TIRANE - Java e 21-të e kategroisë Superiore në futbollin shqiptar pritet që të dhurojë shumë emocione, pavarësisht se vendi i parë është përcaktuar tashmë, lufta është e hapur për zonën e Evropës dhe zonën e ftohtë të rënies nga kategoria. Kështu përvec ndeshjes mes Sknëderbut dhe Tiranës, fundi i renditjes pritet që të jetë i nxehtë.

Ndeshja hapëse e Superligës do të jetë mes ekipit të Besës së Kavajës dhe ekipit të Kastriotit të Krujës. Ndeshja është mjaft përcaktuese për ekipin e Besës, pasi ndodhet pranë rënies, nëse do të fitonte me krutanët do të hidhte një hap të sigurt drejt sigurimit të pjesëmarrjes në Superligë edhe për edicionin tjetër.

Në prag të ndeshje trajneri i ekipit të Besës, Përparim Daiu që ka luajtur një rol vendimtar në marrjen e rezultateve pozitive në javët e fundit shprehet optimist për të marrë tre pikët e mbijetesës. ‘Ndeshja me Kastriotin është një nga finalet për Besën, që duhet ta fitojmë me cdo kusht.

Kam besim që do ja dalim që të marrim pikët e plota, ekipi është në gjendje shumë të mirë dhe gati për të zbritur në fushë” deklaron Daiu. Ndërsa ekipi i Kastriotit e ka siguruar qëndrimin në Superligë, por nuk pritet që të lëshojë pe në Kavajë, pasi në javët e fundit nuk ka marrë shumë rezultate pozitive dhe është nën presion nga drejtuesit për tu rikthyer te fitorja.

Por një fitore e ekipit të Besës sot, nëse do të pasohej nga një humbje e ekipit të Luftëtarit nesër në Vlorë do të thoshte se Besa shpëton përfundimisht nga rënia, pasi në kategorinë e parë do të zbrisnin Shkumbini, Apolonia, Tomori dhe Luftëtari.

Pasi diferenca me Luftëtarin do të shkonte në 9 pikë duke e mbyllur kapitullin e ekipeve që përcaktohen për të zbritur në kategorinë e parë kur kanë mbetur edhe pak javë, megjithatë matematikisht akoma nuk është përcaktuar asgjë. Nesër luhet për zonën evropiane, në garë janë Vllaznia, Flamurtari, Tirana dhe Teuta që do të luftojnë deri në momentet e fundit për të marrë një biletë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 06.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)