Sali Berisha ka vijuar me akuzat ndaj Edi Ramës duke e cilësuar porositës të sulmit me grusht gjatë protestës së 6 dhjetorit. Si kundërpërgjigje, Berisha tha se do të vijojë revolucionin demokratik deri në mosbindje civile. Vetëm pak minuta pasi Gert Shehut iu komunikua në spital masa e sigurisë “arrest me burg”, ish-kryeministri doli në një konferencë për mediat duke thënë se e ka falur agresorin, të cilit i referohet si kamikazi pa eksploziv.

Sa i përket dokumentit që vërteton se 31-vjeçari vuante nga një “Çrregullim psikotik i papërcaktuar”, Berisha e përgënjeshtron duke thënë se ka rinovuar lejen e drejtimit para pak muajsh dhe ka marrë kredi në banka. Madje sipas Berishës, një arsye shumë e madhe që e lidh Gert Shehun me Edi Ramën është fakti që banon në një lagje me drejtuesin e AMP, Ardi Veliun. Ish kryeministri ka komentuar edhe mënyrën se si truprojat dhe mbështetësit e tij rrahën derisa e gjakosën agresorin duke thënë se do të ishte fatkeqësi në rast se do ta vrisnin.

“Unë e kam falur kamikazin pa eksploziv të Edi Ramës, Gerti Shehun. Por unë akuzoj direkt Edi Ramën si porositës të këtij skenari. Përpjekjen e menjëhershme për të shfajësuar kriminelin dhe përhapja e Ramës e variantit të të sëmurit dëshmon se Gerti Shehu në vend të një hetimi është në mbrojtje totale të Edi Ramës që ka porositur krimin e tij. E akuzoj Edi Ramën si porositës sepse për pacientin e Ramës nuk ekziston asnjë dokument që e vërteton se është i sëmurë i papërgjegjshëm.

Ekziston dokument që e shpall të përgjegjshëm dhe e dënon për goditjen e një personi tjetër. Çfarë e shtyn Edi Ramën të shpallë Gert Shehun nga kriminel në të sëmurë psiqik? I sëmuri dhe klienti e gjitoni deri para pak muajsh i Ardi Veliut është aq i sëmurë sa deri pak muajsh ka rinovuar patentën, akt që nuk i lëshohet të sëmurëve. Klienti dhe gjitoni i Ardi Veliut ka marrë dhe kredi në banka”, tha Berisha.

Teksa nuk ndalet në akuzat ndaj Ramës, ish kryeministri shprehet se kreu i qeverisë zgjodhi ta sulmonte pikërisht në ditën kur u mbajt samiti i BE-së në Tiranë pasi kishte synim të asgjësonte opozitën por sipas Berishës, nuk ia doli.

Referuar deklaratave të tij se nuk do të merrnin parasysh perimetrin e sigurisë, ish kryemnistri del me një tjetër version pasi nuk bënë asnjë veprim që të shkonin për të protestuar para kryeministrisë. Sipas tij, në asnjë moment nuk i doli situata nga kontrolli ndërsa thotë se nuk do të cënonin sigurinë e samitit.

Një koment e pati edhe për përfundimin e mandatit të ambasadores Yuri Kim duke thënë se edhe këtu ka gisht Edi Rama. Kësaj radhe, Berisha e cilëson si manipulim të Ramës largimin e Kim nga Tirana në misionin diplomatik në Korenë e Jugut si “flakje” të një limoni të shtrydhur.

Berisha edhe pse 'Non Grata' nga SHBA shprehet se nëse nuk do të kishte ‘respektin’ që ka për Amerikën, do ta kishte larguar me kohë kryediplomaten me protesta.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:40
Berisha: Nëse protestuesit do i mernin shpirtin Gert Shehut, do ishte fatkeqësi! Kishte marrë para për aktin

 

Pas grushtit ndaj Sali Berishës, truprojat dhe mbështetësit në protestë iu kundërvunë agresorit derisa e gjakosën. Por ish-kryeministrit thotë se do ishte fatkeqësi nëse Gerti Shehut do t’i merrej shpirti aty nga protestuesit e revoltuar.

“Ai ishte një mjeran, do ishte fatkeqësi ti merrnin shpirtin aty, kishte marrë para për aktin. Nuk ishte ai, do ishte dikush tjetër. Dëshmoi Rama se është shteti me gjithë qëndrimet që mbajti. Nuk them kurrë që gjërat më dolën jashtë kontrollit, nuk më ndodh kurrë. Deklarova se siguria e Samiti përbën qëllim për ne.

Duhet të mbroja interesat qytetarëve, në asnjë lloj rrethane s’mund tu krijonim përshtypje se protesta përbën rrezik. Shqipëria nuk konsiderohet e sigurt, mirë se erdhën. I treguam me kë ishin ulur, ai tregoi veten. Nuk mund të përbënim shqetësim për ta. Për Ramën, nuk ua zgjidhim ne, por vetë. Ai futi në dorë udhëheqjen opozitës, dhe de facto e asgjësoi. Kjo mori fund, me rithemelimin e PD u krijua opozita, kjo e tmerron Ramën, zgjodhi atë moment në mënyrë më diabolike, që t’i jepte një goditje fatale opozitës.

Por llogaritë nuk i dolën, përkundrazi, ajo iu kthye në atë që meriton dhe do i kthehet, është një proces”, tha Berisha.

Ora 13:05
Përfundimi i mandatit të Yuri Kim, Berisha: E flaku si limon të shtrydhur Rama! Nëse s’do ishte nga SHBA do e kisha larguar me kohë me protesta

 

Me akuza të cilat shpesh jemi ndeshur në fjalimet e Berishës edhe sot, pas lajmit se Kim do të largohet nga mandati i saj në Shqipëri, ish kryeministri nuk u kursye me akuzat ndaj saj.

Edhe pse i pasigurt nëse i mbaron mandati, Berisha shprehet se edhe në mbarimin e mandatit të ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim, ka gisht kryeministri. Kësaj radhe, Berisha e cilëson si manipulim të Ramës largimin e Kim nga Tirana në misionin diplomatik në Korenë e Jugut si “flakje” të një limoni të shtrydhur.

Berisha edhe pse Non Grata nga SHBA shprehet se nëse nuk do të kishte ‘respektin’ që ka për Amerikën, do ta kishte larguar me kohë, kryediplomaten, por me protesta siç ai preferon t’i cilësojë, “paqësore”.

“Unë e lexova. E vërteta është se s’u habita, për deklaratën e Ramës me zëdhënësen Xhaçka. Por, në këtë rast dua të theksoj, se kemi të bëjmë me një flakje të një limoni të shtrydhur.

Në 100 vite marrëdhënie diplomatike midis dy vendeve s’ka pasur ndonjëherë diplomate amerikane se t’i ketë dëmtuar më shumë marrëdhëniet me Amerikën sesa ajo. Sjellja e saj s’ka asnjë të përbashkët me vendet perëndimore.

Kërcënimet, ofendimet e saj ndaj demokratëve se do hanë bar nëse sulmon Sali Berishën... kundërshtimi me çdo konventë ndërkombëtare, janë akte të shëmtuara të saj, për të cilat garantoj vendin mik se mos të kishin qenë dy faktorë, ndjenja dhe admirimi im për SHBA, zonja në fjalë nuk do ishte toleruar kurrë. Me protesta paqësore do ishte kërkuar largimi i saj sa më shpejt nga Shqipëria. E lejoi veten si të ishte President, madje më lart, se Presidenti këtu s’mban asnjë fjalë. Ajo gjeti klikën e delikuenteve, të kapur nga droga si Rama dhe hoqi fijet e tyre, derisa më në fund tha se do emëronte dhe shefin e SKAPI-t të partisë.

S’besoj kurrë, se një diplomat mund të sillet në atë mënyrë. Bëri gjithçka për të dëmtuar imazhin e shkëlqyer të SHBA në këtë vend. Por, largimi i saj, mund t’i ketë mbaruar dhe mandati por fakti që Rama e lajmëron këtë është e paparë në 100 vite marrëdhënie me Amerikën.”- thotë Berisha.

Ora 12:58
Përgjigja e Berishës për goditjen me grusht: Do vijojmë me revolucionin demokratik që hyn në fazën e dytë! Do i shkurtojmë jetën kësaj kalbësire

 

Sali Berisha theksoi se përgjigja e tij për goditjen me grusht është revolucioni demokratik që hyn në fazën e dytë ndërsa ka vijuar me gjuhën e ashpër ndaj Edi Ramës që e cilëson 'kalbësirë'.

“Revolucioni demokratik hyn në fazën e dytë. Përfundimi me sukses deri tani dhe shpresoj që deri të dielën që vjen i balotazheve që kanë mbetur shënon kurorëzimin e një festivali lirie, natyrisht jo të përsosur, në PD dhe kanë nxjerrë këtë parti më të fortë. Kam mirënjohje ndaj organizatorëve, konkurrentëve, simpatizantëve e komisionerëve të PD. Sic votuan brenda partisë, të votojnë edhe shqiptarët. Ne duam të votojnë.

Do vazhdojmë me revolucionin tonë për të shpëtuar Shqipërinë nga ky pushtim i brendshëm, ndoshta dhe më barbar se pushtimet e jashtme. Motoja do jetë ajo, do bindim çdo shqiptar se nëse nuk i dalin zot votës së tyre nuk kanë kurrë të ardhme. Të mos presin nga askush. E marr këtë shembull për të theksuar se çfarë situatë është sot, por kam besim të madh se një kalbësirë si kjo nuk do mund të zgjasë dhe do bëjmë gjithçka për t’i shkurtuar jetën kësaj kalbësire. Jemi për të gjitha format dhe të mosbindjes civile”, tha Berisha.

Ora 12:49
Berisha: Pse zgjodhi samitin për sulmin ndaj meje? Rama mendonte se do t’i jepte goditje asgjësuese opozitës

 

Sali Berisha, i cili vijon akuzat ndaj Edi Ramës për sulmin me grusht thotë se zgjodhi ditën e samitit sepse mendonte se do t’i jepte goditje asgjësuese opozitës.

“Pse Edi Rama zgjodhi ditën e samitit për sulmin fizik ndaj Sali Berishës? E bëri nga urrejtja dhe vendosi të sulmojë kundërhstarin e tij i bindur që me këtë skenar do i jepnin opozitës goditjes asgjësuese. Mendoi se me këtë akt nuk do të ngjitej më në tribunë. Vetëm tipa të tillë përzgjidhen në misione dhe për qëllime të tilla. Në këtë përpjekje, policia zbulon veten duke i shërbyer Edi Ramës me një dokument jo vetëm jozyrtar por anti ligjor. Dokumente të kësaj natyre policia nxjerr në mënyrë të paligjshme për agjentët e infiltruar të saj. Përpjekja e Ramës për të shuar cdo shpresë hetimi. Ata që duan ta paraqesin si person të shërbimeve të huaja nuk kanë asnjë fakt. Unë e di që edhe shërbimet e huaja bëjne veprime, por në këtë rast ishte tërësisht i porositur nga Rama. Mund të godasësh një njeri e të vrasësh por kauza nuk do të mbarojë. Opozita do t’i japë përgjigjen Edi Ramës”, tha Berisha.