'Ta bëjmë PD-në të madhe përsëri', apo kjo është tradhtia më e madhe në PD

'Ta bëjmë PD-në të madhe përsëri', apo kjo është tradhtia më e madhe në PD

Mbledhja e deputetëve të grupimit parlamentar të drejtuar nga Gazment Bardhi dhe ata të Foltores të drejtuar nga Sali Berisha më 5 shtator ka lënë pas më shumë pikëpyetje se sa i është afruar bashkimit të madh që ishte synimi primar. Realja është se numri 43 i deputetëve që morën pjesë në këtë takim nuk tregoi aspak se tashmë kemi një PD të madhe të bashkuar dhe të unifikuar jo vetëm në numër, por edhe në frymë, përballë pjesës së mbetur të kësaj partie që drejtohet me logo dhe vulë nga Lulzim Basha. Ndonëse takimi synonte bashkimin e madh, në fakt rezultoi jo vetëm një afrim mekanik dhe aspak natyral, por në aspekt të moralit ajo është një tradhti e madhe që ndodhi dhe po ndodh në këtë parti.

Mjafton të shtrojmë disa pyetje të thjeshta për ta kuptuar më qartë këtë konkluzion. Çfarë solli faktikisht ky takim? A u arrit një bashkim që të krijojë një frymë të re në PD? A ishte ky takim për bashkim vlerash apo kalkulime numrash? A kërkoi dikush falje për akuzat dhe kundërakuzat ekstreme që janë hedhur ndaj njëri-tjetrit? A ishte ky takim një përpjekje për ta bërë PD-në e madhe si dikur, apo gjithçka që u arrit mes Berishës dhe Bardhit është një tradhëti e madhe e parimeve dhe e moralit? Nuk janë të paktë ata në Foltore dhe në grupimin Bardhi që u befasuan dhe u habitën nga kjo marrëveshje. Kur në grupimin Foltore u njoftua mbledhja disa syresh e kundërshtuan këtë afrim mbi bazën e atyre që ishte deklaruar më parë nga goja e tyre. 

Qëndrimi personal i Sali Berishës dhe e Foltores e kishte cilësuar prej dy vjetësh Gazment Bardhin dhe mbështetësit e tij me të njëjtin status si Lulzim Bashën si shkatërrues i PD-së dhe befas tani ai ndërron status dhe paraqitet si yll i saj. Por më e rënda në të gjithë këtë histori janë akuzat e drejtpërdrejta të hedhura mes Berishës dhe Bardhit gjatë kësaj periudhe. Gjithçka nisi më 19 maj 2021 kur Sali Berisha u shpall nongrata nga SHBA dhe më 9 shtator 2021 kur Lulzim Basha përjashtoi Berishën nga grupi parlamentar. U duk se Berisha e kishte betejën personalisht vetëm me Bashën, por në fakt nuk ndodhi kështu. Vërtetë rreth Berishës u grumbullua një numër i konsiderueshëm deputetësh, por PD-ja zyrtare kishte armë të fortë numrin e lartë të deputetëve në grupin parlamentar. Dhe Basha në parti kishte mbështetjen absolute deri në verbëri të Gazment Bardhit që në detyrën e sekretarit të përgjithshëm nuk zotëronte vetëm një vulë, por ishte ai që luante të gjitha fijet në parti. Në këtë situatë Berisha lëshoi gjithë arsenalin e vet të sulmeve jo vetëm kundër Bashës, por edhe ndaj Bardhit dhe të dy ishin si 10-të dhe 9-ta në në tabelën e qitjes. Madje në raste të veçanta për Berishën, Bardhi ishte shenjë më e rëndësishme edhe se sa Basha. Kështu, hera e parë që Berisha e anatemoi personalisht Gazment Bardhin ishte në vigjilje të kuvendit të 11 dhe 18 dhjetorit 2021 të dy pjesëve të partisë.

Tha Sali Berisha më 10 nëntor 2021:

“Ka një statut që përcakton se si mblidhet Kuvendi. Ka lista. Zoti Bardhi të shkojë të verifikojë çfarë të dojë. Transparencë po, vendimmarrje jo. Vendimmarrja është e gjithë tyre që kanë firmosur, atyre grave dhe burrave që kanë vendosur. Media dhe Bardhi të shkojë dhe të verifikojë çfarë të dojë. Kur flet anëtarësia merr pushtet përfaqësia”.

Vetëm pesë ditë më pas Bardhi reagoi duke bërë ndaj Foltores një akuzë shumë të rëndë për mënyrën se si po organizonte kuvendin.

Deklaroi Gazmend Bardhi më 15 nëntor 2021:

“Jeni marrë ju me shpifje dhe baltë ndaj Sekretarit të Përgjithshëm të PD me gjëra që çdo demokrat i Elbasanit qesh dhe tallet kur i dëgjon. Dhe sot ky individi që e kemi pasur përballë në zgjedhjet e 25 prillit thërret drejtues të PD në Elbasan dhe i vendos përpara formularin për nënshkrim. E di dhe Flamur Noka se ka qenë para dy ditësh i thirrur nga ata që kanë besuar te demokratizimi i PD, pikërisht për këtë çështje, se nuk të pranojnë demokratët e Elbasanit t’ua mbledhë Kuvendin Kombëtar të PD, Suel Çela”. 

Nuk kaloi shumë dhe Bardhi përsëriti akuzat me fjalë jo të drejtpërdrejta ndaj Berishës por duke përdorur veten, linte të nënkuptonte Berishën për lidhje me krimin.

Tha Gazmend Bardhi më 18 nëntor 2021:

“Secili prej nesh do të jetë pjesë e sulmeve të pavërteta dhe askush nuk duhet të shqetësohet. Secili prej nesh, unë si sekretar të përgjithshëm, secili prej anëtarëve të kryesisë dhe anëtarëve kanë përgjithësi ndaj demokratëve. Në një moment të caktuar qëndrimet tona politike nuk mund të përputhen me interesat personale të Sali Berishës, e kjo na kthen në qendër të sulmeve. Por kjo mua nuk më shqetëson. Unë s’kam lidhje me grupe kriminale dhe aq më pak me kriminelë. Unë kam lidhje me intelektualë dhe s’do të më lidhë kurrë asgjë me komponentë kriminalë. Në procesin e mbledhjes së firmave, në Elbasan një grup kriminal është angazhuar gjatë ditëve të fundit në procesin e mbledhjes së firmave. Kjo është akuzë që unë mbaj përgjegjësi”.

Dhe në këtë mënyrë sulmet e Berishës nuk u fiksuan vetëm ndaj Lulzim Bashës, por u bënë edhe ndaj bashkëpunëtorit të tij më të afër, Gazment Bardhit.

Tha Sali Berisha më 23 nëntor 2021:

“I deklaroj Sekretarit të Përgjithshëm, nënkryetarëve të PD, jepni dorëheqjen menjëherë, mos rrini si skllevër të peng Bashës se do bëni gabimin më të rëndë për veten tuaj. Mafia e George Soros, e cila bëri gjithçka për të shtruar opozitën shqiptare në një ministri të narkoshtetit, do të dështojë, dhe këtë dështim e mirëpret Shqipëria, forcat konservatore në SHBA dhe kudo në botë”.

Dhe Bardhi për herë të parë e quan këtë çështje personale të Berishës.

Tha Gazment Bardhi më 23 nëntor 2021:

“Agjendën politike të PD nuk e cakton halli apo problemi apo interesi personal i Sali Berishës. Agjendën politike të PD e dikton përgjegjësia që ne kemi në raport me demokratët, përgjegjësia që ne kemi në raport me shqiptarët. Ne jemi në krye të detyrës”.

Dhe situata vijoi që mbështetësi më i flaktë ndaj Lulzim Bashës të ishte Gazment Bardhi dhe sulmuesi kryesor ndaj Bashës të ishte Sali Berisha. Bardhi e shfrytëzoi mirë këtë rast. Tha Gazmend Bardhi më 23 nëntor 2021:

“Kryetari i partisë është zgjedhur jo më larg se disa muaj më parë me një mbështetje masive të anëtarëve të partisë, nga ai moment nuk ka ndryshuar asgjë, me përjashtim të problemit personal të Sali Berishës. Dhe unë nuk besoj që ne kemi luksin për të humbur kohën për të futur partinë në procese jashtë statutore, në procese që nuk përputhen me agjendën që do duhet të ketë çdo demokrat dhe PD, thjeshtë për faktin që zoti Berisha pas datës 19 maj ka një problem personal me SHBA”.

Në këtë situatë Berisha e rriti dozën e sulmeve dhe akuzave. Duke shfrytëzuar fjalët e thëna nën zë në parti ndaj Bardhi ai bëri një deklaratë që nuk mund të thuhej hapur në publik, por me fraza kripto.

Tha Berisha më 25 nëntor 2021:

“Shoqata Basha-Bardhi po sfidojnë pluralizmin politik në Shqipëri. Të gjithë e patë se si e mblodhi kryesinë. Peng-Basha tha se kuvendi që po mblidhet me kryesi është kuvendi legjitim dhe se ky do të jetë kuvendi i PD, por sa u mblodh doli që kryesia nuk ishte votuar, pra nuk ishte legjitim. Kjo sigurisht e bënte tërësisht jo ligjore gjithçka tjetër, e mbi të gjitha e bëri një akt të turpshëm. Edi Rama me pengun e tij e kthyen në akt të turpshëm. Këtë nuk e ka bërë as Ramiz Alia. Kurse Rama do përfundojë me shoqatën Basha-Bardhi. Tani kanë futur frymën e patronazhistëve tek ne. Përgëzoj gjithë ato qindra e mijëra demokratë që po i grisin dhe i hedhin në kosh formularët për atë Kuvendin e turpshëm të organizuar nga Basha-Bardhi”.

Kjo bëri që shumë gazetarë të kërkojnë intervistë me Bardhin dhe ai nuk iu shmang këtij debati pothuajse direkt mes tij dhe Bashës.

Tha Bardhi më 27 nëntor 2021:

“Individi është sebepi i kësaj që po ndodh. Deri në 9 shtator, nuk kishte asnjë problem. Keni dëgjuar ndonjë të fliste për kreun e PD që ishte autokrat, kishte mbyllur partinë, asnjë nuk ka ngritur një shqetësim të tillë. Më 9 shtator u shfaqën që kishte shumë probleme PD, Basha u shpall armik, lidershipi i PD që nuk mendon si Berisha shpallet armik, apo peng të Ramës. Akuza që as Berisha nuk i mendon vetë. Lëvizja e Berishës për të dëmtuar PD, për të përçarë PD është oksigjen për Ramën. Njeriu më komod me situatën në PD prej Berishës është Edi Rama”.

Bardhi këmbëngulte se i kishte kërkuar Berishës të verifikonte akuzat e tij për ndërhyje në zgjedhjet e delegatëve në kuvend, por kjo nuk ndodhi. Kuvendi po afrohej dhe Foltorja ishte përfshirë në ethet e organizimit. Por Bardhi si një jurist që e njeh mirë edhe mënyrën e funksinimit të ligjeve për simbolet nuk e kapërdiu që Foltorja po përdorte logon zyrtare të PD. Dhe nuk vonoi akuzat e tij për Berishën pikërisht për këtë fenomen.

Tha Gazmend Bardhi më 5 dhjetor 2021:

“Në media dhe në rrjetet sociale janë publikuar disa dokumente me simbole të PD dhe të dhënat e anëtarëve të PD dhe/ose anëtarëve të Kuvendit Kombëtar të PDSH. Këto dokumente dhe përdorimi i të dhënave të anëtarëve nuk është autorizuar nga asnjë organ përfaqësues i PDSH, dhe për pasojë ato janë dokumente të paligjshme dhe të falsifikuara, të prodhura nga persona të paidentifikuar dhe që nuk përfaqësojnë asnjë organ të PD. Ky veprim synon të dëmtojë interesin politik të PD, duke e shfaqur atë në sytë e opinionit publik si një celulë ilegale, ku cilido për interesin e tij personal mund të përdor simbolet e PD apo të dhënat e anëtarëve të PD. Në përputhje me nenin 6 të Statutit të PD, ku theksohet se simbolet e PD përdoren vetëm nga organet përfaqësuese të PDSH-së ose me autorizim të tyre, kërkoj përcjelljen e informacionit të plotë dhe të dokumentuar mbi personat që në degët respektive administrojnë, shpërndajnë apo prodhojnë dokumente të tilla të paligjshme dhe të falsifikuara, duke keqpërdorur të dhënat e anëtarëve të PDSH.

Dhe Berisha që e ka në ADN që nuk bën sikur të sulmon, përdori të gjithë arsenalin e tij. Nuk nguroi ta përfshijë Bardhin në marrëveshjen e Bashës me Ramën më 17 maj 2017.  Deklaroi Berisha më 6 dhjetor 2021:

“Askush dhe aq më pak ish-ministri i Edi Ramës nuk mund t’i pengojë ata të realizojnë misionin e tyre nën flamurin, siglën dhe simbolet e PD, për të cilën kanë sakrifikuar aq shumë ndërkohë që vota e tyre tradhtohej nga peng-kryetari ose shitej për karrige ministrash nga gaztori i tij! Shoqata Basha-Bardhi le të tundë edhe për pak ditë letrat, se partia dhe demokratët i kanë braktisur me kohë”.

Më 8 janar 2022 Berisha dhe mbështetësit e tij sulmuan fizikisht selinë e PD në të cilën ndodhej grupi parlamentar nën drejtimin e Bashës dhe sekretarit Bardhi. Ndërkohë që Berisha e cilësoi situatën se Basha dhe Bardhi kishin blinduar selinë me ndihmën e qeverisë vetë Bardhi deklaroi se sulmi fizik ndaj selisë ishte armiqësia më e madhe ndaj kësaj partie. Beteja mes dy grupimeve po ashpërsohej dhe Berisha nuk linte rast pa e përmendur jo vetëm Bashën por edhe Bardhin.

Tha Berisha më 27 maj 2022:

“Gazment Bardhi lufton për të shpëtuar shpirtin e tij, unë e kuptoj luftën që bën për të shpëtuar shpirtin, por prapë është i pashpresë, është i pashpresë. Të zbardhë një herë të mos i thurë lavde SPAK se do i japim atë shans apo këtë shans, po të zbardhë rolin e tij në vrasjen në Elbasan, e them sepse ai nuk ishte, askush s’është për t’u vrarë në konceptin tim, jo ne jemi vend pa dënim me vdekje. Bardhi … përgjegjës direkt politik për atë gjakderdhje në një lagje që mund të mos ketë pasur gjakderdhje ndonjëherë. Para se të rrijë të merret me këto të shkojë të japë sqarime”.

Sulmet ndaj njëri-tjetrit u intesifikuan dhe Bardhi po artikulonte deri pjesëtarët e familjes të Berishës. Djali i ish-kryeministrit u përfshi direkt në këtë përplasje.

Shkruajti në një status Shkëlzen Berisha më 30 maj 2022:

“Për hir të bashkimit mendoj se të gjitha emërimet në PD, duhet t’i rikthehen si ekskluzivitet i shoqatës së gazrave!”

Gazment Bardhi akuzoi më 9 qershor 2022 Berishën se kishte deyruar deputetët që të mos firmosnin dhe të mos jepnin votën për ngritjen e komisionit hetimor për investimet strategjike. Dhe 24 orë më vonë Berisha reagoi me lojë fjalësh duke bërë që opinioni të kuptonte më shumë armët që Berisha përdorte për të sulmuar Bardhin.

Deklaroi Berisha më 10 qershor 2022:

“Të besosh trillimet e Gazment Bashës është njëlloj si të besosh Lulzim Bashën. Asnjë iniciativë nuk bllokojmë ne por dua t’ju them se alibasha dhe gazbasha po i shërbejnë me besnikëri të neveritshme Lulzim Bashës. Dhe të jeni të sigurt, mbajeni mend këtë që po ju them. S’do jetë e largët dita kur do të publikohen arsyet si për atë që iku dhe për këta të dy, se çfarë i shtyn këta”.

Dhe tashmë Gazment Bardhi ishte target njësoj si Basha.

Tha Sali Berisha më 1 korrik 2022:

“Gaz Bardhi! E keni dëgjuar ndonjëherë të flasë Gaz Bardhi? Është në burg Paplekaj. Paplekaj kishte shkuar atje për Gaz Bardhin dhe jo për të atin e vet. Gaz Bardhi duhej të kërkonte hetim të plotë. Nëse Paplekaj do të qëllonte duke ekzagjeruar rrezikun kjo do të ishte vetëmbrojtje por nëse në drejtim të tij do të qëllohej nga dy gryka zjarri ai nuk kishte zgjidhje tjetër vetëm vetëmbrojtjen ndërsa Gaz Bardhi u zhduk. E braktisën Arbër Paplekaj se donin të mbyllnin krimin shtetëror në kuptimin e mos veprimit e mos kryerjes së detyrës nga policia për parandalimin e saj dhe fshehjes së krimit nga Ardi Veliu, prokurori Alfred Shehu dhe Edi Rama”.

Për Bardhin ky ishte kulmi i akzuave ndaj tij dhe me të njëjtën monedhë ai u përgjigj me një status në twitter direkt për Berishën dhe të birin.

Shkroi Gazmend Bardhi më 1 korrik 2022:

“Babi i Zenit, njeriut të vetëm përgjegjës për 26 të vrarë në Gërdec, duhet të gjejë kohë të paktën ti shkojë për ngushëllim baxhanakut të tij. Koha ku çdo punë e emërim kalonte nga zyra e Zenit ka mbaruar me vendim të DASH në 19 Maj 2021. Sa më parë ta kuptosh aq më mirë për ty!”

E gjithë kjo luftë u bë hi disa muaj më vonë. Është e habitshme se si u bë një kapërcim që një njeri me aq shumë akuza të hedhur ndaj tij u afrua për të qenë politikani më i rëndëishëm dhe numri dy i Foltores.

Tha Berisha më 8 shtator 2023:

“Gazment Bardhi dhe deputetë të tjerë, është i mirëpritur që të votohet për kryetar grupi parlamentar të PD-së. Ata janë deputetë të PD. Ai ka një numër deputetësh që janë të PD që e mbështesin, dhe ata janë të mirëpritur, dhe e kam theksuar, jemi të hapur për negociata dhe propozime. 

Nuk mbetet gjë tjetër por në situatën që po kalon PD të huazojmë sloganin Trumpist “Make America great again”. Dhe në rastin shqiptar ta bëjmë: U synua “ta bëjmë PD-në të madhe përsëri”, por në fakt kjo që po ndodh është tradhëtia më e madhe në PD. E përsëritur sigurisht.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Aksidenti ajror në Kazakistan: Ngushëllime për Azerbajxhanin e Kazakistanin, uroj që paqja të mbizotërojë tek ta

Aksidenti ajror në Kazakistan: Ngushëllime për Azerbajxhanin e Kazakistanin, uroj që paqja të mbizotërojë tek ta