Ta mbajmë Shqipërinë, si shtëpinë. Sidomos pa gënjeshtra!

Ta mbajmë Shqipërinë, si shtëpinë. Sidomos pa gënjeshtra!

Sa hare ka kjo periudhë me covid e postcovid në Shqipëri dhe sa shumë ngjyra përcillen në rrjete sociale. Eshtë bukur që njerëz të thjeshtë, persona vip, influencer, blogger, politikanë, artistë,gazetarë ndjehen mirë në pushime e zbulime të Shqipërisë. Në të vërtetë, në këto 28 mijë metra katrorë i kemi të gjitha: Nga mali te deti, nga kodrat te fushat, shijojmë liqene e lumenj, pyje të veshur e të zhveshur, qytete të reja e rrënoja të vjetra. Ka për të gjithë nga një surprizë në këtë eksplorim të rëndësishëm që kushtet e koronavirusit na bënë ta shohim më gjatë dhe më mirë. Në një tjetër mënyrë, edhe kjo fazë e dytë është si "eksplorimi" që u detyruam të bëjmë për 3 muaj mbyllur brenda katër mureve të shtëpisë: dikush zbuloi vlera e virtyte të reja dhe më të bukura mes familjarëve; dikush tjetër ndoshta jo, pa gjëra që s'do të donte t'i shihte, dëgjoi gjëra që s'do të donte kurrë t'i dëgjonte. Dikush, kuptoi dhe me durim ka nisur përmirësimin, dikush që s'kupton ka nisur shkatërrimin. Ngjarje të mëdha sjellin ndryshime të mëdha, më shumë të brendshme dhe të padukshme si fillim.

E njëjta gjë po ndodh dhe me shëtitjet poshtë e lart nëpër Shqipëri: Në eksplorimet brenda shtëpisë sonë të madhe secili po dallon disa gjëra me habi: Për shembull, vende dhe shërbime që i reklamojnë shumë vetë, dalin zhgënjyese thellësisht, ndërsa vende e shërbime që as nuk shihen e dëgjohen, shpalosen me të gjithë surprizat dhe pozitivitetin e tyre. Në këtë fazë të dytë eksplorimi në shtëpinë e madhe Shqipëri, duhet më shumë vërtetësi dhe sinqeritet. Një fjalë e mirë thuhet nga thellësia e zemrës, ndërsa fjala e keqe, më mirë të kalojë me një heshtje. Ajo që na bën keq më shumë se çdo gjë tjetër është manipulimi i realitetit.

Eshtë i vërtetë edhe një tjetër fakt: secili prej nesh ka nivele të ndryshme pëlqimi dhe shije, por disa kolona duhet të jenë të panegociueshme për të gjithë: pastërtia, mirësjellja, kujdesja ndaj natyrës dhe mjedisit. Kudo që të jemi në Shqipëri, nga Jugu në Veri, nga Lindja në Perëndim duhet të vlerësojmë e të lavdërojmë shërbime, vende, qytete, fshatra që kanë respektuar këto kolona minimale qytetërimi. Nuk mund të lavdërohet një subjekt privat, kur për të përfituar ka mbytur e torturuar natyrën, ashtu siç duhet lavdëruar dhe inkurajuar kush, edhe pse ka marrë përdorim  një gji, një breg, një cep në mal mes perlave të Shqipërisë, jo vetëm që është kujdesur për ta mbajtur pastër, por ka investuar disafish për ta bërë edhe më të bukur e më shkëlqyes.

Pastaj, janë dhe institucionet tona shtetërore. Shërbëtorët e Shtetit duket se mbyllin sytë përballë shumë realiteteve që kërkojnë shpëtim dhe i "hapin" tepër në raste kur vërtetë punohet bukur. Një deformim që ndikohet nga flukse kapitalesh?

Nëse duam vërtetë ta marrim si një shans përmirësimi këtë vit me Covidin e çuditshëm, të sillemi edhe me Shqipërinë, si me shtëpinë: Sa më të pastër, të duruar, të qeshur, të qetë dhe të vërtetë. Një tjetër sfidë për t'u përmirësuar.

a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen