Superliga shqiptare e futbollit nisi këtë të premte me raundin e 29-të. Në stadiumin "Elbasan Arena" vendasit e AF Elbasanit barazuan 0-0 kundër Egnatias. Të besuarit e Ivan Gvozdenovic nuk mundën të merrnin tri pikë në shtëpi kundër kampionëve në fuqi të vendit, por sërish ngjiten në krye të Superligës (kanë një ndeshje më shumë) pas një përballjeje që u shoqërua me shumë tension dhe dy kartona të kuq.

Ndeshja nisi me dy skuadrat që po studionin njëra-tjetrën. Në minutën e gjashtë, pas një faulli antisportiv në dëm të Sotës dhe pas pamjeve në VAR, kryesori Andi Koçi i akordoi kartonin e kuq direkt futbollistit të AF Elbasanit, Insa Boye. Në minutën e 29-të forcat në fushë u barazuan pasi Flamur Ruçi la Egnatian me një lojtar më pak, pas daljes me dy kartona të verdhë.

Pjesa e mbetur e sfidës solli tension në fushë dhe në shkallët e stadiumit. Një përplasje pranë flamurit të këndit ku ishin të vendosur ultrasit e AF Elbasanit, bëri që këta të fundit të hidhin sende të forta dhe kapsolla në fushë, duke goditur anësorin e FIFA-s, Rejdi Avdo. Pas pak çastesh ndeshja vijoi normalisht.

Në pjesën e dytë rastet më të mira i pati AF Elbasani me të përhershmin Xhonathan Lajthia, por në një moment gardiani Mario Dajsinani ishte në lartësinë e detyrës. Në fund të dyja skuadrat ndanë nga një pikë, teksa në stadium kishte afro 6 mijë tifozë.

Kujtojmë se për Egnatian në stol nuk ishte trajneri Edlir Tetova (e ndoqi ndeshjen nga tribunat), i pezulluar me gjashtë muaj nga Disiplina. Veç tij janë pezulluar me pesë ndeshje edhe trajneri i portierëve dhe ndihmësit e tjerë të trajnerit. Plot nëntë dënime për stafin dhe zyrtarët nga Disipina në dëm të rrogozhinasve.

Pas ndeshjes së parë të këtij raundi, AF Elbasani me 53 pikë merr kreun e renditjes, një më shumë se Vllaznia që luan nesër kundër Dinamos në 'Loro Boriçi'. Kjo javë mbyllet të dielën me sfidën KF Tirana - Vora.

Superliga shqiptare e futbollit, raundi i 29-të:

E premte, 20 mars 2026

AF Elbasani 0-0 Egnatia

E shtunë, 21 mars 2026

15:00 Bylis - Flamurtari

18:00 Teuta - Partizani

18:00 Vllaznia - Dinamo

E diel, 22 mars 2026

15:00 KF Tirana - Vora

Renditja: