Sulmi në Kapitol/ Komisioni i 6 janarit rekomandon ngritjen e akuzave penale ndaj ish-zyrtarit të Drejtësisë

Sulmi në Kapitol/ Komisioni i 6 janarit rekomandon ngritjen e akuzave penale ndaj ish-zyrtarit të Drejtësisë

Ish-zyrtari i Drejtësisë, Jeffrey Clark

Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve që po heton sulmin e dhunshëm ndaj Kapitolit më 6 janar, votoi të mërkurën për të rekomanduar ngritjen e akuzave penale ndaj Jeffrey Clark, një ish-zyrtar i Departamentit të Drejtësisë, për pengim të punës së Kongresit. Ky i fundit refuzoi t'u përgjigjej pyetjeve të komisionit, megjithatë ligjvënësit ranë dakord t’i japin atij një tjetër mundësi këtë javë për t’u përgjigjur.

Komisioni votoi 9 me 0 për të rekomanduar ngritjen e akuzave penale ndaj Clark, i cili u rreshtua në krahun e ish-Presidentit Donald Trump në përpjekjet e këtij të fundit për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve.

Kryetari demokrat i komisionit të 6 janarit, Bennie Thompson, tha se kishte marrë një njoftim të minutës së fundit nga avokatët e Clark se ai dëshiron të përdorë të drejtën e tij që rrjedh nga Amendamenti i Pestë i Kushtetutës, për mos u përgjigjur në mënyrë që të shmangë një situatë ku mund të duket se është fajtor për ndonjë krim.

Thompson tha se avokati nuk kishte ofruar "asnjë bazë specifike për këtë qëndrim" dhe "asnjë fakt që do t’i jepte mundësi komisionin ta merrte në konsideratë këtë gjë". Ai tha se komisioni do t'i japë Clark një mundësi të dytë për një dëshmi të planifikuar të zhvillohet të shtunën.

"Për mendimin tim kjo është një përpjekje e fundit për të vonuar punën e Komisionit", tha Thompson. "Clark e kishte edhe më parë mundësinë për t'i ngritur këto pretendime në procesverbal. Komisioni do t'i japë atij një mundësi tjetër për ta bërë këtë".

Thompson tha se komisioni vazhdoi me votimin për të rekomanduar ngritjen e akuzave penale "pasi ky është vetëm hapi i parë i këtij procesi".

Clark u paraqit për një dëshmi muajin e kaluar, por refuzoi t'i përgjigjet çdo pyetjeje, duke përmendur përpjekjet ligjore të Trump për të bllokuar hetimin që po kryen komisioni.

Rekomandimi për ngritje të akuzave penale kundër Clark për pengim të punës së Kongresit, tashmë shkon për votim në Dhomën e Përfaqësuesve, por është e paqartë se sa mund të shtyhet ky proces.

Nëse kjo dhomë e Kongresit voton pro, do të jetë Departamenti i Drejtësisë, që do të vendosë nëse Clark do të ndiqet penalisht.

Në një pjesë të intervistës së Clark të kryer më 5 nëntor në Kongres, të publikuar nga komisioni të martën, stafi dhe anëtarët e tij u përpoqën ta bindin ish-zyrtarin e Departamentit të Drejtësisë që t'u përgjigjej pyetjeve rreth rolit të tij, ndërsa Trump nxiste departamentin të hetonte pretendimet e tij të pabazuara në fakte, për manipulim të gjerë në zgjedhje. Clark ishte shndërruar në një aleat të ish-presidentit ndërsa zyrtarë të tjerë të Departamentit Drejtësisë ishin distancuar nga qëndrimet e tij.

Avokati i Clark, Harry MacDougald, tha gjatë dëshmisë ne Kongres, se Clark ishte i mbrojtur jo vetëm nga privilegji ekzekutiv që Trump pretendon se gëzon për të mos publikuar dokumente, por edhe nga disa privilegje të tjera. Komisioni i hodhi poshtë këto qëndrime. Clark u larguan nga komisioni pas rreth 90 minutash.

Sipas një raporti të fillimit të këtij viti nga Komisioni Gjyqësor i Senatit, i cili zhvilloi seanca dëgjimore me disa nga kolegët e Clark, trysnia e Trump ndaj Departamentit të Drejtësisë kulmoi me një takim në Shtëpinë e Bardhë, gjatë të cilit presidenti mendoi ta ngrinte në detyrë Clark, duke i dhënë pozitën e Prokurorit të Përgjithshëm. Ai nuk e ndërmorri një hap të tillë pas kërcënimeve me dorëheqje nga ana e disa ndihmësme të tij.

Pavarësisht pretendimeve të rreme të Trump lidhur me zgjedhjet, pretendime që ishin dhe motivi kryesor që një turmë e dhunshme hyri në Kapitol dhe ndërpreu procesin e certifikimit të fitores së Biden në zgjedhje, rezultatet u konfirmuan nga zyrtarët shtetërorë dhe u mbështetën nga gjykatat. Vetë Prokurori i Përgjithshëm i zgjedhur nga Trump, William Barr, tha në dhjetor të 2020 se Departamenti i Drejtësisë nuk gjeti prova për manipulim të përhapur që mund të kishte ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve.

Votimi i komisionit sot (të mërkurën) vjen pasi ish-ndihmësi më i lartë i Trump në Shtëpinë e Bardhë, ish-shefi i kabinetit Mark Meadows, ka rënë dakord të bashkëpunojë me komisionin për një gamë të kufizuar çështjesh, pas më shumë se dy muaj negociatash. Meadows ka ofruar disa dokumente dhe pritet të ulet për një dëshmi brenda javës së ardhshme. Por avokati i tij ka thënë se Meadows do të refuzojë t'u përgjigjet pyetjeve specifike.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja