I ngarkuari me punë i Shqipërisë në Katar, Ermal Kaleci, në një lidhje direkte për Report Tv, sqaroi se situata në Katar pas sulmeve të vazhdueshme ajrore nga Irani, paraqitet e qetë. Kaleci bëri me dije se në Katar aktualisht ndodhen rreth 200 shqiptarë dhe vetëm 1 prej tyre është turist ndërsa pjesa tjetër rezidentë. Ermal Kaleci bën me dije se komunikimi me shqiptarët që ndodhen në Katar është i drejtpërdrejtë.

“Me datë 28 shkurt ne u sulmuam me 4 valë të ndryshme raketash dhe dronë. Dhe sot në orën 8:22 u ngritëm me alarm dhe disa shpërthime. Aktualisht gjendja është e qetë. Sapo dolëm nga një mbledhje me ministrinë e Jashtme në Katar, duhet të ruajmë qetësinë dhe të zbatojmë protokollet. Të gjithë informacionet dhe udhëzimet ia kemi dërguar dhe ministrisë së jashtme të Tiranës. Hapi i parë që kemi bërë për shqiptarët, është që përditësojmë informacionet në faqen e facebook. Të ndjekin të gjithë Albania Ambassy Doha. Kemi hapur dhe një grup ëhatsapp me të gjithë shtetasit shqiptar që ndodhen në Katar. Janë rreth 200 persona. Vetëm 1 shqiptar që është turist është në hotel dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm me të”, tha Kaleci.

I ngarkuari me punë i Shqipërisë në Katar tha se sapo autoritetet e aviacionit civil të bëjnë me dije hapjen e hapësirës ajrore, turisti shqiptar do të kthehet në Shqipëri ndërsa pjesa tjetër nuk ka bërë kërkesa për kthim. Kaleci bëri thirrje që shqiptarët të ndjekin vazhdimisht përditësimet lidhur me situatën në faqen zyrtare të facebook si dhe për qëndrimin nëpër banesa.

“Hapësirat ajrore janë të mbyllura, presim nesër në orën 9:00 nga autoritetet e aviacionit civil nëse do të kemi hapje apo jo. Kemi ndërtuar dhe një databzaë me shqiptarët që duan të kthehen në Tiranë. Aktualisht shqiptarët që ndodhen këtu nuk kanë kërkuar që të kthehen. Nëse nuk kanë ndonjë punë, ju lutemi të qëndrojnë në banesa. Në përgjithësi janë shqiptarë të punësuar në punë shumë të mira. Komuniteti shqiptar është një komunitet shumë i mirëintegruar në Katar”, tha Kaleci.


Lajmi kryesor:

3 mijë shqiptarë nën sulmet e Iranit, ambasadori Kurtezi për Report Tv: Situata në Dubai e qetë, fluturimet mund të rikthehen nga fundi i kësaj jave