arritëm t'i eliminonim të gjithë vetëm në një ditë. Pra, ishim shumë më të shpejtë se sa pritej", Trump shtoi se iranianët "vërtet duan të arrijnë një marrëveshje. Unë thashë se duhet ta kishin bërë një javë më parë".

Ora 15:20
Shefi i Sigurisë së Iranit: Ndryshe nga SHBA-të, ne jemi gati për një luftë të gjatë

Ali Larijani, sekretari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, ka shkruar në X se "Irani, ndryshe nga Shtetet e Bashkuara, është përgatitur për një luftë të gjatë". Më herët, ai kishte theksuar vullnetin e Republikës Islamike për “të mbrojtur veten dhe 6 mijë vjet qytetërim, pavarësisht çmimit”. “Do t’i bëjmë armiqtë të pendohen për nënvlerësimin", shkroi ai.

Ora 14:50
Pas vrasjes së Khamenei-t, ndërron jetë edhe bashkëshortja! Mbeti e plagosur gjatë sulmit amerikano-izraelit

1772459526_mansourehkhojasteh.jpg

Foto: Mansoureh Khojasteh

Mansoureh Khojasteh, gruaja e udhëheqësit iranian Ali Khamenei, i vrarë të shtunën gjatë sulmeve amerikane dhe izraelite, ka vdekur pas tre ditësh në koma.

Sipas Iran International, 78-vjeçarja Khojasteh mbeti e plagosur, ndërsa Khamenei vdiq menjëherë.

Ora 14:04
Izraeli: Shefi i inteligjencës së Hezbollahut u vra në Bejrut

Hussein Makled, kreu i selisë së inteligjencës së Hezbollah, është vrarë nga një sulm izraelit gjatë natës në Bejrut, në lagjen Dahieh, bastion i organizatës në jug të qytetit.

Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) në një njoftim zyrtar.

Ora 14:01
Lufta/ Në 48 orë Izraeli dhe SHBA kanë hedhur 3.800 bomba mbi Iranin

1772434575_iran.jpg

Një zyrtar nga mbrojtja izraelite ka deklaruar se sasia e municioneve të hedhura nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara në 48 orët e fundit është më e madhe se ajo e hedhur gjatë gjithë operacionit të qershorit të kaluar.

Sipas burimit, i cili foli për Ynet, Izraeli ka hedhur më shumë se 2.300 municione në dy ditë. Shtetet e Bashkuara kanë hedhur 1.500 të tjera.

Ora 12:58
Garda Revolucionare e Iranit: Kemi sulmuar kompleksin qeveritar të Netanyahut në Tel Aviv! Izraeli ende nuk e konfirmon

1772383220_Netanyahu.jpg

Garda Revolucionare Islamike e Iranit pretendon se ka sulmuar me raketa Kheibar kompleksin qeveritar të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në Tel Aviv.

“Zyra e kryeministrit kriminel të regjimit sionist dhe selia e komandantit të forcave ajrore të regjimit u shënjestruan”, thuhet në një deklaratë të Gardës të publikuar nga agjencia e lajmeve Tasnim.

Izraeli ende nuk e ka konfirmuar sulmin.

Ora 12:44
Katar/ Dronët e Teheranit sulmojnë dy impiante energjie

1772452186_kataridronet.JPG

Dy dronë iranianë u lëshuan kundër një termocentrali dhe një impianti tjetër energjie në Katar, sipas Ministrisë së Mbrojtjes në Doha, duke shënuar ditën e tretë të sulmeve hakmarrëse iraniane kundër vendeve në rajon. Një dron shënjestroi një rezervuar uji që i përkiste një termocentrali në Mesaieed, në jug të Dohas, dhe një tjetër një termocentral në Ras Laffan, në bregdetin verior, vendi kryesor i Katarit për prodhimin e gazit natyror të lëngshëm, tha Ministria. Nuk u raportuan viktima, shtoi ajo.

Ora 12:42
Gjatë sulmeve nga Irani, 3 avionë amerikanë u rrëzuan gabimisht nga Mbrojtja Ajrore e Kuvajtit

1772451806_shutterstockeditorial16719768a.avif

Tre avionë luftarakë amerikanë F-15E Strike Eagle u rrëzuan pasi mbrojtja ajrore e Kuvajtit i qëlloi gabimisht.

“Gjatë luftimeve aktive — që përfshinin sulme nga avionë iranianë, raketa balistike dhe dronë — avionët luftarakë të Forcave Ajrore të SHBA-së u goditën gabimisht nga mbrojtja ajrore e Kuvajtit”, thuhet në deklaratën e Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM).

Të gjashtë anëtarët e ekuipazhit arritën të katapultoheshin me sukses, u shpëtuan në mënyrë të sigurt dhe ndodhen në gjendje të qëndrueshme shëndetësore. Kuvajti e ka pranuar incidentin dhe autoritetet amerikane falënderuan forcatkuvajtiane për reagimin dhe mbështetjen gjatë operacionit.

Shkaku i saktë i ngjarjes po hetohet. Avionët po merrnin pjesë në operacionin ushtarak kundër Iranit, të quajtur “Operation Epic Fury”.

Ministri i Mbrojtjes i Kuvajtit deklaroi në orët e para të së hënës se “disa” avionë luftarakë amerikanë ishin rrëzuar.

Ora 12:27
IDF: Sulm i ri në shkallë të gjerë në zemër të Teheranit

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) konfirmuan se kanë nisur "një sulm të mëtejshëm në shkallë të gjerë" që synon "zemrën e Teheranit".

Përditësimi vjen pasi mediat iraniane raportuan shpërthime të dëgjuara në kryeqytet.

"Forcat Ajrore Izraelite, nën drejtimin e inteligjencës izraelite, kanë nisur një sulm të mëtejshëm në shkallë të gjerë kundër objektivave të regjimit terrorist iranian në zemër të Teheranit", tha ushtria në një deklaratë në ditën e tretë të operacionit të përbashkët SHBA-Izrael kundër Iranit.

Kjo është vala e gjashtë e sulmeve që nga fillimi i Operacionit "Gjëmimi i Luanit".

Ora 12:09
Vrasja e Ali Khameneit, Trump: E vrava para se të më eliminonte mua

1772315254_xfyhii.JPG

Foto: Ali Khameni dhe Donald Trump

Donald Trump ka komentuar vrasjen e Liderit Suprem të Iranit, Ali Khamenei duke theksuar se “Unë e godita atë përpara se ai të më sulmonte mua. Ata u përpoqën dy herë. Por unë e godita atë i pari.”

Presidenti i SHBA dukej se i referohej një numri përpjekjesh që raportet tregonin se ishin kryer nga inteligjenca iraniane për ta shënjestruar atë, e fundit prej të cilave ndodhi gjatë fushatës së tij zgjedhore të vitit 2024.

Kur u pyet se kë shihte si kandidat për të udhëhequr Iranin pas vdekjes së Khameneit, ai deklaroi se të gjithë ata që kishte marrë në konsideratë tashmë janë vrarë, duke shtuar se sulmi ishte mjaftueshëm i suksesshëm për të eliminuar shumicën e kandidatëve.

“Asnjë nga njerëzit për të cilët po mendonim nuk do të jetë atje sepse të gjithë vdiqën. Kandidati i vendit të dytë ose të tretë është gjithashtu i vdekur”, tha ai.

Më parë, Trump deklaroi se operacionet ushtarake kundër Iranit “do të vazhdojnë derisa të arrihen të gjitha objektivat”.

“Ne goditëm qindra objektiva, duke përfshirë objekte që i përkisnin Gardës Revolucionare, sisteme të mbrojtjes ajrore, 9 anije, përveç një baze detare. I bëj thirrje Gardës Revolucionare, ushtrisë iraniane dhe policisë që të ulin armët për të fituar imunitet ose të përballen me vdekje të sigurt”, shtoi lideri amerikan.

Ora 11:31
Sulmohet nga Irani anija çisternë nafte, tentoi kalimin në ngushticën e Hormuzit! Evakuohet ekuipazhi, 4 të plagosur (VIDEO)

Një anije cisternë nafte është sulmuar ditën e djeshme pranë brigjeve të Omanit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, teksa po tentonte të kalonte në ngushticën e Hormuzit. Kjo pikë strategjike e kalimit detar e ndodhur në jug të Iranit mes Gjirit Persik dhe Gjirit të Omanit, është mbyllur dy ditë më parë menjëherë pas sulmeve të koordinuara të SHBA-së dhe Izraelit kundrejt Iranit.

Nga anija është evakuuar ekuipazhi i përbërë nga 20 persona, 15 indianë dhe 5 iranianë. 4 prej tyre mbetën të plagosur.

"Anija cisternë (Skylight), që mbante flamurin e Republikës së Palaut, u shënjestrua 5 milje detare në veri të portit të Khasabit", raportoi agjencia omaniane e lajmeve ONA.

Ora 09:58
Nga B-2, Tomahawk, Patriot te THAAD, lista e armëve të përdorura nga Uashingtoni në sulmet ndaj Iranit

SHBA-të kanë përdorur një pjesë të arsenalit të tyre më të avancuar ushtarak në sulmet ndaj Iranit, duke mobilizuar forcën më të madhe në Lindjen e Mesme në dekada.

Pas paralajmërimit të presidentit amerikan Donald Trump se SHBA-të ishin “të përgatitura dhe të ngarkuara”, Uashingtoni ndërmori sulme të drejtpërdrejta në bashkërendim me Izraelin. Sipas njoftimeve, operacioni çoi në vrasjen e udhëheqësit suprem të Iranit.

Komanda Qendrore e SHBA-së, (CENTCOM), publikoi listën e armëve të përdorura deri tani në përballjen me Iranin.

Arsenali i armëve të përdorura:
Bombarduesit e fshehtë B-2 Spirit, avionë strategjikë të padukshëm për radarët, të aftë për të goditur objektiva thellë në territor armik.
Raketa sulmi tokësor Tomahawk, të lëshuara nga anijet luftarake amerikane. Një prej tyre u qëllua nga shkatërruesi USS Thomas Hudner.
Dronë me një drejtim LUCAS, mjete ajrore pa pilot të përdorura për goditje precize.
Sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot dhe THAAD, të dislokuara për të neutralizuar çdo kundërpërgjigje me raketa nga Irani.
Anije luftarake të klasit Arleigh Burke, të pajisura me sisteme të avancuara raketore.

Para nisjes së sulmeve, SHBA përqendroi në Lindjen e Mesme bombardues strategjikë, anije me raketa të telekomanduara dhe sisteme të mbrojtjes ajrore, në atë që konsiderohet si një nga dislokimet më të fuqishme ushtarake amerikane në rajon në dekadat e fundit.

Operacioni shënon një përshkallëzim të fortë të përplasjes SHBA-Iran, me përdorimin e teknologjisë më të avancuar ushtarake në dispozicion të Pentagonit.

Ora 09:46
Sulmet amerikano-izraelite, 555 të vrarë në Iran

1772442085_8.jpg

Që nga fillimi i sulmeve ajrore kundër Iranit nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, 555 persona janë vrarë në mbarë Iranin, sipas shoqatës humanitare GjysmëHëna e Kuqe iraniane. 131 qendra urbane janë goditur deri më sot, dhe fatkeqësisht pala iraniane raporton se 555 bashkatdhetarë kanë humbur jetën në këto sulme. Shpërthimet kanë ndodhur në shumë rajone të vendit në kuadër të konfliktit më të gjerë që ka përfshirë edhe goditje ajrore dhe raketore.

Ora 09:22
Sulm me dron ‘Shahed 136’ ndaj bazës britanike të Qipro

1772440063_WW246ZSUMJKFBP4DVBPVCER244.avif

Baza ajrore britanike e Akrotirit në Qipro është goditur nga një dron, raporton Cyprus Mail. Personeli në bazë është informuar se një “dron i vogël” ka rënë në aeroport dhe se ka pasur një përgjigje të menjëhershme. Nuk ka viktima, por janë raportuar “dëmtime të lehta”. Ushtrisë iu është kërkuar të “mbetet në pozicion dhe të presë udhëzime të mëtejshme”, për shkak të shqetësimit për një “goditje të dytë”. Shpërthime dhe tinguj sirenash janë dëgjuar edhe në qytetin afër, Limassol.

Sipas disa burimeve, droni që goditi Qipron mund të ketë qenë një Shahed 136, i një lloji që përdoret edhe nga rusët në Ukrainë. Alarmi u dha pak para mesnatës lokale, ora 23:00 sipas orës shqiptare. Personelit të bazës iu kërkua të “kthehet në ndërtesa, të qëndrojë larg dritareve dhe të strehohet pas ose nën mobilje të forta” duke pritur udhëzime të mëtejshme. Më parë, sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey, kishte bërë të ditur se dy raketa ishin drejtuar drejt Qipros. Ai shtoi: “Nuk besojmë se ishin drejtuar kundër Qipros, por kjo tregon se ekziston një kërcënim shumë real dhe në rritje nga një regjim që po vepron gjerësisht në rajon, dhe kjo na kërkon të veprojmë”.

Si masë paraprake, qeveria britanike ka vendosur të evakuojë familjarët e personelit të stacionuar në bazën e RAF në Akrotiri, duke i dërguar ata në akomodime alternative në ishullin e Qipros. Ministria britanike e Mbrojtjes konfirmoi se baza dhe personeli vazhdojnë të operojnë normalisht, duke garantuar sigurinë e Mbretërisë së Bashkuar dhe të interesave të saj.

Baza e RAF ndodhet në një pjesë të Qipros që është territor sovran britanik, i njohur zyrtarisht si Zonat e Bazës Sovrane të Akrotirit dhe Dhekelias.

Ora 09:15
Rrëzohet avioni ushtarak i SHBA në Kuvajt, piloti bie në tokë me parashutë! Raportohet për disa avionë amerikane të rënë

Ministria e Mbrojtjes e Kuvajtit tha se “disa avionë ushtarakë të Shteteve të Bashkuara u rrëzuan” të hënën dhe se “të gjithë ekuipazhet mbijetuan.”

Deklarata vjen pasi videot e publikuara nga CNN treguan një avion luftarak që u rrëzua në Kuvajt dhe një pilot që ra me parashutë në tokë.

Ora 08:35
Sulm pranë ambasadës së SHBA në Kuvajt, autoritetet amerikane: Strehohuni në shtëpi deri në një njoftim të dytë

Foto: Shtëllunga tymi pranë ambasadës amerikane në Kuvajt

Re tymi janë parë mbi Kuvajt, pas raportimeve për një sulm të mundshëm pranë ambasadës së Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këtë vend.

Ambasada Amerikane në Kuvajt ka lëshuar një paralajmërim për qytetarët amerikanë, duke u kërkuar të mos paraqiten në ambientet e saj dhe të strehohen në shtëpi deri në një njoftim të dytë.

"Ekziston një kërcënim i vazhdueshëm për sulme me raketa dhe dron mbi Kuvajt. Mos ejani në Ambasadë. Qëndroni në banesën tuaj në katin më të ulët të disponueshëm dhe larg dritareve. Mos dilni jashtë", tha ambasada në një deklaratë teksa shtuan se "Personeli i Ambasadës Amerikane është strehuar në vend".

Kuvajti, një aleat i SHBA-së që strehon gjithashtu një bazë ushtarake amerikane, deklaroi se ka kapur raketa të lëshuara në drejtim të territorit të tij.