Zëvendëspresidentja e Bank of America është një nga viktimat që u vra me thikë në mes të Times Square, në mes të ditës dhe në zemër të Manhatanit të mbushur me njerëz.
Ngjarja, e shkaktuar nga një grua për të cilën raportohet se vuante nga probleme të shëndetit mendor, paralizoi rrugët e zonës së mbipopulluar të hënën, ndërsa automjetet e emergjencës vrapuan mes qiejgërvishtësve.
Viktima identifikohet si Erin Piacenti, 32 vjeçe, sipas Policisë së New York-ut. Bank of America konfirmoi humbjen e një anëtareje të stafit. Sipas profilit të saj në LinkedIn, Piacenti ishte zëvendëspresidente në njësinë e bankës për përzgjedhjen e bizneseve dhe konfliktet.
“Jemi të tronditur dhe thellësisht të pikëlluar nga humbja tragjike e koleges sonë. Ajo ishte një anëtare e çmuar e ekipit dhe do të na mungojë shumë. Zemrat tona janë me familjen e saj dhe të gjithë të dashurit e saj”, tha kompania amerikane bankare në një deklaratë të martën.
Matthew Koder, presidenti i Bank of America për bankën globale të korporatave dhe investimeve tha se ekipet e sigurisë së Bank of America janë “plotësisht të angazhuara për të mbështetur hetimin e policisë këtu, si dhe për të trajtuar çështjet e vazhdueshme të sigurisë dhe mbrojtjes së zyrave dhe kolegëve tanë”.
Zyra e Bank of America në Manhatan ndodhet shumë pranë Times Square, në One Bryant Park.
Gjatë sulmit, u lëndua edhe një 68-vjeçar, por ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sipas policisë së qytetit, sulmi dukej se ishte i rastësishëm dhe i paprovokuar. Kur policët mbërritën në vendngjarje, gjetën Pamela Cisneros, një grua 49-vjeçare, e cila mbante në duar dy thika të mëdha dhe iu drejtua edhe policëve me kërcënime. Ata përdorën një armë elektrizuese (taser), por nuk arritën ta bindnin të hidhte armët.
Oficerët qëlluan ndaj Cisneros, e cila s’u mbijetoi plagëve.












Komente
Komento