Depetja e PD Jorida Tabaku, gjatë fjalës saj në Kuvend, ka folur për projektligjin për koncensionet dhe partneritetin publik privat.
Tabaku e cilësoi mungesën e transparencës si problemin më të madh. Ajo theksoi se pjesa më e madhe e kontratave aktuale janë në shkelje të standardeve të BE-së dhe kërkoi vendosjen e barrierave të reja ligjore për të kufizuar operatorët, sidomos ata që sipas saj kanë kryer abuzime.
'Ligji që vjen sot ka disa probleme, të cilat dua t’i theksoj dhe t’i përmend. Në vitin 2023 kam paraqitur disa propozime ligjore për të afruar praktikën më të mirë të vendeve të Bashkimit Europian në procedurat e koncesioneve dhe partneriteteve publike–private në Shqipëri. Dhe në fakt, z. Braçe përmendi një nga problematikat kryesore që ka ligji: mungesën e transparencës. Transparencë sa i përket prokurimeve publike, por edhe vetë koncesioneve. Pyetja është: Çfarë do të ndajë qeveria me publikun? Cilët janë informacionet që duhet të jenë publike për qytetarët? Qeveria ka vendosur që të jetë minimaliste me informacionin që ndan. Ka vendosur që jo gjithmonë të japë informacion që nga gjeneza e një koncesioni – që nga kërkesa apo momenti kur nis procedura koncesionare – por përpiqet ta zëvendësojë këtë me një “pasaportë për biznesin” dhe për kompanitë që do të operojnë.
Ndërkohë, legjislacioni i Bashkimit Europian kërkon standardin më të lartë të transparencës në prokurime: pasqyrim të çdo faze – nga analiza, tek miratimet ndërinstitucionale, tek raportet e performancës që duhet të publikojnë ministritë, e deri tek kontrata koncesionare, e cila normalisht duhet publikuar pasi miratohet. Deri më sot, asnjë nga kontratat koncesionare të qeverisë shqiptare nuk është e publikuar e plotë. Edhe ky ligj, nëse miratohet kështu, do të ruajë të njëjtin standard: asnjë nga kontratat koncesionare nuk do të ofrohet në transparencë të plotë. Kjo është mangësia e parë. Për këtë arsye kam përgatitur disa amendamente që do t’i diskutojmë gjatë miratimit nen për nen. Unë besoj se është e domosdoshme të zgjerohet lista e dokumenteve që duhet të publikohen: studimet e fizibilitetit, dokumentet e tenderit, vetë kontrata, ndryshimet kontraktuale, miratimet e ministrive. Sepse, nëse shikoni problemet që kanë sot kontratat koncesionare, ato lidhen pikërisht me këto elementë.
Hapësira e lënë në errësirë u ka dhënë mundësi ministrave, zëvendëskryeministrave, çdo nivelet politik, të ndryshojnë kontratat me një mesazh apo me një vendim të mbyllur. Nëse kjo hapësirë do të ishte e kufizuar dhe këto dokumente do të ishin transparente, unë besoj se një pjesë e madhe e këtyre abuzimeve nuk do të kishin ndodhur. Së dyti, duhet të ketë përjashtim nga asetet, fondet dhe shërbimet publike të një grupi kompanish dhe operatorësh të cilët: kanë kryer korrupsion, mashtrim, falsifikim, pastrim parash, kanë marrë pjesë në grupe kriminale. Sepse sot kemi rrezikun real që kontratat koncesionare dhe partneritetet publike–private po përdoren për pastrim parash.
Nuk e them vetëm unë, këtë e thotë edhe raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit. Dhe ky është një standard që ne duhet ta vendosim. Duhet një standard i qartë se ku shkojnë paratë publike, dhe njëkohësisht kufizim i numrit të kontratave që mund të marrë një kompani e vetme.
Sot, pothuajse të gjitha kontratat koncesionare janë të përqendruara në 5–10 kompani. Nëse një kompani që nuk respekton punimet dhe standardet, merr 80% të fondeve, merr tender pas tenderi, atëherë më vjen keq, por kjo kompani nuk duhet të ketë më akses në financat publike.
Nuk mund të marrë tenderin tjetër, e kështu me radhë, deri sa të kufizohen mundësitë dhe të hapet gara reale për operatorët e tjerë në treg. Çdo kompani që kryen këto shkelje duhet të skualifikohet nga gara', tha ajo.
Lajmi kryesor:
Pr.buxheti 2026, rriten fondet për 12 institucione! Ekonomi: Nuk i pranuam amendimet e opozitës, se cenonin konsolidimin fiskal












