PEQIN - Genc Tafili, një nga katër të burgosurit të akuzuar për tentativë arratisje nga burgu i Peqinit, në një lidhje telefonike për televizionin A1 Report, ka mohuar akuzat se ai së bashku me të vëllanë Admir Tafili, Fran Marashin dhe Gëzim Gurin po tentonin të “thyenin” burgun në fjalë. Sipas tij akuzat e Prokurorisë së Elbasanit janë të pavërteta dhe po kryhen për intriga të vetë organit të akuzës për të kryer lëvizje në staf, dhe kjo sipas tij duke përdorur dhe sajuar një histori të tillë.

“Unë ndodhem në burgun e Pqeinit, pashë nga televizioni juaj që janë dhënë disa shpifje, janë kapur në tentativë arratisje, jo Fran Marashi jo Gëzim Guri, por nuk ka pasur as edhe një lloj tentative arratisje. Po i bëjnë vetë këta të Prokurorisë së Elbasanit, për të heuqr persona të stafit, janë intriga të tyre.” tha Genc Tafili

Duke e cilësuar njoftimin e dhënë nga Prokuroria e Elbasanit, si një lojë politike të organit të akuzës, Genc Tafili nënvzioi se nuk ka pasur asnjë plan arratisje, ndërsa bëri thirrje që përgjimet Prokuroria le t’i bëjë publike për të qartësuar sipas tij të vërtetën.

“Janë gjëra politike, dhe po përdorin emrin tonë. Kjo është e gjithë e vërteta. Le ti nxjerrin të gjitha përgjimet se nuk ka asgjë, ja kanë futur kot. Prokuroria e bën këtë për inat të njëri-tjetrit, për të hequr staf. Ka 6 muaj që thonë do ikë ky do vijë ky. Të gjitha janë rrena dhe përdoret emri jonë. Më ka mbetur edhe pak vite burg nuk merrem me asgjë. Vëllai im atë në Korçë e ka sqaruar dhe nuk merret më janë të gjitha gënjeshtra.” nënvizoi Genc Tafili

Tafili: Nuk takohem shpesh me vëllanë Admirin
Ai u shpreh se nuk është takuar së fundmi me të vëllanë dhe madje kur e bën këtë gjë është nën survejimin e kamerave. Sa i përket Fran Marashit dhe Gëzim Guri, Tafili tha se ata ndodhen respektivisht në burgun e Bradasheshit dhe të Fushë-Krujës.

“Në këto momente nuk kam takime me vëllanë. Ditë ne shtunë që na mundësojnë këto, me kamera është dhoma, por tani afër nuk e kam takuar. Fran Marashi nuk ndodhet fare këtu, është në burgun e Bradasheshit, ndërsa Gëzim Guri në burgun e Fushë-Krujës. Këtu veprimet vazhdojnë normale si përditë.” tha Tafili

Tafili: S'kemi drekuar me gardianët, kam prova filmike
Sa i përket lajmit se 4 të burgosurit kanë drekuar me gardianët e burgut të Peqinit, Tafili mohoi këtë gjë duke u shprehur se për këtë ka prova filmike. Sipas tij, gardianët dhe shefi i tyre kanë qëndruar jashtë lokalit. Gjithashtu Tafili mohoi se të burgosurve u janë gjetur lima dhe mjete prerëse, por vetëm një telefon të cilin e ka dorëzuar.

“Nuk është e vërtetë, ata i kam edhe me filmime, gardianët dhe shefi kanë ndenjur jashtë lokalit, dhe mund ta vërtetoni. Po Admir Tafili ndodhet në burgun e Peqinit, i është kapur një telefon dhe e ka dorëzuar, asgjë tjetër të ndaluar nuk ka pasur. ” tha ai

Tafili: Kam dalë disa herë me leje, por nuk doja të arratisesha
Tafili pohoi se ka dalë disa herë nga burgu me leje dhe se hera e fundit ka qenë të premten për të takuar gruan e sëmurë, por siç theskoi ai asnjëherë nuk ka tentuar të arratiset.

“Kam dalë 5-6 herë me leje. Hera e fundit të premten. Po kam dalë 8 orë, kam pasur nusen pa qejf. Kam shkuar me eskordë policie, e kam takuar 10 minuta në Peqin, dhe e kanë shoqëruar prapë në spital. Kam ardhur vetë me këmbët e mia. Nuk kam dashur vetë me ikë se po të doja kisha ikur 4 herë. Vetëm nusja ime ndodhet këtej por të gjithë familjen e kam jashtë. Nuk e di kush i nxjerr këto gënjeshtra, nuk e kuptoj.” u shpreh Tafili

Tafili: Mund të isha arratisur 4 herë por nuk doja
Genc Tafili tha se nëse do të kishte dashur që të arratisej, do ta kishte kryer tashmë atë gjatë këtyre herëve që kishte dalë me leje, por se nuk e ka bërë me vetëdijen e tij të plotë.

“Po mund ta kisha bërë 4 herë se kam dalë disa herë me leje, dhe erdha me këmbët e mia brenda. Mund ta kisha bërë edhe me vëllanë tim, unë edhe pak dhe do të dal. Unë kam bërë 17 vjet burg. Kjo do të thotë se jam sjellë mirë dhe jam korrekt me stafin e burgut dhe me të gjithë burgjet ku kam qenë. Nuk kam asgjë me ta, asnjë raport shërbimi, asgjë. Më ka mbetur edhe 1 vit e pak për të kërkuar liri me kusht.” tha i burgosuri Tafili

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)