TIRANE- Qytetarët e Përmetit kanë surprizuar ditën e dielë, pasi në kutitë e votimit kanë votuar kandidatin e Partisë Demokratike Niko Shupulin, votë kjo historike për këtë forcë politike, pasi asnjë nga kandidantët e PD nuk kanë fituar në zgjedhjet e shkuara në Përmet.

Kandidati i djathtë Niko Shupuli, me profesion inxhinier elektrike ka arritur të marrë rreth 60 për qind të votave. Ndërsa kandidati i majtë Gilberto Jaçe ka humbur zgjedhjet, pas rikandidimit të tij për postin e kryebashkiakut, duke marrë më pak se 40 për qind të votave. Kjo është humbja më e thellë e një partie në një bastion. Rezultati ka qenë i thellë dhe se kandidati i PS, ka uruar kundërshtarin e tij të sapozgjedhur, njëherësh ka kërkuar falje elektoratit të tij.

Pas humbjes, Jaçe bëri këtë postim në FB: “Të dashur bashkëqytetarë! Në radhë të parë falënderoj të gjithë ata që besuan të alternativa jonë dhe na mbështetët. U kërkoj ndjesë që nuk arrita ti çoj drejt fitores dhe marr përsipër çdo lloj përgjegjësie për humbjen. Takova kryetarin e sapozgjedhur të bashkisë dhe e urova për fitoren. Shpresoj shumë që në këto katër vjet të këtë sukses për të mirën e të gjithë qytetarëve përmetarë!”.

Bashkia Poliçan
Adriatik Zotkaj, rikonfirmon mandantin e tij të pestë në bashkinë e Poliçanit. Zotkaj në këto zgjedhje ai ka garuar si kandidat i “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, duke arritur të marrë 5482 vota, ndërkohë kundërshtari i tij i Partisë Demokratike Florian Qama, ka mundur të marrë vetëm 2025 vota. Zotkaj në zgjedhjet e kaluara ka fituar nën ngjyrat e Partisë Demokratike, me Partinë PBDNJ të Vangjel Dules, me LSI dhe Partinë Socialiste.

Bashkia Mallakastër
Garë e fortë elektorale është zhvilluar për bashkinë e Mallakastrës. Në këtë zonë kanë kandiduar për PS Shyqyri Kapllani dhe për Partinë Demokratike Agron Kapllanaj. Ky i fundit ka mundur të fitojë me 10883 vota kundrejt 8728 vota që ka marrë rivali tjetër i Partisë Socialiste.

Bashkia Skrapar
Fitore bindëse ka marrë kandidati i LSI në Skrapar. Nesim Spahiu ka marrë 6593 vota, ndërkohë që kandidati i Partisë Demokratike ka mundur të marrë vetëm 1216 vota. Skrapari njihet si bastion besnik i Lëvizjes Socialiste për Integrim, i cili ka votuar gjithmonë kandidatët e kësaj force politike.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 23 Qershor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)