Pas tërheqjes së kompanisë DIA, nga gjykata e Arbitrazhit, ka reaguar ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri. Përmes një statusi në faqen e tij në Facebook, Gjiknuri e cilëson përfundimit e procesit gjyqësor të DIA-s ndaj shtetit shqiptar si fitore e të vërtetës për marrëveshjen CEZ-DIA.

“U konfirmua plotësisht drejtësia e marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim të konfliktit me CEZ, veprim pa të cilën pala shqiptare nuk do mund të siguronte provat për ta mbyllur në favorin e saj arbitrazhin me DIA-n. Kjo fitore është padyshim përgjigja më e mirë, edhe për ata spekulantë që duke shpërdoruar të drejtën e të bërit opozitë, nxitën dhe shpresuan se ky proces arbitrazhi do të humbej nga pala shqiptare në favor të Kastriot Ismailajt. Në fillim na përqeshën. Më pas na akuzuan se dëshironim humbjen e gjyqit për të ndarë paratë. Sot, minimalisht ata duhet të heshtin me turp. E vërteta fiton gjithmonë,” shkruan ministri.

Sipas tij vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit në Vjenë konfirmoi se qeveria shqiptare dhe OSHEE ndërmorën të gjitha hapat e nevojshme për të mbrojtur deri në fund interesat e qytetarëve shqiptarë.

Përmes këtij vendimi, Gjiknuri thotë se pala shqiptare shpëtoi përfundimisht nga rreziku i humbjes së 135 milionë eurove që kompania DIA kërkonte si dëmshpërblim.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)