Çorbë me hithra të njoma

Përbërësit:

  • 350 gr hithra të njoma
  • 1 litër lëng perimesh ose ujë
  • 300 ml qumësht
  • 1 qepë mesatare
  • 2 thelpinj hudhër
  • 2 lgj gjalpë (ose 1 gjalpë + 1 vaj ulliri)
  • 1 e 1/2 lgj miell
  • 1 kokërr vezë
  • 1 lgj kos ose 2 lgj pana
  • Kripë, piper i zi, arrë moskat
  • Koper ose majdanoz të freskët
  • Lëng limoni ose pak uthull e bardhë

Përgatitja:

Lajmë mirë hithrat me dorashka dhe presim majat e buta. I vendosim në ujë të vluar më kripë për 8–10 minuta. Më pas i kullojmë dhe pasi të ftohen pak i presim imët. Në një tenxhere, shkrijmë gjalpin (ose përziejmë gjalpë me vaj ulliri) dhe kaurdisim qepën e grirë hollë derisa të zbutet dhe të marrë ngjyrë të artë. Shtojmë miellin dhe e përziejmë me tel kuzhine derisa të marrë një nuancë të lehtë dhe aromë të thellë. Më pas shtojmë hudhrat e grira ose të shtypura, e përziejmë për 1 minutë dhe shtojmë gradualisht lëngun e perimeve, duke e trazuar pa ndaluar që të mos formohen kokrriza. E lëmë të vlojë lehtë për 5 minuta. Shtojmë qumështin ngadalë, duke e përzier. Kur të nxehet, shtojmë hithrat e grira dhe e lëmë çorbën të ziejë në zjarr të ulët për 10 minuta. Rregullojmë shijen me kripë, piper dhe arrë moskat. Ndërkohë në një tas rrahim vezën me kosin ose panën, marrim pak lëng nga çorba e nxehtë për të shmangur mpiksjen dhe e hedhim menjëherë në tenxhere duke e trazuar lehtë, pa e lënë të vlojë më. Shtojmë pak koper ose majdanoz të freskët për aromë dhe në fund hedhim pak lëng limoni ose një pikë uthull për freski dhe ekuilibër.

Këshilla nga Albana: Shërbeje të ngrohtë, me pak djathë të bardhë të thërrmuar sipër dhe bukë të thekur me vaj ulliri e hudhër. Nëse do një prekje më rustike, mund t’i shtosh pak patate të ziera të shtypura për një strukturë më të plotë.