Shqipëria ka shprehur solidaritet të plotë me Izraelin pas sulmeve të Iranit dhe Hezbollahut. Ky ishte mesazhi që ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, përcolli sot në një telefonatë me homologun izraelit Gideon Sa'ar.
Sipas një njoftimi për shtyp, gjatë bisedës, Ministri Hoxha vlerësoi “kurajon dhe qëndresën e popullit izraelit" dhe konfirmoi se Shqipëria pritet të marrë së shpejti një vendim për ta shpallur Gardën Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) organizatë terroriste. Këtë e kishte paralajmëruar dy javë më parë edhe kryeministri Edi Rama duke i bërë thirrje vendeve të Bashkimit Evropian të ndërmerrnin të njëjtin hap.
Në reagimin e tij Hpxha vlerësoi edhe marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit, duke theksuar se këtë vit shënohen 35 vite nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
"Faleminderit, Ministër Gideon Sa'ar, për urimet dhe për bisedën tonë të frytshme. Në këto kohë të vështira dhe sfiduese, Shqipëria qëndron në solidaritet të plotë me popullin izraelit dhe të gjithë ata që janë prekur nga sulmet e kryera nga Irani dhe Hezbollahu. Shënjestrimi i civilëve është i papranueshëm, dhe ne vlerësojmë kurajon dhe qëndresën e popullit izraelit. Shqipëria mbështet përpjekjet ndërkombëtare vendimtare për të parandaluar përvetësimin nga regjimi iranian, të armëve bërthamore apo të çdo arme tjetër të shkatërrimit në masë që kërcënon paqen në rajon dhe më gjerë. Irani meriton një qeveri nga populli dhe për popullin. Shqipëria së shpejti do të marrë një vendim zyrtar për ta shpallur IRGC, ashtu siç është në të vërtetë: një organizatë terroriste. Unë e vlerësoj thellësisht miqësinë e kahershme dhe lidhjet e forta ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit, të ndërtuara mbi vlera të përbashkëta dhe mbi një histori unike solidariteti midis popujve tanë. Këtë vit shënohet 35-vjetori i marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona, një moment i rëndësishëm që pasqyron forcën dhe qëndrueshmërinë e kësaj miqësie. Pres me kënaqësi të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë" shkroi Hoxha në postimin e tij.
Qeveria ka intensifikuar komunikimin me vendet e prekura nga konflikti në Lindjen e Mesme, jo vetëm në vazhdën e sigurisë së qindra qytetarëve shqiptarë që jetojnë andej por edhe në vazhdën e kontekstit gjeopolitik në këto kohë trazirash.
Dy ditë më parë, gjatë një bisede me homologun e Kuvajtit, Sheikh Jarrah Jaber Al-Ahmad Al-Sabah,Hoxha konfirmoi se:
‘Shqipëria do të bashkësponsorizojë projekt-rezolutën e OKB-së në Këshillin e Sigurimit, të paraqitur nga shtetet anëtare të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit, e cila dënon sulmet e Iranit kundër Bahreinit, Kuëaitit, Omanit, Katarit, Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Jordanisë, si dhe bën thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të tyre.'
Me të njëjtën vendosmëri, kryeministri Edi Rama dënoi të martën sulmin me raketa balistike të regjimit Iranian kundër Turqisë, duke i konsideruar të rrezikshme përpjekjet e regjimit iranian për të projektuar tensione dhe paqëndrueshmëri me sulme të vazhdueshme kundër fqinjëve të saj.
“Veprime të tilla rrezikojnë të përshkallëzojnë më tej situatën dhe përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare. Shqipëria përshëndet reagimin e shpejtë të NATO-s në mbrojtjen e territorit, hapësirës ajrore dhe qytetarëve të Aleancës. Shqipëria qëndron fort krah për krah me Turqinë dhe me të gjithë aleatët në ruajtjen e sigurisë dhe unitetit të Aleancës sonë”, shkruajti Rama në X.
Që në ditët e para të konfliktit, Kryeministri Rama komunikoi me ambasadorët e Republikës së Shqipërisë duke kërkuar angazhim të rrjetit diplomatik për garantimin e sigurisë së shqiptarëve në vendet e prekura.
Ofensiva ushtarake e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit nisi më 28 shkurt 2026. Sulmet e para vranë liderin suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, ndërkohë që sulmet kanë prekur ehde objekte ushtarake, bërthamore dhe infrastrukturë të rëndësishme në Iran. Sipas raportimeve, nga sulmet kanë humbur jetën më shumë se 1,300 civilë.
Irani është kundërpërgjigjur me sulme me raketa në disa vende të Gjirit, çka ka rritur ndjeshëm tensionet në rajon dhe ka sjellë një rritje të çmimeve të energjisë në tregjet ndërkombëtare.
Komente








