TENNESSY - Edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama është ndalur në sulmet terroriste në Francë, ku ka shprehur vendosmërinë e SHBA-së për të qenë krah Francës në luftën kundër terrorizmit dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Duke folur gjatë një aktiviteti në Tennessy, Presidenti Obama, tha se i është ofruar e gjithë ndihma e nevojshme autoriteteve franceze për këto sulme. Obama u shpreh se situata mbetet ende në vazhdim, pasi Franca vijon të luftojë terrorizmin dhe kjo luftë ende nuk ka përfunduar.

Por Presidenti amerikan ka theksuar mbështetjen e tij dhe të popullit që ai drejton për të mbrojtur vlerat njerëzore, ndërsa shtoi se terrorizmi nuk ka vend në botën tonë.

“Kemi qenë në kontakt me qeverinë franceze, dhe u kemi ofruar të gjitha shërbimet tona inteligjente dhe mbështetjen tonë pas këtyre sulmeve. Në fakt qeveria franceze vijon të luftojë ndaj terroristëve, situata mbetet fluide. Populli francez duhet të kuptojë se SHBA janë dhe do të mbeten krah jush në luftën kundër terrorizmit. Ne mbështesim të njëjtat vlera, shpresë dhe liri dhe këtë do ta bëjmë gjithmonë dhe terrorizmi nuk ka vend në botën tonë.” u shpreh Obama