Një shpërthim ka ndodhur pranë një bari në ambient të hapur në Sheshin Kudrinskaya, në qendër të Moskës, duke shkaktuar tre të vdekur dhe 15 të plagosur, raporton agjencia ruse Tass.

“Efektivët e Drejtorisë së Përgjithshme të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Rusisë për Moskën po punojnë në vendngjarje, pranë ndërtesës numër 1 në Sheshin Kudrinskaya. Sipas informacioneve të disponueshme, sot rreth orës 20:10, pranë barit në ambient të hapur ka ndodhur një shpërthim, i cili ka shkaktuar tre viktima dhe 15 të plagosur me shkallë të ndryshme rëndese”, deklaroi zyra e shtypit, pa specifikuar shkaqet e shpërthimit.

Një grup hetimor i posaçëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Rusisë, së bashku me zyrtarë të shërbimeve të emergjencës së kryeqytetit, po punojnë në vendngjarje, shkruan Tass.

“Të lënduarit e shpërthimit në restorantin e Moskës po marrin të gjithë ndihmën e nevojshme mjekësore”, deklaroi Alexei Kuznetsov, përfaqësues i Ministrisë së Shëndetësisë.

Restoranti Balzi Rossi, ku ndodhi shpërthimi, ishte mbyllur për një banket privat. Kështu raportojnë disa media të pavarura ruse.

Sipas portalit Astra, në restorant po zhvillohej një festë për një gjeneral dhe pranë lokalit ishin parkuar shumë automjete me targa të zeza, të cilat u përkasin forcave ushtarake.

Sipas disa kanaleve ruse në Telegram, të cituara edhe nga Reuters, mes të pranishmëve në aktivitet ishte edhe komandanti i Forcave Ajrore ruse, Alexander Chaiko, i cili mori detyrën rreth një muaj e gjysmë më parë.

Deri tani nuk ka konfirmim zyrtar për këto raportime.