Sulmi ndaj Capitol Hill - 6 fletëthirrje për aleatët e Trump

Sulmi ndaj Capitol Hill - 6 fletëthirrje për aleatët e Trump

Sulmi në Capitol Hill

Ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Michael Flynn dhe pesë bashkëpunëtorë të tjerë të ish-presidentit Donald Trump akuzohen për përkrahjen e dezinformatave rreth zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar.

Një komitet i posaçëm në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, i cili po heton sulmin ndaj Capitol Hill në 6 janarin e këtij viti, lëshoi pak ditë më parë gjashtë fletëthirrje të reja për aleatët e ish-presidentit Donald Trump. Gjatë sulmit, mbështetësit e Trump sulmuan policinë dhe Kongresin, në përpjekjen për të ndaluar numërimin e votave elektorale.

Çfarë dihet për fletëthirrjet?

Personat që janë thirrur në komision akuzohen për përkrahje të dezinformatave në lidhje me zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 në SHBA, duke përfshirë pretendimin e pabazuar, se votimi ishte manipuluar në favor të presidentit aktual Joe Biden dhe kundër Trump.

Mes bashkëpunëtorëve të Trump janë ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare Michael Flynn, menaxheri i fushatës së Trump në 2020-ën, Bill Stepien, ish-këshilltari i lartë Jason Miller, asistentja ekzekutive kombëtare e fushatës zgjedhore Angela Mçallum dhe avokati John Eastman. Edhe ndaj Bernard Kerik, një ish-komisar policie në Nju Jork, i cili dyshohet se pagoi dhoma hoteli që shërbenin si "qendra komanduese" përpara 6 janarit, u dërgua fletëthirrje.

Bashkëpunëtorëve të Trump u është kërkuar të dorëzojnë pasaportat dhe të jenë në gatishmëri për t'u paraqitur para komisionit që nga 30 nëntori. Gjatë muajit të shkuar, ish-presidenti bëri të ditur se do të padiste trupën që po heton sulmin e 6 janarit, me qëllim ndalimin e dorëzimit të pasaportave të aleatëve të tij dhe u kërkoi këtyre të fundit që të mos respektojnë fletëthirrjet.

Aleatët e Trump akuzohen për ndërhyrje në procesin zgjedhor

Kryetari i komitetit, demokrati Bennie Thompson, tha në një deklaratë për shtyp se besnikët e Trump jo vetëm që kishin përhapur dezinformata rreth zgjedhjeve, por edhe "planifikuan mënyra për të ndaluar numërimin e votave të Kolegjit Zgjedhor".

Kolegji Zgjedhor, i krijuar në bazë të Kushtetutës së SHBA-së, është përgjegjës për zgjedhjen e presidentit dhe zëvendëspresidentit. "Komiteti i Posaçëm duhet të dijë çdo detaj në lidhje me përpjekjet e tyre për të dëmtuar zgjedhjet, duke përfshirë me kë po flisnin në Shtëpinë e Bardhë dhe në Kongres, çfarë lidhjesh kishin me mitingjet që u përshkallëzuan deri në demonstrata dhe kush pagoi për të gjitha ato që ndodhën ” - tha Thompson.

Kur u formua Komiteti i 6 janarit?

Komiteti i posaçëm për të hetuar sulmin e 6 janarit në Capitol Hill u formua më 1 korrik. Ai përbëhet nga shtatë demokratë dhe dy republikanë. Seanca e parë u mbajt më 28 korrik, ku oficerët e policisë i treguan trupit gjykues përjetimin personal në mbrojtjen e Capitol gjatë demonstratave të dhunshme. Deri tani janë lëshuar 25 fletëthirrje dhe janë intervistuar mbi 150 dëshmitarë me dyer të mbyllura.

Një projekt-ligj për krijimin e një komisioni të ngjashëm dypartiak në Senat, u rrëzua në muajin maj nga udhëheqësi i pakicës republikane, Mitch Mconnell, i cili e quajti propozimin "të njëanshëm dhe të pabalancuar". Sulmi i 6 janarit të këtij viti regjistroi pesë viktima dhe mbi 100 policë të plagosur. Pak kohë më pas Trump u vu nën akuzë nga Dhoma e Përfaqësuesve për nxitje trazirash, por pas dy tentativave radhazi, u lirua nga akuzat në Senat. / DW

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja