Qeveria miratoi dje afatet dhe skemën e shpërndarjes së fondeve të dëmshpërblimit për ish-të dënuarit politikë të komunizmit. “Miratohen afatet dhe skema së shpërndarjes së dëmshpërblimit për ish-të dënuarit politikë të regjimit komunist, sipas planifikimit vjetor buxhetor e parimit të proporcionalitetit, në raport prej 70% për subjektet përfituese parësore dhe 30% për trashëgimtarët e ish-të dënu arve, që s’bëjnë pjesë në kategorinë parësore.

Me shlyerjen e dëmshpërblimit të subjekteve parësore, gjithë buxheti vjetor kalon për dëmshpërblimin e trashëgimtarëve”, thuhet në vendim. Kësti pasardhës për kategorinë parësore përcaktohet me urdhër të ministrit të Financave pas raportimit të drejtorisë së dëmshpërblimit për ish-të përndjekurit politikë. “Ministria e Financave, sipas buxhetit të vënë në dispozicion, shpërndan këstet e dëmshpërblimit, për kategoritë parësore.

Shpërndarja për subjektet përfituese të kategorisë parësore, për të njëjtin këst, do kryhet sipas kësaj radhe: Ish-të dënuarat gra që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës, ish-të dënuarit që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe që kanë moshën mbi 75 vjeç, me hyrjen në fuqi të këtij ligji, ish-të dënuarit që vuajnë sëmundje të rënda, ata që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës, që pavarësisht moshës, kanë pasardhës të radhës së parë në moshë të mitur, me hyrjen në fuqi të këtij ligji, ata që nuk jetojnë dhe që kanë trashëgimtarë të radhës së parë që janë në moshë të mitur me hyrjen në fuqi të këtij ligji, ata që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe që kanë moshën nën 75 vjeç me hyrjen në fuqi të këtij ligji”, thuhet në vendim.

Me kryerjen e pagesës për të gjitha kategoritë parësore, brenda këstit, fillon pagesa e këstit pasardhës. Ministri i Mirëqenies e Ministri i Financave, dy muaj përpara mbylljes së vitit buxhetor, vlerësojnë procesin e realizimit të fondeve për të dyja grupet e subjekteve përfituese dhe vendosin rishpërndarjen e fondeve ndërmjet dy grupeve.

Shkrimi u botua në numrin e sotëm (16 tetor 2014) të gazetës "Shqiptarja.com", versioni print

Redaksia Online
(xh.k/shqiptarja.com)