Ishte kryeministri Edi Rama, i cili pas vendimit të qeverisë për t’i legalizuar këto pallate, u shpërndau banorëve certifikatat e pronësisë.
Një premtim i realizuar në më pak se 300 ditë qeverisje, ndërkohë që sipas kryeministrit në këto ditë janë legalizuar më shumë seç ka bërë ish-qeveria Berisha në 8 vjet edhe pse, sic tha Rama i kishin të gjitha mundësitë për t’iu dhënë titullin e pronësisë, por nuk e bënë, -tha ai.
“Një plagë e vjetër, që juve ju kutjohet më mirë, përpara 3 vjetësh Kryetari i Bashkisë së Tiranës, atëherë kandidat, iu premtoi se do ta shëronte sapo të hynte në zyrë dhe në fakt akuzoi Bashkinë e mëparshme që e kishte lënë këtë plagë të hapur dhe që 1200 familje që janë në godinat e quajtura të Hawait, por bashkë me to mijëra familje të tjera në 210 pallate të Tiranës, nuk arrijnë dot të kenë titullin e pronësisë, nuk marrin dot dokumentin në hipotekë që provon se shtëpia është e tyre. Kishin gjithçka që duheshin për t’i dhënë në dorë dokumentin e pronësisë familjeve të gjithë këtyre godinave duke i kthyer nga familje që kanë blerë shtëpitë po s’ia njeh kush në pronarë, dhe nuk e bënë. Dhe ne kemi ardhur sot sepse e bëmë në më pak se 300 ditë. Në më pak se 300 ditë më shumë legalizme seç kanë bërë ata në 8 vjet. Llogariteni se çfarë kanë bërë ata. Këto janë pallate pa leje ndërtimi, jo për fajin tuaj, janë pallate që janë shitur pa dokumente dhe janë pallate për të cilat ndërtuesi, investitori nuk ka shlyer asnjë detyrim ndaj shtetit”, tha Rama para banorëve të pallateve Hawai.
Rama ftoi banorët t’i drejtohen ALUZIN-it për të përmbyllur këtë proces brenda dy muajve, një proces i cili nuk do tu kushtojë atyre asnjë lekë.
“Do ju jap dokumentin e legalizimit dhe ju nuk do paguani asnjë kokërr leku. Ju keni dy muaj kohë për të bërë gjithë procedurat që janë të nevojshme për të cilat do t’iu asistojnë ALUIZN-i, ata që nuk i kanë bërë, se ka që i kanë bërë. Për ata që janë në emigrim, për ata që s’kanë asnjë letër, presim që çdo familje të interesohet pranë ALUIZN-it. Do vij ALUIZN-i pranë jush për të ndihmuar në plotësimin e të gjithë dokumenteve, s’do ketë përsëritje të historisë së shëmtuar që: Ço dokument e humb dokumente, paguaj për të futur dokumente e paguaj për të nxjerrë e në fund fare të gjithë me gisht në gojë”, u shpreh Rama.
Dhënia e titullit të pronësisë këtyre banorëve, sipas Ramës, është dhe një mesazh për ata të cilët kanë votuar për Partinë Demokratike të nxitur nga ato që Rama i cilësoi si “dokrra”: Mos i jepnin votën atyre se do ju kthejnë andej nga keni ardhur. “Ndërkohë ata ju lanë më keq se andej nga kanë ardhur dhe ne ju dhamë pronësinë. “Jemi në fillim të punës sonë duke iu bërë realitet atë ëndërr që prej vitesh e shikonit me sy hapur dhe s’u realizua kurrë. Ti gëzoni shtëpitë tuaja”, shtoi kreu i qeverisë.
Rama: Certifikatat falas po i merrni pasi më 23 qershor fitoi vullneti juaj
Gjatë shpërndarjes së Certifikatave të pronësisë Rama iu është drejtuar banorëve përfitues se këto certifikata po i marrin falë fitores së socialistëve në zgjedhjet e 23 qershorit. Ndërsa një banori që prej 5 vitesh kishte aplikuar për legalim, Rama i tha se nëse do kishit votuar kundër do kishit pritur jo 5, por 15 vite të tjera.
“Certifikata e pronësisë falas po i merrni sepse ka fituar vullneti juaj më 23 qershor të vitit të kaluar. Këto certifikate pronësia kanë vlerë edhe për ata që thonë se për fare na duhet të votojmë. Kjo është fuqia e vote , bën të mundur gjera që duken të pamundura.”-tha Rama.
Gjermeni: Momenti më i bukur, kur realizojmë premtimet
Ministrja Gjermeni ndërsa ka falënderuar drejtorin e ALUIZNI-t Artan Lame për punën e bërë, ka vlerësuar edhe punonjësit e tjerë të këtij institucioni.
“Pjesa më e bukur nga koha që kam marrë detyrën është momenti kur shoh se i kemi mbajtur premtimet, uroj t’i gëzoni shtëpitë tuaja.”-tha ministrja Gjermeni.
Fjala e plote e kryeministrit Rama ne takimin me banoret
Redaksia Online
(Gre.M/a.hShqiptarja.com)