Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ka reaguar pas sulmit terrorist në mbrëmjen e së hënës në Bruksel ku mbetën të vrarë dy shtetas suedezë dhe një tjetër u plagos. Ai ka dënuar të gjitha aktet e terrorit.
Hasani ka shprehur ngushëllimet e tij për familjet e viktimave.
“Ne qëndrojmë me miqtë tanë belgë dhe suedezë në këtë moment të tmerrshëm që po kalon Brukseli. Ne dënojmë fuqishëm të gjitha aktet e terrorit. Ne lutemi për viktimat e këtij sulmi frikacak dhe jemi me familjet e tyre në këto momente të tmerrshme”, shkroi Hasani në X (ish-Twitter).
Një ngjarje e rëndë ndodhi dje në Bruksel ku fatkeqësisht humbën jetën dy tifozë të Suedisë, të cilët kishin udhëtuar për të ndjekur ndeshjen kualifikuese kundër Belgjikës për Euro 2024. Ngjarja ka ndodhur në qendër të kryeqytetit ku 45-vjeçari, Abdesalem Lassoued, hapi zjarr me kallashnikov në turmë. Ditën e sotme u raportua se autori ka ndërruar jetë pasi u qëllua me armë zjarri. Ai ishte me origjinë nga Tunizia i cili ndodhej në Belgjikë ilegalisht.