“Me sulmin e sotëm ka qënë në shënjestër demokracia dhe liria e shprehejs”. Kështu deklaroi presidenti i Francës, François Hollande në një konferencë për shtyp, në lidhje me sulmin ndaj revistës “Charlie Hebdo” ndërsa paralajmëroi se terroristët do të marrin përgjigjen e merituar.
 
"Ky është një atentat barbar. Këta njerëz u vranë për idenë që kishin ata për Francën, për lirinë.  Ne do t’iu qëndrojmë  shumë afër atyre që janë të dëmtuar nga ky akt terrorist. Liria e shprehejs është dëmtuar sot, demokracia ka qënë në shënjestër. Ne kemi qënë të parët që jemi rreshtuar në frontin kundër terrorizmit. Ne duhet t’i përgjigjemi në nivelin e këtij krimi që na ka sulmuar sot, duhet t’i vëmë fre”, deklaroi Hollande. 

Kreu i Elizesë tha se do të bëhet çdo gjë që terroristët të dënohen. Ai ftoi gjithë francezët të jenë të bashkuar para kësaj sprove të madhe.  
 
“Çdo gjë do të bëhet, sot jemi të mobilizuar, kemi ndërtuar një plan dhe gjithë autoritetet janë mobilizuar për kapjen e terroristëve. Duhet të jemi të gjithë të bashkuar. Asgjë nuk duhet të na ndajë. Ne duhet t’i përballojmë këto sprova të mëdha. Ju ftoj të bashkohemi të tërë në të gjitha format ndaj kësaj sprove të madhe”, deklaroi presidenti francez.
 
 

Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)