Gazetari Pano Xhixho, njëkohësisht edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, për Report TV thotë se Shqipëria e kishte të vështirë të fitonte kundër Çekisë për disa arsye. Sipas tij kuqezinjtë u ndeshën me një kundërshtar me vlera, fizikisht të fortë dhe që kanë çmime kartonash shumë të lartë në treg.
“Në një atmsoferë elektrizuese, në një stadium sold-out ekipi kombëtar na bën krenar sidomos kur fiton, kur mer kreun e grupit që ne e prisnim. Çfarë nuk shkoi? Nuk shkoi që nuk shënuam, por siç mund të shënonim ashtu edhe mund të pësonim. Ndonjëherë në futboll duhet të jemi të ndërgjeshëm se përballemi me skuadra ndoshta më të forta se ne. Çekia aktualisht është me vlerë tregu më të lartë se ne, por edhe fizikisht mund ta themi. Nëse marrim raste, sidomos 20-25 minuta e para ishim me fat që nuk pësuam gol. Më pas filluam ta marrim veten. Ekipi ynë kombëtar zhvilloi në pjesën e dytë një volum të lartë loje, por duhet të konkretizonim. Ndoshta edhe me largimin e Asanit që ata konkretizonin u pakësuan,"-tha ai.
Xhixho gjithsesi kishte edhe një vërejtje për trajnerin Sylvinho, i cili sipas tij u qëndron besnik skemave të tij, duke i rënë në kurriz disa lojtarëve me cilësi. Referuar Muçit dhe Uzunit, të cilët u aktivizuan si zëvendësues në pjesën e dytë.
“Gjithë stadiumi dhe opinioni e thotë këtë. Kjo jo sepse ne duam ti shohim ata në fushë, por në momentin që ata u aktivizuan, si Muçi ashtu edhe Uzuni, Shqipëria filloi të merrte pak ngjyra sulmuese. Me futjen e Muçit e Uzuni patëm ndonjë mundësi më shumë. Gjithsesi ne mund të kishim pësuar edhe me ata në fushë, por që ne duhet të rrezikonim më shumë. Sylvinho kam përshtypjen se është pak konservator tek bindjet dhe skemat që ka krijuar në kokë dhe e ka shumë të vështirë të ndryshojë. Unë jam i sigurtë se si Muçi ashtu edhe Uzuni janë pre e skemave të tij sepse ai do të luajë me 3 sulmues ku dy anësoret duhet të futen nga brenda. Si Asani dhe Bajrami. Muçi dhe Uzuni nuk i kanë këto cilësi, por kanë cilësi të tjera. Në fakt Muçi dhe uzuni po shënojnë rregullisht. Ndoshta ndonjëherë duhet dhe një skemë tjetër kur këta të dy të jenë kulmi i sulmit,”-u shpreh ai.
Në fund Xhixho u shpreh se Kosova veproi drejt që u tërhoq nga ndeshja me Rumaninë dhe sipas tij UEFA duhet të marrë masa që futbolli të luhet në çdo fushë njësoj. Sipas Xhixhos ndryshe i pritën çekët shqiptarët dhe ndryshe i pritën shqiptarët çekët.