Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ishte në takimin e organizuar nga Atlantic Council në Washington DC, ku mori pjesë në panelin kushtuar Ballkanit Perëndimor, së bashku me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, dhe ambasadorin amerikan Justin Siberell.

Paneli u moderua nga Charles Lichfield dhe u fokusua në procesin e integrimit europian dhe dimensionin gjeoekonomik të Ballkanit Perëndimor, në një kontekst të ri sfidash dhe mundësish për rajonin.

Në fjalën e saj, Tabaku theksoi se, edhe pas më shumë se 15 vitesh diskutimesh për integrimin, Ballkani Perëndimor ende nuk ka një hapësirë të mirëfilltë të integruar ekonomike dhe infrastrukturore.

“Ne flasim prej vitesh për integrimin, por ende nuk kemi një rajon realisht të lidhur ekonomikisht. Kjo rrëmujë ka prodhuar ndarje të thella dhe ka shtyrë qytetarët tanë të largohen,” u shpreh ajo.

Deputetja e PD nënvizoi se integrimi nuk duhet parë si një “checklist” burokratik, por si një proces transformues ekonomik dhe shtetformues.

“Integrimi është një mundësi ekonomike. Reformat nuk janë qëllim në vetvete, por mjet për të ndryshuar realisht jetën e njerëzve,” tha Tabaku, duke shtuar se Shqipëria ka nevojë për investime dhe transformime reale sot, jo në një të ardhme të pacaktuar.

Duke folur për klimën e investimeve, Tabaku theksoi se problemi kryesor në Shqipëri mbetet mungesa e institucioneve të forta.

“Institucionet e dobëta prodhojnë korrupsion, pasiguri mbi pronën dhe ligje që miratohen, por nuk zbatohen,” u shpreh ajo, duke nënvizuar se procesi i integrimit duhet të vlerësohet edhe nga këndvështrimi i biznesit dhe zbatimi real i reformave.

Në këtë kuadër, Tabaku solli në vëmendje propozimin e saj ligjor për shqyrtimin e investimeve të huaja, duke theksuar se Shqipëria duhet të ketë qartësi strategjike mbi llojin e investitorëve që dëshiron të tërheqë. Ajo theksoi se kjo nismë ka gjetur mbështetje edhe gjatë takimeve të saj në SHBA, përfshirë diskutimet me kongresmenë amerikanë gjatë vizitës në Washington.

“Nuk jam kundër tregut të lirë apo konkurrencës. Por duhet të dimë kush investon në infrastrukturën kritike, në energji dhe në sektorë strategjikë. Si vend anëtar i NATO-s dhe në proces integrimi në BE, kjo nuk është zgjedhje ideologjike, por domosdoshmëri strategjike,” u shpreh Tabaku.

E pyetur për aleatët e Shqipërisë në Bashkimin Europian, deputetja e PD vlerësoi rolin e Italisë si një mbështetëse e rëndësishme, por theksoi se pesha kryesore mbetet Gjermania, e cila ka qenë promotore e procesit të integrimit që nga fazat e para.

Në përmbyllje, Tabaku theksoi se Ballkani Perëndimor nuk ka alternativë tjetër përveç rrugës së integrimit europian.

“Integrimi është i vetmi proces real transformues dhe shtetformues për rajonin tonë. Koha për reformat dhe për mbylljen e hendekëve në infrastrukturë dhe energji është tani, jo nesër,” u shpreh ajo, duke bërë thirrje që momenti aktual politik në Europë të shfrytëzohet maksimalisht.

 

SI.E./A.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 5 Shkurt, 20:52

    A është zgjidhje për parkimet dysh dënimi me burg?