Surrat Gaz

Surrat Gaz

Surrati i spiunit, surrati i sekretarit, surrati i komshiut, surrati i drejtorit, surrati i kolegut, surrati i pedagogut, surrati i puntorit, surrati i kunatit, surrati i baxhanakut, surrati i vjehrrit, surrati i shokut të ushtrisë, surrati i shokut të zborrit, cilësoheshin surrat qen, surrat derr, surrat majmun, surrat gjarpër, surrat skuth, surrat Gaz. Shtrembërimi katastrofik i surratit të shqiptarit ndodhi kryesisht falë mardhënies së atij surrati me një send, me një makinë, me një automobil të vogël rus që edhepse ishte pikërisht e kundërta e të qeshurës quhej Gaz.

Nomenklaturistët kishin nga një Gaz. Gazi i drejtorit, Gazi i sekretarit, gazi i shokut kadri, Gazi i shokut Hekuran, gazi i shokut Pilo, ishin nga gazat më të njohur.
Gazi nuk ishte projektuar aspak për shokun Mehmet as për shokun Simon apo shokun Manush, por për tjetër gjë, për ndjekje, arrestime, internime.
Tmerri i rrugëve, rrugicave, lagjeve, fshatrave, ishte gazi i Degës.
“Erdhi Gazi” ! tmerronte të madh e të vogël.

Gazi të dilte përpara si ujk, të kalonte anash si dhelpër, të vinte nga mbrapa si zagar.
Gazi kalonte dhe frenonte zhurmshëm edhe pa ndonjë shkak të dukshëm, vetëm për tu kallur datën surretërve që Gazin e kishin frikë, madje e nderonin.
Misteri i shfytyrimit monstruoz të spiunave, servilave, sahanlëpirësve, zorraxhinjve, dhe të gjithë edepsëzëve të tjerë, nuk mund të kuptohet pa kqyrur si duhet surratin e Gazit.
Me parafango, fenera, xhama, llamarina, pasqyra, goma, surrat kafsha, surrat bisha, surrat vrasësi, surrat krimineli, e gjithë pështirosja njerëzore, egërsia, ftohtësia, ligësia, memecllëku, budallallëku, tuhafllëku, turpi, llumi, mungesa e stilit, mungesa e elegancës, mungesa e finesës, ishin në surratin e përbindëshit metalik të quajtur Gaz.

Surrati i Gazit të dhunës dhe surrati i shqiptarit të keq jepnin e merrnin për ti ngjarë njëri-tjetrin.
Njerëzit normalë i largoheshin Gazit për ti bishtnuar rrezikut të ngjajshmërisë.
Zagarët i afroheshin. Nuk e kishin problem që surrati u bëhej si i Gazit.
Shumë shqiptarë ranë në dashuri me Gazin si me xhelatin. Me kalimin e kohës surrati i shqiptarit u bë si surrati i Gazit dhe shqiptari u bë si Gazi…i botës.
Që një popull i tërë të binte në dashuri me një makinë, dhe ta linte surratin e vet të bëhej si surrati i asaj makine, kjo vetëm në Shqipëri ka ndodhur.

Ka sot jo pak shqiptarë me surrat aq të deformuar sa Mitsubishin ose Fordin e Komisariatit të Policisë e quajnë Gazi i Degës.
Meqënse nuk duhej ta ndryshonin njerëzit Gazin por Gazi njerëzit, gjatë dhjetra viteve Gazit nuk ju bë asnjë përmirësim apo modernizim, nuk ju ndryshua asnjë vidë.
Pasi ta shohin Gazin në ndonjë muze, brezat e ardhshëm do thonë;
Ja pse s'bëkemi hajër. Na i paska përdhunuar gjyshërit një makinë.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

AMF mbledh sektorin financiar për festat! Kaçi: Prioritet zbatimi me transparencë i rregullores së faktorëve të riskut!

AMF mbledh sektorin financiar për festat! Kaçi: Prioritet zbatimi me transparencë i rregullores së faktorëve të riskut!