Të mbrojmë invalidët

Të mbrojmë invalidët
Personat me aftësi të kufizuar, i përkasin asaj pjese të shoqërisë e cila ka nevojë për mbështetje të vazhdueshme nga shteti, për t’iu garantuar të drejtat dhe liritë themelore, si dhe aksesin në disa prej eksperiencave më themelore të jetës. Vendimi i OKB për të shtuar një instrument universal, Konventën “Për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara”, (të nënshkruar tashmë prej vitit 2010 nga Shqipëria), kishte për qëllim që t’i garantonte këtij grupimi shoqëror, të drejta dhe liri themelore, të
cilat janë të mirëqena prej shumicës së qënieve njerëzore. Kjo Konventë mbulon hapësirat e shumta ku personat me aftësi
të kufizuara janë diskriminuar, duke përfshirë aksesin tek drejtësia; pjesëmarrjen në jetën politike e publike; edukimin; punësimin; mbrojtjen nga tortura, shfrytëzimi dhe dhuna, si dhe lirinë për të lëvizur. Legjislacionishqiptar ka rregulluar në mënyrë të copëzuar, me statuse të veçanta të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, të verbër, paraplegjik/tetraplegji,
invalidë pune etj. Duke patur në konsideratë përcaktimet e Konventës së OKB “Për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara”, edhe legjislacioni shqiptar që rregullon të drejtat dhe përfitimet e personave me aftësi të kufizuara, ka nevojë për
plotësime dhe përmirësime në përcaktimin e kritereve multidisiplinare të vlerësimit të aftësisë së kufizuar, kritereve dhe proçedurave të qarta për dhënien e përfitimeve, kryerjen dhe rimbursimin e pagesave, si dhe kontrollin ndaj agjencive shtetërore dhe kompanive që ofrojnë shërbimet. Lidhur me dy projektligjet, për disa ndryshime në statusin e invalidit paraplegjik/tetraplegjik dhe në statusin e të verbërit, vlerësoj qëllimin e Këshillit të Ministrave për ndërmarrjen e tyre, pra përcaktimin e procedurave të qarta për dhënien e përfitimeve dhe kryerjen e pagesave ndaj këtyre kategorive, por konstatoj se nëpërmjet këtyre ndryshimeve, situata e këtyre kategorive, mund të ndryshojë jo në mënyrë të favorshme, sidomos përsa i përket përcaktimit në ligj të llojit, kritereve dhe masës së përfitimeve.
Në dispozitat në fuqi të statuseve të paraplegjikëve/tetraplegjikëve dhe të verbërve, ligjvënësi ka garantuar në ligj llojin dhe masën e përfitimit për invalidin, dhe në disa raste edhe për shoqëruesin e tyre, ndërkohë që në ndryshimet të cilat propozohen, këto garanci nuk do të parashikohen më nga dispozitat e ligjit, por do të delegohen në vullnetin dhe vendimarrjen e Këshillit të Ministrave.
Delegimi në kompetencë të Qeverisë, i përcaktimit të masës dhe kritereve të përfitimit cënon parimin e sigurisë juridike të sanksionuar në nenin 4 të Kushtetutës, sipas të cilit siguria juridike presupozon veç të tjerave, besueshmërinë e qytetarëve tek shteti dhe pandryshueshmërinë e ligjit për marrëdhëniet që janë rregulluar më parë. Lidhur me këtë çështje ka edhe një jurisprudencë të konsoliduar të Gjykatës Kushtetuese e cila ka përcaktuar se “….si rregull, nuk mund të mohohen interesa dhe pritshmëri të ligjshme të qytetarëve nga ndryshimet në legjislacion dhe shteti duhet të synojë të ndryshojë një situatë të rregulluar më pare, vetëm nëse ndryshimi sjell pasoja pozitive, konkretisht trajtim më të mirë financiar për subjektet përfituese”.
Sipas Vendimit te Gjykates Kushtetuese “...Nëse masat e marra shpien në përkeqësimin në mënyrë të paarsyeshme të gjendjes ligjore të personave të tjerë, mohojnë të drejtat e fituara ose injorojnë interesat legjitime të këtyre, atëherë do të dhunohet parimi kushtetues i barazisë së të drejtave dhe, në përgjithësi, do të rrezikohet arritja e qëllimit madhor të ndërtimit të shtetit të së drejtës”. Në relacionin shoqërues të projektligjeve, nuk është argumentuar nëse ndryshimet ligjore, të cilat i lënë përcaktimin e masës së përfitimit në kompetencë të Qeverisë, po ndërmerren për përmirësime pozitive të masës së tyre. Gjithashtu në asnjë moment, nuk përmendet si shkak i arsyeshëm vështirësia financiare që ajo ka lidhur me pamundësinë e përballimit të masës së pagesave të përfitimeve të këtyre invalidëve. Sipas saj, dhe këtu po citoj relacionin, këto ndryshime ndërmerren për faktin që tashmë shërbimet e transportit, të telefonisë dhe energjetike janë privatizuar dhe kompensimet përkundrejt tyre “...kthehen në detyrime të menjëhershme per t’u paguar dhe që mbartin kosto të konsiderueshme financiare për buxhetin e shtetit”.
Pra, nga përmbajtja në vijim e relacionit, rezulton se shqetësimi për koston financiare, nuk është masa e përfitimit për këto shërbime, por rritja e kostove për rimbursimin e këtyre pagesave në kompanitë private, për shkak të pamundësise së kontrollit mbi to, për mënyrën se si identifikohen përfituesit dhe tërhiqet rimburisimi për ta, apo përfitimi i tyre në mënyrë të parregullt dhe të pamerituar nga persona të cilët mund të mos jenë të sëmurë paraplegjik/tetraplegjik apo të verbër, pra që mund të kenë përfituar padrejtësisht përfitimin. Vlerësoj se problematikat e mësipërme, nuk mund të përbëjnë shkak të arsyeshëm për moscaktimin e masës apo kritereve të përfitimit në ligj, për më tepër ato mund të sjellin diskriminimin e atyre të sëmurëve paraplegjik/tetraplegjik apo të verbër, që e meritojnë përfitimin në atë masë në mënyrë të drejtë.
Mendoj se shqetësimet e përshkruara nga Qeveria, përbëjnë shkak të arsyeshëm për përcaktimin e procedurave të qarta të përfitimit nga këto shërbime (transportit, telefonisë dhe energjetike), si dhe vendosjen ndaj kompanive private të procedurave e mekanizmave të detajuara të rimbursimit dhe të kontrollit të realizimit të pagesave. Këto çështje mendoj se mund t’i delegohen Këshillit të Ministrave për t’i rregulluar me një akt nënligjor të tij, duke zgjidhur në këtë mënyrë edhe shqetësimin që ka patur lidhur me këto rimbursime. Nga ana tjetër, siç jemi vënë në dijeni nga vetë shoqatat e paraplegjik/tetraplegjikeve dhe të verbërve ndryshimet që propozohen nuk janë konsultuar gjerësisht me grupet e interesit dhe shoqatat që mbrojnë të drejtat e tyre përpara propozimit të projektligjit nga Qeveria, madje as me Këshillin Kombëtar të Aftësisë së Kufizuar, i cili funksionon si organ konsultativ ndërministror me pjesmarrje edhe të shoqatave të vetë personave me aftësi të kufizuara, duke shkelur në këtë mënyrë edhe detyrimin që buron nga Strategjia Kombëtare e Aftësisë së Kufizuar. Konsultimi i vetëm me këto grupe interesi ka qenë në në Kuvend në Komisionin për Punën, Çështjen Sociale dhe Shëndetësinë.
Zgjidhja për problemet e parashtruara nga Qeveria për këtë kategori të shoqërisë, është përcaktimi i kritereve të qarta dhe bashkëkohore të vlerësimit të aftësisë së kufizuar apo të dhënies së përfitimit sipas standardeve të BE, si dhe parashikimi i rregullave dhe mekanizmave monitorues për rimbursimin e pagesave të tyre në operatorët privatë të shërbimeve. Në përfundim i mbetem mendimit se vetëm Ligji, sipas parimit kushtetues të sigurisë juridike, duhet të përcaktojë dhe garantojë kriteret dhe masën e perfitimit, ndërkohë që mekanizmat dhe procedurat e dhënies së këtyre përfitimeve, dhe rimbursimeve që duhet t’u jepen operatorëve të shërbimeve, mund të përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave.

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Olivier Giroud largohet nga Milani, do jetë ylli i ri i MLS

Olivier Giroud largohet nga Milani, do jetë ylli i ri i MLS