TIRANE-Sulmi me armë në banesën e prindërve të gazetares Klodiana Lala, ka qenë pjesë e akuzave të lëshuara nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha, në konferencën e sotme para mediave. Basha tha se gazetarja denoncoi lidhjet e ngushta të deputetit socialist Çyrbja me bandën e Shullazit. Kreu i PD-së paralajmëroi Ramën, se nëse i preket një fije floku do të mbajë përgjegjësi të plotë. Pak orë më vonë, Endri Fuga, drejtori i Komunikimit në Kryeministri, i ka kthyer përgjigje Bashës, ku thekson se vëmendja duhet të jetë tek zbardhja e plotë e ngjarjes.

Në vendin tonë sot u realizua edhe ajo pjesë e skenarit që u takon vendeve që sundohen nga krimi. Një gazetar që zbulon lidhjet e mafies me pushtetin është sulmuar me armë. Familja e gazetares u sulmua sot herët në mëngjes, plumbat kanë goditur dhomat ku flenë vajzat në shtëpinë e gjyshes së tyre. Mesazhi është i qartë; kush shqetëson qeverinë e ka fundin e shpejtë. Shpreh mbështetjen time për gazetaren dhe cdo gazetar të pa blerë nga kjo qeveri, që bashkëqeveris me krimin. Kemi një rrugë për të fituar betejën ‘duhet që të përballemi’. Sa herë media hesht krimi triumfon. Ia kemi dalë ti largojmë nga parlamenti dhe disa bashki disa dhjetra kriminelë, por fitorja nuk është akoma në anën e qeverisë. SSulmi me armë ndaj gazetares Klodiana Lala, e cila së fundmi nxori në dritë lidhjet e ngushta të deputetit të Edi Ramës, Jurgis Çyrbja me bandën e Emiljano Shullazit, janë tregues se krimi ndjehet i paprekshëm! Sot kam edhe një mesazh për Ramën, do të mbash ti përgjegjësi nëse gazetares, familjes apo cdo opozitari i preket qoftë edhe një fije floku nga horrat. Sa kohë Rama është i lidhur me krimin, Shqipëria do të jetë në mëshirën e bandave.

Lulzim Basha

Banesa e prindërve të gazetares së kronikës Klodiana Lala është bërë pre e një sumi me armë mëngjesin e sotëm. Lajmi konfirmohet për Report Tv nga burime policore, të cilat saktësojnë se sulmi ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit, ndërsa fatmirësisht askush prej familjarëve nuk është lënduar.

Në drejtim të banesës është derdhur një breshëri kallashnikovi. Burimet saktësojnë se në momentet e sulmit familjarët e Lalës, prindërit, vëllai por edhe fëmijët e gazetares ndodheshin në banesën e gazetares në lagjen “Bruk”, në rrugën “Shkëndija”.

Policia në njoftimin e saj zyrtar thotë se po heton për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Për ngjarjen reagoi edhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, i cili dënon aktin e rëndë. Vetë Lala e kontaktuar nga UGSH-ja, ka deklaruar se sulmi ka ndodhur për shkak të detyrës së saj si gazetare.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:07
Sulmi ndaj banesës së Lalës, reagon Endri Fuga: Solidaritet i plotë me Klodin, se Basha është humbje kohe

Drejtori i Komunikimit në Kryeministri, Endri Fuga, i ka kthyer përgjigje kryedemokratit Lulzim Basha. Basha paralajmëroi sot se nëse gazetares Klodiana Lala, do t’i prekej qoftë edhe një fije floku, do të mbante përgjegjësi qeveria.

Në një status në Twitter, Fuga shkruan se duhet një solidaritet dhe vëmendje e plotë për të zbardhur ngjarjen, sepse Lulzim Basha është humbje kohe.

Klodiana Lala falenderon qeverine, policine dhe Ministrin e Brendshem per gatishmerine, Basha akuzon Ramen. Me nje fjale avazi vazhdon! Solidaritet i plote me Klodin dhe e gjithe vemendja tek zbardhja e ngjarjes, se Lulezim Basha eshte humbje kohe.

Endri Fuga, Drejtor i Komunikimit në Kryeministri