TIRANE- Këshilli i Lartë i Drejtësisë dënon me forcë sulmin ndaj gjyqtares Mishgjoni. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp të publikuar vetëm pak orë pas mësimit të lajmit KLD deklaron se ka kontaktuar me autoritetet përgjegjëse dhe ka marrë garanci të plota prej tyre, për zbardhjen e rrethanave të ndodhjes së kësaj ngjarje dhe vënien e përgjegjësve para drejtësisë.

“Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pas informimit në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur ditën e sotme, datë 16.01.2013, ndaj gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, Mirela Mishgjoni, shpreh mbështetjen dhe solidaritetin ndaj saj dhe familjarëve të saj, duke dënuar me forcë këtë akt.

Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Z. Elvis Çefa, ka komunikuar me autoritetet kompetente të Rrethit të Vlorës dhe ka marrë garanci të plota prej tyre, për zbardhjen e rrethanave të ndodhjes së kësaj ngjarje dhe vënien e përgjegjësve para drejtësisë.

Edhe njëherë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë shpreh mbështetjen për trupën gjyqësore të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, por dhe për trupën gjyqësore në tërësi, duke shprehur gatishmërinë për të rritur e garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e gjyqtarëve.”

(sg/shqiptarja.com)