TIRANE - Të paraburgosurat e burgut “Jordan Misja” kanë ngritur dje kupën për fitoren e tyre ndaj ekipit të grave të “Ali Demit”, në një ndeshje volejbollit të organizuar në kuadër të procesit të rehabilitimit.

Në këtë aktivitet të grave të burgosura, nuk është parë prezenca e ish-inspektores së Përgjithshme të Bankës së Shqipërisë Elivar Golemi, ndërkohë që shumë të paraburgosura femra kanë qënë të pranishme, ku kanë ndjekur ndeshjen e volejbollit. Takimi u organizua nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në ambientet e burgut “Jordan Misja” ose siç njihet ndryshe me emrin “Burgu 313”.

Ky aktivitet vjen në kuadër të nismës së ndërmarrë për përgatitjen e të gjithë personave që mbarojnë dënimin e tyre që të riintegrohen më lehtësisht në shoqëri. Në këtë ndeshje simbolike, nuk mungoi tifozeria e bashkëvuajtëseve të tyre që ndoqën me interes këtë aktivitet.

Të gjitha u bashkuan dje në një takim miqësor sportiv, ndryshe nga çdo aktivitet tjetër i mëparshëm, për të provuar gjithashtu edhe emocione të reja. Në fund ndeshja e volejbollit u fitua nga gratë e burgut 313.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 14 Shtator 2014

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)