Salcë me perime të pjekura
Përbërësit:
- 2 domate të mëdha
- 1 qepë e kuqe
- ½ qepë e bardhë
- 1 patëllxhan
- 1 kungulleshkë
- 2 speca jeshilë
- 1 spec djegës jeshil
- 1 kokërr hudhër
- 2 lgj vaj ulliri
- 1 limon jeshil
- Kripë, piper
- Majdanoz
Përgatitja:
Vendosim fetat e domates, kungulleshkës, patëllxhanit, qepës, specave, hudhrën e larë me gjithë lëkurë dhe limonin jeshil në një tas të madh. I spërkatim me vaj ulliri, kripë dhe piper dhe më pas i vendosim në skarë ose në furrë (të parangrohur) duke përdorur një letër alumini. I lëmë perimet për 10-15 minuta duke ndërruar anë për të garantuar një pjekje të plotë. Më pas i lëmë në një tabaka që të ftohen. Pasi të jenë ftohur, heqim cipat e hudhrës, domateve, specave dhe qepëve. Limonin e pjekur e shtrydhim lehtë dhe lëngun e hedhim direkt në mikser. Shtojmë në mikser perimet dhe lëngjet, shtojmë majdanozin dhe miksojmë përbërësit derisa salca të arrijë trashësinë e preferuar. Rregullojmë shijen me piper të zi dhe kripë dhe i miksojmë edhe një herë të fundit. Nëse dëshirojmë salcën mund ta përgatisim edhe pa mikser, mjafton që të shtypim të gjithë përbërësit mirë derisa masa të bëhet homogjene. E vendosim salcën në një kavanoz qelqi dhe e servirim të ftohtë si garniturë për gatime të ndryshme.