Sulmi me armë në Top Channel, Bregu: Akt i pastër terrorist! Minga: S’është atentat i zakonshëm! Hitaj: Gjuha politike përçon urrejtje të tilla

Sulmi i orëve të para të mëngjesit të sotëm drejt godinës së televizionit ‘Top Channel’ ku mbeti i vdekur edhe roja, Pal Kola, ka sjellë tronditje të opinionit publik në vend për shkak të mënyrës sesi u organizua një attentat i tillë ndaj medias, pushtetit të katërt. 

Gazetari, Sokol Bregu i ftuar në studion e emisionit “5 pyetjet” me gazetarin Ilir Babaramo në Report TV e konsideroi këtë si një akt të pastër terrorist. Ai tha se është vepruar njësoj si në atentatet e tjera me vrasje në vend, ku aurtorët kryejnë goditjen dhe më pas përpiqen të zhdukin gjurmët duke djegur makinën e përdorur. 

“Kush kërkon një motiv ende pa u arrestuar autorët e rëndë të këtij krimi ka probleme me median pastaj. Do të thotë se janë goditur të gjithë gazetarët. Për herë të parë sot, të gjithë drejtuesve të policisë u kam dërguar një mesazh në formë kërkese që duhet ta gjejnë këtë për shumë arsye, për të treguar se krimi nuk mund të fitojë ndaj medias dhe se ne të gjithë kemi pozicionet tona pavarësisht sesi i shohim ngjarje të ndryshme në vend. Të godasësh në këtë lloj forme, me kallashnikov, një akt i pastërt terrorist, çfarë ndryshimi ka kjo, kur vranë një person. A është e njëjta skemë si të gjitha aktet e tjera kriminale në vend”- u shpreh Bregu. 

Infrastruktura e kushtueshme që kanë përdorur autorët është një prej detajeve të këtij atentati të rëndë. Gazetari, Denis Minga tha se fakti që infrastruktura e përdorur ka qenë e kushtueshme tregon se nuk është një sulm i zakonshëm. Sipas tij, ngjarja duhet zbardhur brenda 24 orëve përndryshe shanset do të jenë më të vogla. 

“Infrastruktura ka qenë e kushtueshme, që do të thotë se janë hedhur shumë para për këtë lloj sulmi nuk është një sulm i zakonshëm. Është shumë e rëndësishme që të zbardhet si ngjarje brenda 24 orëve sepse më pas bien shanset për ta zbardhur pasi kalojnë shumë orë. Këto janë orët e nxehta”-u shpreh Minga. 

Nga ana tjetër, gazetari Arbër Hitaj tha se politika përçon urrejtje në opinionin publik duke bërë që një gjuhë e tillë të përshkallëzohet deri në ekstrem. Si një ndër pistat që po hetohen, Hitaj tha se është edhe ajo e deklaratave të bëra nga Berisha për kontratën e shitjes së televizionit. 

“Është politika që përçon urrejtje në gjithë opinionin publik. Një gjuhë e tillë deri në ekstrem do çojë në këto ngjarje. Duke parë një agresivitet që rritet dhe shtohet, automatikisht edhe njerëzit që mund të jenë edhe palë, edhe konflikt interesi. Një nga pistat kryesore që po hetohet është edhe kjo puna e shitjes që ka përmendur edhe Berisha. Mund të jetë ky denoncim i Berishës që i ka hedhur benzinë zjarrit? Mund të jetë por edhe mund të mos jetë, kjo mbetet për t’u hetuar”-tha Hitaj. 

Gazetarja, Keti Banushi tha se për zbardhjen e ngjarjes janë marrë në pyetje një grup i gjerë personash, duke përfshirë edhe vetë pronarët e televizionit në fjalë dhe drejtuesit e departamenteve të ndryshme. 

Orët e para të mëngjesit të sotëm, një grup i paidentifikuar personash kanë qëlluar me armë zjarri 'kallashnikov' drejt godinës së Top Channel, dukë bërë që nga plumbat të mbetej viktimë roja 60 vjeçar, Pal Kola. Në vendin e ngjarjes janë gjetur rreth 25 gëzhoja kallashnikovi. Pas ngjarjes, një makinë luksoze ‘Range Rover’ është gjetur në nga policia në Golem të Kavajës, e cila dyshohet se u përket autorëve. Gazetari i Report tv, Sokol Dema ka mësuar se në brendësi të mjetit të djegur janë gjetur 2 kallashnikovë. Mjeti ‘Range Rover’ rezulton e vjedhur në Shkodër. Pasi kanë djegur automjetin, tre autorët janë larguar me një mjet tjetër. Ata dyshohet se kanë shkuar drejt Vlorës, ku po kryhen kontrolle pasi dyshohet të jetë hedhur armë në ferra nga një automjet në lëvizje.

B.V/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?