Surrati ynë në pasqyrë

Surrati ynë në pasqyrë
Më në fund dikush e tha. Ashtu troç. Me gjuhë jokonvencionale ashtu siç është edhe vetë, me vrazhdësinë e natyrshme, mbase vetëm për të dhe të paktit si ai në këtë shoqëri.

“Sot ishte testi i dallavereve, jo i arritshmërisë” e tha ai, vetë drejtori i Arsimit të Kryeqytetit, i tmerruar me atë që kishte parë dje gjatë vizitave në disa shkolla të nënta në Prishtinë, ku për klasat e nënta është mbajtur testi nacional i arritshmërisë.
“Kam parë gjithçka tjetër përveç rregullit” thotë zyrtari më i lartë i arsimit me kurajën morale të paparë ndër zyrtarët tanë.

Ndër ata zyrtarët që, ju kujtohet, me neologjizma e frazeologji bajate në raste të tilla të flasin për “suksesin e madh” , për mbarëvajtjen e testit gjatë të cilit të rinjtë tanë, ardhmëria e vendit kanë treguar rezultate të kënaqshme. Se madje kjo flet për cilësinë e arsimit dhe, pashmangshëm, nuk harrojnë të falënderojnë gjithë arsimtarët, nxënësit e mbikëqyrësit, që kanë kontribuar në mbarëvajtje të kënaqshme.

Ai është ndryshe. Krejtësisht ndryshe. I vizitova të gjitha qendrat e testimin në Prishtinë dhe nëpër klasat e testimit bëhej zhurmë, nxënësit komunikonin me njëri-tjetrin, ngriheshin nga vendi, mund të kopjonin, të tjerë përdoreshin telefonat, e thotë ai të vërtetën lakuriq, madje e bën botërisht të qasshme edhe nëpërmjet postimit në rrjetin social të “Facebook”-ut.

Si të mos jetonte me jetën e këtij nënqielli ai e përjeton si shumë të pazakonshme diçka që moti kohë na është bërë pjesë e jona e pandashme, mënyrë dhe filozofi e jetës sonë, meqë e bëjmë “sa për sy e faqe”.

Më e keqja është se e gjithë kjo shihej si e zakonshme, si normale nga shumica e nxënësve, administratorëve dhe anëtarëve të komisioneve. Si duket, i vetmi që kishte probleme me perceptimin isha unë, thotë Isuf Thaçi njeriu me pazakonshmërinë e admirueshme.

Pas asaj që kishte parë, siç duket vetëm ai, drejtori vërtet i pazakonshëm, ka bindjen se urgjentisht, menjëherë të themelohet një mekanizëm për mbajtjen e testeve kombëtare, ashtu që të vlerësohet realisht secili nxënës.

Urgjentisht të themelohet Qendra Shtetërore për Vlerësim dhe Standarde, me gjithë infrastrukturën e duhur, me kuadro e mjete për të administruar të gjitha testet nacionale në përputhje me procedurat, kriteret dhe standardet ndërkombëtare. Megjithatë kjo, edhe ai e di, s’ka gjasë të bëhet së shpejti në këtë vend. E deri atëherë...?

Deri atëherë na mbetet vetëm të vajtojmë se në çfarë gjendje jemi, ku kemi rënë, thotë jo pa primesë dëshpërimi.
Atyre që mund të thonë se drejtori paska veç llafe, se vetëm po flet, por kur ka parë gjithë ato mangësi pse nuk ka marrë masa, ai ka shpjegimin të cilit vështirë t’i gjendet ceni.

Problemi nuk është organizimi që parimisht, e pranon edhe ai, ishte në nivel. Do të thotë, sa i përket formës në rregull ishte, por problemi kryesor, më i madhi problem, është brenda nesh.

Problemi është te mentaliteti i të gjithë të përfshirëve në këtë proces (nxënësit, administratorët e komisionet), për të cilët, thotë ai, të gjitha këto lëshime janë normale dhe të tolerueshme. Ai është i vetëdijshëm se ky mentalitet, ashtu siç nuk është krijuar as që mund të ndryshohet brenda ditës. Me ndonjë masë apo vendim që vetëm mund të plotësojë formën por jo të përmbushë përmbajtjen.

Çfarë të them? Veç thënien Cezariane: “Vajta, pashë, u lemerisa! Zot dënoi, sepse do duhej ta dinin çfarë po bëjnë, thotë vetë drejtori që me jokonvencionalitetin e tillë, si askush tjetër, dje ka thyer tabutë.

Isufi e bëri të vetën. Si ai që kishte parë “Mbretin Cullak” e tha atë që duhej thënë. Pa ekuivoke. Shokuese më në fund kjo shoqëri, më shumë se për bukën ka nevojë për të vërteta të tilla ndryshe, zor se do të këndellemi nga kjo letargji e së keqes.
Me guximin e Isufit vërtet duhet ta shohim drejt në sy surratin tonë të vërtetë në pasqyrë. I tillë çfarë është. Para pasqyrës, çka mendoni, do ta puthnim apo do ta pështynim surratin tonë.
Nëse ndodh kjo e dyta, megjithatë ka gjasa..!

  • Sondazhi i ditës:

    Lista e pasurive imobiliare e Familjes Berisha ju duket?



×

Lajmi i fundit

Dështon protesta e opozitës te Bashkia e Tiranës, e braktisin edhe militantët

Dështon protesta e opozitës te Bashkia e Tiranës, e braktisin edhe militantët