Kryesuesit nuk e kanë nisur me këmbën e mbarë fazën e dytë të kampionatit duke vazhduar me hapat falsë të fundit të fazës së parë.

Kështu, Skënderbeu dhe Teuta janë ndalur në transfertë përballë Besës dhe Bylisit. Kampionët e Shqipërisë përpos faktit që janë ndalur, kanë shpëtuar nga humbja në minutat e fundit të ndeshjes në Kavajë.

Besa e nis mjaft mirë ndeshjen përballë ekipit të Skënderbeut duke luajtur i barabartë, por nuk mbetet pa përgjigje edhe nga korcarët që rrezikojnë në disa raste për të shënuar, por vendasit mbrohen mirë duke mos lënë hapësira.

Në fundin e pjesës së parë, pas një krosimi nga krahu i djathtë, Sefa godet saktë me kokë duke mposhtur portierin mik dhe dërguar ekipin e tij në dhomat e zhveshjes me fitore. Në pjesën e dytë Skënderbeu insiston pa fund dhe 4 minuta nga fundi arrin të gjejë rrjetën me kapitenin Shkëmbi duke marrë një pikë.

Nga ndalja e Skënderbeut nuk përfiton Teuta që në debutim me Sorrentinon nuk shkon më shumë se një barazim 2-2. Teuta kaloi dy herë në avantazh në Ballash, fillimisht me Xhafajn, por Kuli barazon shpejt, më pas shënon përsëri Dosti, por Kuli nuk lejon humbjen dhe vendos barazpeshën për herë të dytë.

Kukësi vazhdon marshimin duke fituar 1-0 me Lushnjen, por rezultati i ngushtë nuk tregon atë që ndodhi në lojë, pasi vendasit mund të kishin thelluar diferencën me lojën e mirë që zhvilluan në 90’. Golin e shënoi Smajli në të 70’. Pas kësaj jave vazhdon të udhëheqë Skënderbeu i ndjekur nga Teuta.


d.b/shqiptarja.com