Sektori bankar ka rinisur të funksionojë me orare të reduktuara, pas dëmeve që pësoi gjatë protestave të dhunshme në Tiranë. Në një reagim, Banka e Shqipërisë i garantoi qytetarët depozitat dhe kursimet e tyre janë të sigurta.
Në reagimin zyrtar, Banka qendrore thekson se shërbimi i pagesave ka vijuar normalisht dhe se dëmtimet në infrastrukturën fizike nuk cenojnë qëndrueshmërinë financiare të bankave.
“Kufizimet e përkohshme në disa degë lidhen me sigurinë e punonjësve dhe klientëve”, thuhet në njoftim..
Në fund, Banka e Shqipërisë u bën thirrje qytetarëve që gjatë ushtrimit të së drejtës për protestë, të respektojnë institucionet bankare, ambientet dhe punonjësit e tyre
Reagimi i plotë i Bankës së Shqipërisë
Banka e Shqipërisë siguron publikun se shërbimi i pagesave ka vijuar të funksionojë normalisht dhe pa ndërprerje, duke garantuar përmbushjen e rolit të sistemit bankar si domosdoshmëri e aktivitetit ekonomik të bizneseve dhe nevojave të konsumit të familjeve.
Banka e Shqipërisë thekson se depozitat dhe kursimet e qytetarëve në sistemin bankar janë të sigurta. Dëmtimet e një pjese të infrastrukturës fizike në disa degë të bankave nuk cenojnë sigurinë e depozitave të klientëve dhe as qëndrueshmërinë financiare të bankave. Qytetarët duhet të jenë të qetë se kursimet e tyre janë të mbrojtura dhe nuk rrezikohen nga dëmtimet fizike të ambienteve.
Në ushtrim të përgjegjësive të saj ligjore, Banka e Shqipërisë është në komunikim të vazhdueshëm me bankat tregtare dhe institucionet përkatëse, duke ndjekur nga afër situatën dhe masat e ndërmarra për ruajtjen e sigurisë së punonjësve, klientëve dhe infrastrukturës bankare.
Kufizimet e përkohshme të shërbimeve në degë të caktuara lidhen me nevojën për të mbrojtur sigurinë fizike të punonjësve dhe klientëve. Banka e Shqipërisë fton qytetarët dhe bizneset të ndjekin njoftimet zyrtare të bankave përkatëse dhe të përdorin sa më shumë kanalet alternative të shërbimit bankar.
Sistemi bankar është një shtyllë me rëndësi thelbësore për ekonominë dhe jetën e qytetarëve. Pas çdo dege bankare, çdo pagese apo transaksioni qëndrojnë familje që administrojnë kursimet e tyre, qytetarë që marrin pagat dhe pensionet, biznese që paguajnë punonjësit dhe vijojnë aktivitetin e tyre, si dhe sipërmarrje që investojnë dhe krijojnë vende pune. Funksionimi normal i bankave është i lidhur drejtpërdrejt me mirëqenien e qytetarëve, vazhdimësinë e aktivitetit ekonomik dhe besimin në të ardhmen.
Banka e Shqipërisë, si institucion i pavarur në shërbim të interesit publik, përmbush funksione thelbësore për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, stabilitetit financiar dhe shërbimin e pagesave.
Në detyrim ndaj këtij misioni, Banka e Shqipërisë u bën thirrje të gjithë qytetarëve që, në ushtrimin e së drejtës së tyre për protestë paqësore, të respektojnë dhe të mbrojnë sigurinë e Bankës së Shqipërisë, të institucioneve bankare, ambienteve, infrastrukturës dhe punonjësve të tyre. Ruajtja e këtyre institucioneve do të thotë ruajtje e shërbimeve dhe e funksioneve që u përkasin dhe u shërbejnë të gjithëve.
Banka e Shqipërisë mbetet plotësisht e angazhuar në përmbushjen e mandatit të saj për ruajtjen e stabilitetit financiar dhe funksionimin e sigurt e të qëndrueshëm të sistemit bankar. Ajo do të vijojë të ndjekë me përgjegjësi zhvillimet dhe të bashkëpunojë me institucionet përkatëse për të mbështetur vijimësinë e shërbimeve bankare dhe ruajtjen e besimit të publikut në sistemin financiar.
Besimi dhe siguria e qytetarëve janë themeli i një sistemi bankar të qëndrueshëm. Ruajtja e këtij besimi dhe e institucioneve që i shërbejnë publikut është në interesin e përbashkët të të gjithë shoqërisë.










Komente
Komento