TIRANË - Superliga shqiptare e futbollit mbylli këtë të shtunë raundin e 23-të. Në stadiumin 'Selman Stërmasi' vendasit e KF Tiranës barazuan 1-1 në derbi kundër Dinamos. U desh raundin i 23-të që Tirana ta shohë veten jashtë zonës së ftohtë, paçka se për momentin ndodhet në play-out.

Bardheblutë kanë dy muaj pa humbje dhe këto rezultate kanë dhënë shpresë se klubi më i titulluar në futbollin shqiptar do shpëtojë sezonin. Nga ana tjetër, Dinamos e Ilir Dajës ka pesë ndeshje pa fituar në elitë. Për të gjetur fitoren e fundit të 'Nëndetëses' duhet të kthehemi më 23 dhjetor 2025, në suksesin 1-3 kundër Partizanit.

NDESHJA - Përballja në 'Selman Stërmasi' u zhbllokua që 'nga tuneli', kjo pasi Falaye kaloi Tiranën në epërsi pas vetëm 41 sekondave lojë. Një pasim me kokë nga Tabekou, bëri që sulmuesi të shtynte sferën në rrjetë, i harruar nga prapavija e 'Bluve'.

Ndeshja më pas ishte me raste dhe ritëm, teksa Dinamo kishte disa herë shansin për barazim. Minuta e 17-të solli një 11 metërsh për Dinamon, por ai që e fitoi, Dejvi Bregu, goditi jashtë porte. Për afro 60 minuta Dinamo luajti me një lojtar më pak në fushë, kjo pasi Goudiaby u ndëshkua me kartonin e kuq nga kryesori Enea Jorgji, pasi një sherri masiv në mesin e fushës.

Megjithatë, në pjesën e dytë ekipi i Ilir Dajës gjeti forcën dhe barazoi me autor Koma Mustapha vetëm tetë minuta para fundit. Kështu, Tirana vijon formën e mirë, ndërsa 'kriza' ka kapluar Dinamon.

Pas raundit të 23-të është Vllaznia që kryeson Superligën me 45 pikë, tre më shumë se AF Elbasani. Ndërkohë Tirana me 21 pikë del nga zona që të rrëzon direkt në Kategorinë e Parë dhe mbetet në play-out. Sfida e radhës në kampionat për Tiranën është më 15 shkurt dhe kalendari ka rezervuar derbin kundër Partizanit.

Pas këtij raundi skuadrat do mendojnë për ndeshjet çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, me takimet që do luhen mesjavën që vjen.

Superliga shqiptare e futbollit, raundi i 23-të:

E premte, 06 shkurt 2026

13:30 Bylis 1-2 Partizani

13:30 Vllaznia 1-0 Vora

16:30 AF Elbasani 2-1 Teuta

19:00 Flamurtari 0-1 Egnatia

E shtunë, 07 shkurt 2026

13:30 Tirana 1-1 Dinamo ('Selman Stërmasi')

Renditja: