KAMËZ - Detaje të reja janë zbuluar nga sulmi me armë zjarri që një 18-vjeçar kreu mbrëmjen e 26 qershorit drejt një servisi celularësh në Babrru.
Policia njofton se adoleshenti Rejsi Muça qëlloi 2 herë me kallash drejt servisit të celularëve, që në ato momente ishte i mbyllur.
Veprimi kriminal i 18-vjeçarit dyshohet të ketë ardhur pas një debati me pronarin e servisit të celularëve, ku kishte dërguar një telefon për ta rregulluar. I pakënaqur me rezultatin e shërbimit, i riu ka debatuar me pronarin e servisit, duke përshkallëzuar në sulmin me armë zjarri më vonë.
Fatmirësisht nuk raportohet për njerëz të lënduar, por dëme materiale në fasadën e jashtme dhe në ambientet e brendshme të servisit.
Adoleshti u kap nga policia rreth 3 kilometra larg vendit të ngjarjes teksa tentonte të largohej. Gjithashtu, gjatë kontrollit të zonës u gjet dhe u sekuestrua arma e zjarrit automatike, e përdorur në ngjarje, si dhe municion luftarak.
Njoftimi i plotë i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, pas marrjes së njoftimit se në Babrru një shtetas kishte qëlluar me armë zjarri në drejtim të një servisi celularësh, organizuan menjëherë një operacion policor për identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e autorit.
Nga veprimet hetimore u dokumentua se autori i dyshuar, shtetasi R. M., 18 vjeç, pas një konflikti për motive të dobëta me pronarin e servisit, shtetasin Xh. I., ka qëlluar dy herë me armë zjarri automatike në drejtim të biznesit, duke shkaktuar vetëm dëme materiale në fasadën e jashtme dhe në ambientet e brendshme.
Në kuadër të operacionit policor “Zbulimi” të organizuar dhe të zhvilluar në një kohë shumë të shkurtër, shërbimet e Policisë lokalizuan, rreth 3 kilometra larg vendit të ngjarjes, kapën dhe vunë në pranga shtetasin R. M., 18 vjeç.
Gjatë kontrollit të zonës u gjet dhe u sekuestrua arma e zjarrit automatike, e përdorur në ngjarje, si dhe municion luftarak.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Komente








