TIRANE - Infermierët ndihen të pambrojtur dhe të pasigurt. Kështu është shprehur Presidenti i Urdhrit të Infermierit, Sabri Skënderi dy ditë pas dhunës ndaj ndihmësmjekut në QSUT, i cili u qëlluar me karrige në kokë nga një pacient.

Në një prononcim për mediat, Sabri Skënderi duke theksuar se bluzat e bardha ndihen të kërcënuara tha “Ne i kemi analizuar këto raste aktualisht konstatojmë se një nga shkaqet e kësaj dhune është perceptimi i gabuar që është krijuar tek publiku për bluzat e bardha”.

Nga ana tjetër, Sabri Skënderi i bëri apel qytetarëve që të vlerësojnë bluzat e bardha. “Punonjësit e shëndetësisë janë punonjësit e dhimbjes janë njerëz të sakrificës. I bëjmë thirrje publikut që të vlerësojnë bluzat e bardha për punën që bëjnë”, tha ai.

Sipas tij, në tre vite janë evidentuar 16 raste të dhunës fizike dhe psikologjike.

Dy ditë më parë, ndihmësmjeku Ruzhdi Merja në hyrje të repartit të Urologjisë në QSUT, u godit me karrige në kokë nga një pacient që priste të kryente goditjen e gurëve në veshka. Sipas burimeve nga QSUT pacientit nuk iu dha ndihma për shkak të mosfunksionimit të aparaturës nga mungesa e energjisë elektrike.

Redaksia Online
(Gre.M/ad.ti/shqiptarja.com)