Të gjithë janë afaristë/Analiza
nga Bajram Peçi

Qyteti ka qenë dhe është prej kohësh i përmbytur nga afaristët. Ne jetojmë në këtë qytet të mbytur nga grindjet e vazhdueshme të politikës për ndarjen e plaçkës, nga zyrtarë të cilët jetojnë për të të provuar gjithmonë ty qytetar shkeljet e tua ligjore, deri sa ti të paguash.

Duket sikur ky rend me bazë pronën ka  pandershmërinë e mizorinë për ta mbajtur vendin nën tension. Fakti është se sot nuk ka parti që të mos mendojë për interesat materiale të ndonjë grupi të ngushtë shoqëror ose ato vetjake. Dhe kriza e vendit qëndron e gjitha këtu e jo te mos mbajtja  e premtimeve, as te parcelat e kanabisit, as te mënyra se si sillen shqiptarët para kutive të votimit. Ka qenë e do jetë gjithnjë e vështirë për t’i mbërthyer partitë e politikën pas premtimeve. Kjo vlen për të gjithë.

 Pas buzës së greminës të vitit 1997, fati duket se nuk e ka braktisur Shqipërinë. Për shkak të paqes, të ndërrimit të pushteteve pa dhunë, vendi ka pësuar ndryshime, jeta iu kthye normalitetit, deri kur në fund shkurti Kushtetuta me përcaktimet e saj ligjore për mënyrën e ndërrimit të pushteteve, reshti së qeni ideja e një detyrimi. Duke patur dhuntinë dhe aftësinë e afaristit, opozita me vetting-un nuhati rrezikun që kërcënonte strehën e ngritur për t’u mbrojtur vetë e mbrojtur pasurinë.

Ata u bënë frymëzuesit e një lëvizjeje që provokon një krizë të gjatë, madje një precedent të rrezikshëm ligjor. Qytetarët, me kalimin e ditëve po pushtohen nga një ndjenjë pakënaqesie. Për shkak të rebelimit opozitar magjia  e ndryshimeve, ku më së shumti spikatin qëndrat e qyteteve, duket se po largohet, njerëzit janë bërë nervoz, nuk i besojnë kujt më.

Po çfarë mund të bënim tjetër ne? Ne mund të bëjmë tani për tani vetëm atë që mund të bëjmë, t’u themi kush janë:

I. Ky vend është aq i vogël sa s’duhet fare kohë për të kuptuar se pse këto pak gjëra që janë duke ndodhur, ngjasin të ndodhin. Ata na lanë borxhe dhe kjo ndodhi para syve tanë. Askush nuk u muarr me shkakun pse financat i dorëzuan “tokë e djegur”. Edhe gjermanët kur ikën lanë në arkën e shtetit më shumë vlera monetare nga sa la Berisha me Boden  kur dorëzuan pushtetin.

Por më fyesja do vinte më pas. Jo vetëm vetting-u por dhe hetimi parlamentar për CEZ-in e shpejtoi daljen nga Kuvendi. Ultimatumit për zgjedhje elektronike, shpejt ia zuri vendin kërkesa për dorëheqjen e qeverisë. Në çadër, prej 50 ditësh vetëm sa enden vërdallë dhe përsëritin kërkesën të shoqëruar me kërcënime. Si fillim: thirrje për destabilizim dhe “ik se do pendohesh”; më pas: se do të tërheqim zvarrë, do të përfundosh në Lanë, do burgosesh dhe së fundi, mbase do vritesh (fataliteti që shprehu Berisha s’flet për gjë tjetër).

Afaristët e çadrës, nga koha e rebelimit vazhdimisht kështu kanë folur, duke patur në majë të gjuhës se do bëjnë raprezalje. Prej gjuhës së tyre çdo qytetar ka detyrimin të kuptojë se do vijë dita kur i gjithë qyteti do gdhihet në flakë. Ata thonë ato gjëra që do kishin dashur të ndodhnin, por askush se di se çfarë do të ndodhë. Madje dhe Presidenti, i cili u jep shpresë, mund të mos dijë ç’kanë përgatitur.

Rreziku më i madh që i kanoset këtij vendi vjen pikërisht ngase ata janë në kaos, të paorganizuar, të paqartë, jo çdo gjë në repartin e tyre e kanë nën kontroll e për rrjedhojë reagimi i mllefosur mund të degjenerojë në dhunë. Kam arsye të mendoj se e pranojnë edhe vetë këtë, e shprehin dhe janë në pritje të ndonjë lëvizje të gabuar të policisë që “u cënon krenarinë” apo se mos kënd e lëshojnë nervat.

Ndjen dhimbje kur sheh në situatën aktuale e dëgjon se më ç’lehtësi të përnjëmendtë duan ta thërmojnë shtetin që ndokush nga familja politike apo biologjike të mos shkojë në burg. Problemi me njerëz si ata është se janë të mirë për të bërë biznes vetëm në vendin tonë, ndërsa enden vërdallë me para që duan të fshehin. Nga mungesa e rregullave kushtetore, se si ndërrohet pushteti, u leverdis dhe përfitojnë, u shërben për të qetësuar ndërgjegjet.Ata ngjajnë si njerëz të largët, që jetojnë në tokën e të tjerëve.

II. Përfytyroni një sipërmarrës që jo vetëm respekton ligjet e shtetit, por jep edhe moral, madje nxjerr prej tyre edhe fitime. Do ta gjeni te Ilir Meta. Ai qëndron zakonisht në heshtje, duke u sjellë si personi afarist që fati e ka paracaktuar për të paraparë e përcaktuar zhvillimet. Përpos qendrimit në pushtet me të dy krahët, me fytyrën here si maskë here si me shprehje të zbrazët, u shtir në konferencën e shtypit sikur të ishte duke mbajtur një barrë të rëndë. Në një mbrëmje të tillë Meta i vuri vulën marrëdhënjes se, si tregtar që ishte, nuk do ndalet për promovimin e vetes së tij. Edhe vetë ai nuk beson te një “Qeveri e besimit”, por me qëndrimin si Seneka kërkon të kapi në befasi ndërgjegjen e individëve. Është një mënyrë thellësisht e gabuar arsyetimi, por që shkon në përputhje me afarizmin e ndarjes së plaçkës, kur t’i vijë koha posteve të pushtetit ekzekutiv e administrativ. LSI-ja mban mjaftueshëm poste ministrore por hiqet sikur nuk mban përgjegjesi për qeverisjen. Shihet açik se në botën e politikës shqiptare ka humbur ndjenja e turpit, që ka sjellë si pasojë degradimin moral që jetojmë. Kursejani vetes dhe anëtarëve të partisë tuaj poshtërimin e një ndërrimi të ri të mendjes!

III. Sipërmarrësi i Partisë Socialiste, Edi Rama, ndonëse nuk përfaqëson besnikërisht në pikëpamje e qendrime aspiratat e të majtës së traditës, shumicës së anëtarësisë i duket një njeri shumë për së mbari, dhe është i vlerësuar për dialektikën e këndvështrimin e tij për forcimin  e shtetit ligjor. Si fitues i zgjedhjeve, Kryeministri ka ndërtuar një aparat pushteti plot ambicie të cilin e komandon pa patur nevojë për shumë këshilltarë e ndërmjetës, ka luajtur në sulm dhe e ka ushtruar pushtetin në vetë të parë. Mendoja dhe kështu mendoj dhe sot se qeveria e tij e meriton një katërvjeçar tjetër në zbatim të reformave të programit qeverisës. Pushteti i tij, që nuk u ka shpëtuar batutave edhe nga bashkëpuntorë të afërt, do ishte ku e ku më i madh e Ai do ishte më i nderuar nëse nuk do bënte pazarin e ndarjes së pushtetit me ish kundërshtarin e tij, atë që për shkak të protestave në lidhje me “700-qindshen”, Ilir Metën, çoi drejt vdekjes nga armët e Sali Berishës dhe Lulzim Bashës katër shtetas.

 Dihej që në krye të herës se mbi ç’themele të brishta ndërtohej para katër vjetësh ky koalicion parazgjedhor. Socialistët, në masë, nuk e kanë dashur dhe as e duan si aleancën me LSI-në, ashtu dhe krerët e saj. Ka qenë e dukshme në qeverisje mungesa e shpirtit të skuadrës, madje mos funksionimi si skuadër, që do apo s’do Edi Rama, përfundon në paaftësinë e politikës për të qeverisur vendin e nuk mund të ishte pa pasoja, deri në nëpërkëmbje të autoritetit kryeministror.

I rrethuar nga një oborr mikluesish, Kryetari i Partisë, Hapësirat e skenës politike socialiste i mbushi me njerëz që hynë në politikë për të bërë bizneset e tyre apo për të mbrojtur bizneset e tyre. Shpejt ata e tradhtuan dhe si cinik që është jo vetëm me bashkësideduesin-kundërshtar politik, por edhe brënda partisë, ngritjen në mënyrë të pakontrolluar të personave që nuk i lidhte gjë me Partinë Socialiste në të qenit përfaqësues të lartë të popullit, nuk e fshehu, por nuk e mori si përgjegjësi të tij, vetëm të tijën. Se ç’dëm i solli kjo atij personalisht, por veçanërisht partisë që drejton, e pa, e preku dhe e shijoi.
*            *          *
 Shqiptarëve u duhet Europa, atyre u duhen të mirat materiale, pasuria dhe mënyra e saj e jetës. Europa na thotë “Ejani”, por miratoni vetting-un, Partisë demokratike i thotë ktheu në parlament dhe shko në zgjedhje pa kushte. Nuk na kërkon qeveri teknike dhe mjerë ne nëse “teknikët” duhet të zëvendësojnë politikën. Është politika ajo që duhet të përjetojë çdo problem të punëve publike të shtetit, çdo moment që ka të bëjë me rreziqet e pafundme që i kanosen vendit e kombit. Politika është “gjak dhe mut” – ka thënë një politikan i shquar italian.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 29 Janar, 13:14

    Strategjia e SPAK për parandalimin e krimit elektoral, a do ketë sukses?



×

Lajmi i fundit

Udhëhoqi operacionin ushtarak për rrëzimin e Bashar al-Assad, Ahmed Al-Shaara bëhet president i përkohshëm i Sirisë

Udhëhoqi operacionin ushtarak për rrëzimin e Bashar al-Assad, Ahmed Al-Shaara bëhet president i përkohshëm i Sirisë